Ndërlidhjet

WSJ: Hija BE - Rusi mbi zgjedhjet serbe


Nga një tubim parazgjedhor në Serbi
Nga një tubim parazgjedhor në Serbi
"Wall Street Journal"


Kur kandidati presidencial serb Boris Tadiq, ndaloi në Veliko Gradishte, këtë qytet të vogël në brigjet e Danubit, në kuadër të fushatës në fund të prillit, ai u përshëndet nga një turmë njerëzish që mbanin në duar flamujt e Bashkimit Evropian.

Tadiq, i cili është mbërthyer në një garë të ngushtë për t'u rizgjedhur, iu tha mbështetësve që e rrethonin: “Qëllimi ynë është BE-ja. Kjo nuk do të ndryshojë.”

Në shumë mënyra, zgjedhjet kombëtare të së dielës janë kthyer në një referendum mbi të ardhmen e Serbisë. Votuesve, që po kërkojnë një lehtësim nga kohët e vështira ekonomike, po iu kërkohet të zgjedhin mes një strategjie për lidhje më të thellë me BE-në ose të një politike që shikon ka lindja dhe kërkon forcimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Uashingtoni dhe Brukseli e shohin integrimin e Serbisë dhe shteteve tjera të Ballkanit në BE, si mënyrën më të mirë për të siguruar krahun juglindor të kontinentit dhe për të zbutur tensionet e stërzgjatura, pas luftës ndëretnike të viteve të ’90-ta, që nxitën ndërhyrjen ushtarake të Amerikës dhe aleatëve të saj.

Por, zgjedhjet për parlamentin, si dhe për presidencën, po vijnë në një kohë kur problemet e ekonomike të BE-së e kanë shuar joshjen e serbëve për integrim në bllok.

Për më tepër, Brukseli është duke kërkuar lëshime jopopullore për çështjen e nxehtë të Kosovës- duke shtyrë Beogradin që të shkojë drejt pranimit të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

"BE-ja nuk është parajsë. Ajo i ka problemet e veta. Por, në qoftë se ne zbatojmë standardet e BE-së, kjo do të thotë se do të ketë kushte më të mira për njerëzit në Serbi," tha Tadiq, Partia Demokratike e të cilit ka kohë që e mbështet anëtarësimin në BE.

“Anëtarësimi në BE është mënyra më racionale për Serbinë për të ecur përpara."

Mbështetësit e opsionit të Moskës thonë se Rusia është më mirë me para dhe nuk do të imponojë kushtet e rrepta ekonomike dhe politike që kërkohen për anëtarësim në BE.

Ata gjithashtu argumentojnë se Rusia është mbrojtësja më e besueshme e interesave serbe, sidomos në Kosovë, të cilën serbët e shohin si vendlindjen e kombit të tyre.

“Po që se fitojnë euro-fanatikët, asgjë nuk do të mbetet në Serbi”, thotë Zoran Krashic, një kandidat për parlament i Partisë nacionaliste Radikale të Serbisë, e cila aktualisht ka 20 për qind të ulëseve në parlament.

Në vend të kësaj, ai iu kërkoi mbështetësve, që të llogarisin në “miqtë tanë, rusët. Ata nuk na kanë bombarduar kurrë dhe duan të na ndihmojnë”.

Sfiduesja më e madhe e demokratëve si për parlament, ashtu edhe për presidencë është Partia Përparimtare Serbe, udhëheqësit e së cilës, dikur si radikalë, kundërshtonin BE-në, por, tash thonë se e mbështesin integrimin.

Disa votues, megjithatë, kanë dyshime se sa larg është në gjendje që të shkojë partia, në bërjen e kompromiseve me Perëndimin.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit të kryer nga Ipsos dhe B92, mbështetja e publikut në Serbi për anëtarësim në BE është nën 50 për qind, ndërsa opozita mbështetet me 34 për qind.
Pjesa tjetër ose janë të pavendosur ose thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet për anëtarësimin në BE.

Nëpër Serbi, shumë votues janë të përqendruar në gjendjen e rëndë ekonomike dhe janë të zemëruar në lidhje me korrupsionin e supozuar politik. Papunësia zyrtare është rreth 24 për qind, dhe ekonomia, pas tkurrjes, si pasojë e krizës globale financiare, këtë vit pritet të rritet vetëm për 0.5 për qind.
Këtu në Veliko Gradishte, fabrikat janë mbyllur dhe vendet e punës janë të pakta. Gati 20 për qind e njerëzve në qytet dhe zonat përreth janë larguar për të kërkuar punë jashtë vendit, kryesisht në Evropën Perëndimore.

Kur, Tadiq arriti në qytet, 24 vjeçari, Velko Miloshvic ishte në mesin e atyre që tundte flamurin e BE-së.

“Ne duam t’i përkasim BE-së, thotë Velko, që është i papunë. “Do të ketë investime. Të rinjtë do të mund të gjejnë punë”.

Tadiq dhe demokratët e tij po llogarisin në sentimentet e tilla, duke argumentuar se anëtarësimi në bllok do të përmirësojë standardet e jetesës. Në fillim, ata shfrytëzuan për kampanjën elektorale, kandidaturën në BE, që Serbia e mori në muajin mars.

Për të marrë mbështetjen e BE-së, Tadiq dhe aleatët e tij kanë ndërmarrë hapa të rrezikshëm politikë, siç ishte arrestimi dhe ekstradimi i të dyshuarit për krime lufte në Bosnje, Ratko Mlladiqit, si dhe arritja e marrëveshjes për menaxhimin e kufirit me qeverinë e Kosovës në dialogun e organizuar nga BE-ja.

Hapa të mëtejshëm, duke përfshirë luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të gjykatave, do të kërkohen para se BE të mirëpresë Serbinë në radhët e saj. Tadiq e sheh këtë si një plus.

"Unë dua të përdor procesin e integrimit për të ofruar përmirësime", tha ai. "Ne duam të ndërtojmë shtetin ligjor dhe të krijojmë këto kushte për vendin tonë”.

Gjatë fushatës, progresistët, partia e të cilëve është e afërt me partinë ruse të Vlladimir Putinit, Rusia e Bashkuar, kanë shfaqur më pak prirje për përmbushjen e kushteve perëndimore.

Udhëheqësi i partisë dhe kandidati për president, Tomislav Nikoliq, kohët e fundit shfaqi dyshimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën, duke thënë se nuk do të pranojë asnjë dispozitë që është e dëmshme për Serbinë apo që është kundër kushtetutës së vendit.

Një tjetër politikan i kësaj partie tha në një paraqitje televizive se Mlladiq, i cili mes tjerash është akuzuar për masakrën e Srebrenciës ku u vranë mijëra myslimanë të Bosnjës, është "një ushtar i ndershëm serb" dhe një "hero".

Sondazhet e fundit tregojnë për garë të ngushtë mes Tadiqit dhe Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale, të cilë do të shkojnë në balotazh më 20 maj, po që se ansjëri nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave.

Në zgjedhjet parlamentare, sondazhet tregojnë epërsinë e progresistëve ndaj demokratëve. Por, analistët thonë se edhe po që se demokratët fitojnë më pak ulëse, ata duket se do kenë më shumë gjasë që të formojnë koalicion qeverisës.

Që të qeverisin progresistët, ata duhet të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të Koshtunicës, e cila është kritike e zëshme e anëtarësimit në BE.

“Më së miri për ne është që të jemi neutralë, si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht”, ka thënë Nenad Popoviq, një biznesmen dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, parti kjo që argumenton se Rusia është partner më i mirë për zhvillimin ekonomik të Serbisë, sesa BE e goditur nga kriza.

Rusia, nga ana e saj, është e lumtur që të shihet si mbrojtësja më e mirë e Serbisë.

“Ne kemi interesa të njëjta dhe do të mbrojmë vendin tuaj, pavarësisht interesave të disa serbëve, që dëshirojnë ta fusin vendin tuaj nën ndikimin e të huajve”, ka thënë ambsadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin.

Kur, paqeruajtësit e NATO-s, përpiqeshin të largonin barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës, në vitin e kaluar, Konuzin udhëhoqi një konvoj të kamionëve me furnizime, për të cilat, diplomatët ndërkombëtarë thanë se iu shpërndanë serbëve ne barrikada.

Tadiqi, nën presionin e BE-së, ka bërë thirrje publike për shpërbërjen e barrikadave dhe përfundimin e konfrontimit me NATO-n. Tensionet në rajon janë duke vazhduar.(a.i.)
XS
SM
MD
LG