Ndërlidhjet

Maqedoni: Kërkohet përgjegjësi institucionale


Protesta e 11 majit, në Shkup...
Protesta e 11 majit, në Shkup...
Protestat e ndara në baza etnike paraqesin rrezik për stabilitetin e vendit, veçanërisht për faktin se edhe një dekadë të tërë pas miratimit të Marrëveshjes së Ohrit, është i pranishëm mosbesimi i shqiptarëve, jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj partive që i përfaqësojnë, thotë Bashkim Bakiu, drejtues i Institutit për Qeverisje të Mirë.

Ai këtë e bazon në protestat që kësaj radhe janë mbajtur edhe para selisë së BDI-së, në pushtet dhe Komunës së Çairit, e cila po ashtu drejtohet nga kuadër të kësaj partie.

“Protestat që janë manifestuar kësaj radhe asnjëherë më parë nuk janë mbajtur me një masivitet të lartë dhe në të njëjtën kohë të shprehet pakënaqësia edhe ndaj politikë-bërjes, edhe ndaj institucioneve, edhe ndaj partive politike, qofshin në pozitë apo opozitë. Kjo do të thotë se ngrihet niveli dhe vetëdija e qytetarëve për veprim edhe jashtë formave tjera të politike”, thotë Bakiu.

Ai shton se megjithatë institucionet duhet të veprojnë me kujdes pasi pikërisht veprimet e tyre të pamatura lidhur me rastin e vrasjes së pesëfishtë dhe arrestimet gjatë operacionit policor, bënë që situata të tensionohet.

Rastet e këtilla të tubimeve popullore, thotë Bakiu, mund të manipulohen nga struktura të caktuara, edhe pse kësaj radhe ato ishin të drejtuara ndaj të gjitha subjekteve.

“Kuptohet se në forma të këtilla të shprehjes së pakënaqësisë mund të ketë edhe manipulime. Partitë politike sigurisht se do të mundohen t’i përvetësojnë grupet, të cilat shprehin pakënaqësinë, edhe pse mund të ketë një lloj rezerve në këtë rast, pasi pakënaqësia shprehet ndaj të gjithëve”.

“Por, mund të ketë keqpërdorime, reagime të ndryshme, kundër-reagime siç ndodhi edhe në këtë rast, pasi protestohet për një çështje dhe veprim të caktuar dhe në anën tjetër kemi reagime të kundërta që manifestohen në forma të ndryshme”
, thekson Bakiu.

Nga ana tjetër, sociologu maqedonas, Ilija Acevski, daljen e njerëzve në protesta në rastin e Maqedonisë, e sheh edhe në prizmin ekonomik.

Gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike, thotë Acevski, lehtë mund të ndezë fitilin e shprehjes së revoltës, e cila në një shtet multi-etnik dhe multi-konfesional, siç është Maqedonia, nga qarqe të caktuara mund t’i jepet kahe etnike ose fetare

“Individi, kur për një kohë të gjatë mbetet nën trysninë e problemeve sociale, kërkon vrimë përmes së cilës mund të shpërthejë, kërkon mundësi për të shprehur pakënaqësinë për gjendjen e krijuar, e cila revoltë jo rrallë herë është dëshmuar se manipulohet”, vlerëson Acevski.

Sipas Acevskit, forcat politike - qofshin në pushtet ose opozitë - këto raste i kanë shfrytëzuar në vend që të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve që mund të kenë pasoja për gjithë shoqërinë.

“Forcat politike shumë lehtë i shfrytëzojnë momentet e këtilla për arritjen e qëllimeve e tyre. Ato, thjesht, përfitojnë nga raste të këtilla”.

“Këtu janë ato kontradiktat e tyre, edhe pse çelësi do të duhej të ishte tek ato që të distancohen nga rrymat radikale dhe situatën në një formë ta mbajnë nën kontroll
”, potencon sociologu Acevski.

Ndryshe, lidhur me protestat dhe aksionin policor pas vrasjes së pesëfishtë, të shtunën mbrëma Këshilli i përgjithshëm i BDI-së, ka miratuar disa konkluzione, në të cilat kërkohet që për të arrestuarit të respektohet e drejta e pafajësisë derisa organet e drejtësisë nuk e thonë fjalën e fundit.

Gjithashtu, kërkohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të zhvillojë kontrolle të brendshme lidhur me tejkalimet eventuale të kompetencave gjatë operacionit policor.

Bashkimi Demokratik për Integrime kërkon, gjithashtu, që bartësit e institucioneve publike të përmbahen nga kualifikimet dhe deklaratat që mund të keqkuptohen në opinion dhe që nxisin reagime.
XS
SM
MD
LG