Ndërlidhjet

Maqedoni - ngecin reformat


Shkup...
Shkup...

Opozita maqedonase ka konstatuar jo vetëm ngecje, por edhe përkeqësim të gjendjes në përmbushjen e reformave, që krahas çështjes së emrit, janë të domosdoshme për integrimin euroatlantik të vendit.

Këto vlerësime nga LSDM-ja u dhanë një ditë para vizitës së komisionerit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, i cili para dy muajve kishte deklaruar se në muajin maj, sërish do të vijë në Maqedoni për të parë nëse është arritur progres për fushat në të cilat ngecë Maqedonia.

Nuk ka asnjë përparim në negociatat mes qeverisë dhe SHGM-së. Gjendjen në media më së miri e ilustron raporti i 'Fredoom House', sipas të cilit, Maqedonia ka shënuar rënie për 15 vende në renditjen e shteteve, sa i përket lirisë së mediave”.

Situatë e njëjtë është edhe në sistemin gjyqësor, ku pushteti vendosi njerëzit e afërt në Gjykatën Kushtetuese, duke rrënuar apo duke vendosur nën kontroll edhe gjykatën e fundit që ishte mbrojtëse e Kushtetutës në vend. Situatë e njëjtë është edhe me administratën shtetërore, ku vazhdon partizimi i saj, si dhe në ekonomi, ku me rebalancin e buxhetit, shteti thellon edhe më shumë krizën ekonomike në vend”, ka deklaruar Ilinka Mitreva.

Partitë në pushtet kanë ironizuar me këto pohime të opozitës, e në veçanti me rolin e Mitrevës në procesin e integrimit.

Përmes një komunikate, VMRO-DPMNE-ja ka thënë se “qeveria po mban kursin e refirnave, ndërsa Mitreva, si ish-ministre kishte shansin të bëjë diç më tepër në arritjen e këtyre reformave, por përveç kënaqësisë që shijoi nga posti i ministres, ajo nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”.

Ndryshe nga partitë, ekspertët për çështje ndërkombëtare thanë se këtë lloj të negociatave me BE-në, Maqedonia duhet ta shqyrtojë me shumë seriozitet, të punojë në arritjen e reformave dhe të kërkesave tjera.

Ata na japin shansin që të fillojmë me reformat përpara se të fillojnë negociatat, që kur të fillojnë ato eventualisht, të shkojë puna më lehtë. Këto reforma janë të thella, janë thelbësore. Këto janë kritere të cilat Maqedonia i ka ditur shumë herët se duhet t’i bëjë”.

Ajo pandërprerë tenton të bëjë përmirësime, por rezultate ka shumë pak. Nëse nuk ka rezultate në reformat në gjyqësor brenda 10 vjetëve, ne nuk mund të presim rezultate brenda dy muajve”, u shpreh Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare, duke mos anashkaluar këtu edhe çështjen e emrit, që mbi të gjitha është kushti kryesor që duhet të përmbushë Maqedonia nëse dëshiron integrimin në BE dhe NATO.

Në këtë kuadër, Denko Malevski, ish ministër i jashtëm, tha se Maqedonia reformat duhet t’i përmbushë në radhë të parë, pasi ato janë në të mirë të qytetarëve të saj, dhe më pas për integrimin euroatlantik, i cili vështirë se do të mund të arrihet pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë, të cilin e ndërlikojnë pozicionet e palëve si dhe zhvillimet në Greqi.

Maqedonia do të përballet me rrethana edhe më të vështira në drejtim të zgjidhjes së kontestit me Greqinë, pas zgjedhjeve që mbahen atje, ku gjendja është e përkeqësuar në planin ekonomik”.

Kjo situatë, dhe paralajmërimet se nuk do ketë një parti e cila vetë do të mund të formojë qeverinë e re, edhe më shumë e ndërlikon situatën e zgjidhjes së çështjes së emrit, pasi në politikën greke po rritet ndikimi i nacionalizimit. Pra, do të jetë një situatë e vështirë për Maqedoninë”, tha Maleski.
XS
SM
MD
LG