Ndërlidhjet

SEEMO: Presion politik e ekonomik mbi mediat kosovare


Të përditshme kosovare (Foto nga arkivi)
Të përditshme kosovare (Foto nga arkivi)
Tregu mediatik i Kosovës është i mbushur me numër të madh të mediave të shkruara dhe elektronike, që mund të mos iu mbijetojnë sfidave ekonomike, ndërsa mediat janë subjekt i presionit politik dhe ekonomik. Është ky një ndër përfundimet e raportit që analizon gjendjen në Kosovë të Organizatës së Evropës Juglindore për Media (SEEMO).

Raporti vë në pah se presionet vijnë nga burime të ndryshme, si nga Qeveria apo partitë politike, por edhe prej biznesit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Frikësimi, fyerja verbale, pengimi i mbulimit të ndonjë ngjarjeje të caktuar, dhe sulmet fizike janë pjesë e jetës së përditshme të gazetarëve.

“Frikësimi, fyerja verbale, pengimi i mbulimit të ndonjë ngjarjeje të caktuar, dhe sulmet fizike janë pjesë e jetës së përditshme të gazetarëve. Njerëzit frikësohen të dalin para kamerave dhe të shprehin atë që mendojnë”, thuhet ndër të tjera në raport, ndërsa citohen gazetarët kosovarë të kenë thënë se problem më vete është edhe vetë-censura.
Kërcënimet dhe presionet, sipas raporti të SEEMO-s vijnë nga institucione të ndryshme: Qeveria, përfshirë ministritë, partitë politike, organizatat ndërkombëtare, biznesi, gjykatësit dhe Akademia. Metodat qeveritare, sipas disa bashkëbiseduesve, janë më të sofistikuara.

“Presionet vijnë përmes thirrjeve telefonike. Ata nuk ju kërcënojnë se do të ju dërgojnë në burg, Ata përpiqen që t’iu korruptojnë”, citon SEEMO një redaktor kosovar.

Organizata për mediat në Evropën Juglindore, për gjendjen e rëndë të mediave në Kosovë ka fajësuar edhe komunitetin ndërkombëtar.
Punonjësit e mediave citohen të kenë thënë se për dallim nga vitet e pasluftës kur ka pasur vërshim donacionesh për ngritjen e medias së pavarur, sot, komuniteti ndërkombëtar më shumë favorizon institucionet shtetërore sesa mediat.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë tash po e mbështesin Qeverinë, jo mediat”, citohet të ketë thënë një redaktor kosovar. Raporti vë në pah se kur media kritikon politikat e Qeverisë, ndërkombëtarët mbështesin Qeverinë dhe jo mediat.

“Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare që kanë luajtur një rol thelbësor në krijimin e bazës legale për funksionimin e mediave të pavarura, aktualisht po shihen si mbështetës të institucioneve më shumë sesa promovues të lirisë së shprehjes”, thuhet në raport, por pa saktësuar se për cilat agjenci bëhet fjalë.

SEEMO vë në pah miratimin e Kodit të ri Penal, me nenet kundërthënëse 37 dhe 38, duke theksuar se me këto nene iu bëhet favor atyre që janë të akuzuar për korrupsion ose aktivitete të paligjshme, ndërsa gazetari fare lehtë mund të përfundojë në burg, po qe se nuk e zbulon burimin e informacionit.

Gazetaria nuk është profesion i respektuar

Shumica e bashkëbiseduesve, vë në pah SEEMO, theksojnë se gazetaria nuk është profesion i respektuar dhe edhe atyre që ia kanë dalë të kenë ndonjë pozicion të mirë, u është ofruar ndonjë punë e mirë dhe e paguar mirë në Qeveri.

“Gazetarët nuk fitojnë shumë para”, shpjegon një gazetar kosovar, duke shtuar se “gazetaria nuk është një profesion, nga i cili mund të jetosh në Kosovë”.

Një redaktor citohet të ketë thënë se “nuk dua që fëmijët e mi të punojnë në këtë profesion”.

Gazetarët, sipas raportit, fitojnë mesatarisht 300 deri 400 euro në muaj.

SEEMO në raportin e publikuar për gjendjen e mediave në Kosovë, alarmon për mungesën e gazetarëve të profilit të lartë dhe me përvojë.

Rritja e shpejtë e mediave në Kosovë, ndryshimet politike në dekadën e kaluar dhe mbështetja e programeve të organizatave ndërkombëtare, si dhe prania fizike e tyre kanë lënë gjurmë në skenën mediatike:

a) një numër i madh mediave është krijuar dhe një armatë gazetarësh ka hyrë në treg;

b) nevoja për profesionistët e trajnuar dhe institucionet publike ka ndikuar tregun e mediave;

c) gazetarët e profilit të lartë parapëlqejnë që të marrin pagë më të mirë në Qeveri dhe në institucione ndërkombëtare.

...me pak përjashtime, shumica e gazetarëve janë të rinj, të patrajnuar dhe të paguar dobët.

“Si rezultat, me pak përjashtime, shumica e gazetarëve janë të rinj, të patrajnuar dhe të paguar dobët. Këta tre faktorë minojnë pavarësinë dhe motivimin e tyre në raportimin hulumtues në një shtet ku shumica e njerëzve ose janë të afërm e shokë, ose shokë të shokëve”, shkruan ndër të tjera SEEMO.

Derisa sjell statistikat për mediat e shkruara dhe elektronike, SEEMO vë në pah se tregu i varfër i marketingut, dëmton zhvillimin e mediave. Pas miratimit të legjislacionit, që ndalon Qeverinë të publikojë reklamat në mediat e pavarura, SEEMO vëren se një gazetë tashmë është mbyllur, dhe të tjerat mezi po mbijetojnë.

Në raport, një vend i veçantë i kushtohet dhe Televizionit publik të Kosovës, si cili po shihet “si një televizion shtetëror, për shkak të presionit politik dhe vetë-censurës.”

“RTK nuk mund të prodhojë gazetari kritike, sepse shumica e gazetarëve që punojnë atje, i kanë të afërmit në Qeveri, dhe nuk mund të jenë kritikë”, citon SEEMO një ekspert të mediave.

Në Kosovë janë 105 media elektronike, 84 radio dhe 21 stacione televizive. Nga 84 radiot, 49 emetojnë në shqip, 26 në serbisht, një emeton në dy gjuhë - shqip dhe serbisht, tri janë në gjuhën boshnjake, dy në gjuhën gorane, dy në turke dhe një në rome.

Nga 21 televizionet, 15 janë në shqip, 5 në serbisht dhe një është turk.

Mediat në shqip dhe serbisht reflektojnë statusin e pazgjidhur politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Komuniteti i mediave nuk i ka kontribuar ripajtimit shqiptaro-serb, me disa përjashtime, ata adresojnë çështje paralele të shoqërisë paralele. Sidoqoftë, shumica përmbahen nga gjuha e urrejtjes.

Lexuesit kosovarë mund të zgjedhin në mes të tetë të përditshmeve, tirazhi i përbashkët i të cilave është 35 mijë kopje. AGPK thotë se janë 600 gazetarë që punojnë në skenën mediatike kosovare.

SEEMO në fund të raportit të vet rekomandon për gazetarët trajnime dhe mbështetje të gazetarisë hulumtuese.

Për autoritetet kosovare rekomandon garanci të lirisë së shprehjes përmes veprimeve dhe jo deklaratave.

Ndërkaq, nga ndërkombëtarët kërkon që të sigurojnë se Qeveria po i përmbush obligimet e lidhura me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Atyre, po ashtu, u kërkohet që të monitorojnë zbatimin e ligjeve që lidhen me mediat, si dhe të mos iu bëjnë presion mediave.
XS
SM
MD
LG