Ndërlidhjet

WP: Rusia i tregon muskujt në OKB, Serbia pret favore*


Flamuri i Kombeve të Bashkuara
Flamuri i Kombeve të Bashkuara

Autor i shkrimit në "Washington Post" është Janush Bugajski

Rusia e revitalizuar po i tregon muskujt e saj në Kombet e Bashkuara. Pos, bllokimit periodik të nismave perëndimore me kërcënimin e shfrytëzimit të vetos në Këshillin e Sigurimit, duket se Moska po punon që të parandalojë që Lituania ta marrë presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenca në masë të madhe është ceremoniale, por disi i dhuron prestigj ndërkombëtar vendit që e mban këtë post dhe viteve të fundit postit i janë dhënë më tepër përgjegjësi.

Në mesin e detyrave është edhe kryesimi i tubimit vjetor të liderëve botërorë në Nju Jork, çdo shtator dhe për zhvillimet e tjera të nivelit të lartë në OKB.

Tradicionalisht, presidenca me rotacion çdo 12 muaj u takon pesë grupeve rajonale të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Sesioni i 67-të, i sivjetmë, i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të kryesohet nga përfaqësuesi i grupit të vendeve të Evropës Lindore.

Për këtë post, Lituania kishte konkurruar në vitin 2004 dhe ishte kandidat i vetëm për shtatë vjet. Në fillim të vitit 2012, megjithatë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, shpalli se do të kandidojë për këtë post dhe kjo lëvizje menjëherë u mbështet nga Rusia.

Për këtë post, Asambleja në përbërje të plotë të 193 anëtarëve, do të votojë në muajin qershor.

Është gjë ekstremisht e rrallë që Asambleja e Përgjithshme e plotë, të votojë direkt për këtë pozicion. Zgjedhja e këtillë me gjasë do t’i shtojë ndarjet ndërmjet vendeve anëtare të OKB-së, duke e dobësuar postin e presidentit të ardhshëm, dhe pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së preferojnë të vazhdojnë me rotacionin e zakonshëm rajonal.

Disa kishin bërë thirrje që kjo çështje të zgjidhet brenda grupit të Evropës Lindore. Por, Beogradi dhe Moska, me gjasë, nuk e mbështesin këtë gjë, pasi këto dy kryeqytete po manovrojnë për të arritur objektiva specifike politike.

Moska është e vendosur ta shkatërrojë solidaritetin ndërmjet ish-satelitëve të saj në Evropën Qendrore dhe Lindore, në çfarëdo forumi ku ata luajnë rol udhëheqës.

Pra, Rusia ia ka dhënë mbështetjen diplomatike Serbisë, për ta dobësuar aftësinë e grupit të Evropës Lindore që t’i zgjidhin çështjet me forca të veta dhe që ta parandalojë Lituaninë të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare.

Rusia dëshiron ta keqtrajtojë Lituaninë lidhur me deklaratën, që Moska e konsideron të turpshme, në sesionin e Kombeve të Bashkuara në maj të vitit 2010, ku përkujtohej 65-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesi i përhershëm i Lituanisë në OKB, Dalius Cekuolis, ka thënë se për dallim nga ajo që ka përjetuar pjesa më e madhe e Evropës, fundi i luftës nuk kishte sjellë liri në Lituani, por aneksim nga një fuqi tjetër totalitare, nga Bashkimi Sovjetik.

Referenca e zotit Cekuolis për okupimin rus, me ç’rast ai ishte diplomatik, raportohet se kishte shkaktuar tmerr në Kremlin. Regjimi i presidentit të atëhershëm rus, Vlladimir Putin, e kishte kaluar një dekadë duke u përpjekur ta fshehte faktin se Bashkimi Sovjetik ishte bashkëpunëtor i Gjermanisë naziste dhe furnizues i burimeve gjatë dy viteve kryesore në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur Rajhi i Tretë, ia mësyu Evropës dhe e lansoi Holokaustin.

Regjimi i Stalinit atëherë ishte bashkëfajtor me vullnet i Hitlerit, duke e parë atë si mjet kryesor për shkatërrimin e kapitalizmit perëndimor.

Putini synon ta promovojë historinë e lavdishme të dyshuar të Rusisë, për ta ripërtërirë pozicionin e vet si fuqi globale.

Përpjekjet për ta heshtur Lituaninë, janë pjesë e strategjisë më të gjerë për t’i diskredituar ata që dikur Moska i dominonte.

Njëherësh, duke e rritur profilin e vet në Kombet e Bashkuara, qeveria e Serbisë shpreson t’i minimizojë njohjet e mëtejshme të shtetësisë së Kosovës, ish-provincë e saj, dhe të fitojë favore reciproke diplomatike nga Moska gjatë vitit që vjen.

Ironia është se ministri i Jashtëm i Serbisë po përfiton nga mbështetja e Rusisë kundër partnerëve evropian të Serbisë, në kohën kur vendi i tij po përpiqet t’i afrohet Bashkimit Evropian.

Jeremiqi e ka humbur një pjesë të madhe të kredibilitetit në qeverinë e tij gjatë vitit të kaluar, për shkak të problemeve në politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Nëntëdhjetë anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si shtet të ri, pavarësisht udhëtimeve të vazhdueshme të Jeremiqit nëpër glob në përpjekje për ta delegjitimuar Kosovën.

Shumë zyrtarëve evropianë nuk u pëlqen arroganca e tij. Në qasjen e Jeremiqit përfshihet edhe kërcënimi për hakmarrje kundër Lituanisë me anë të diplomacisë nëse refuzon ta tërheqë kandidaturën e saj për presidencën e Asamblesë së Përgjithshme.

Zyrtarët e Lituanisë e kanë akuzuar Beogradin se po përgatit fushatë për ta bllokuar kërkesën e Lituanisë për një mandat dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke filluar nga vitit 2014.

Këtu kemi të bëjmë me çështje më të mëdha se sa për një post diplomatik.

Gara me luftë për presidencën e Asamblesë së Përgjithshme e ilustron përshkallëzimin e fushatës së Rusisë së rigjallëruar kundër ish-satelitëve të saj, që tash janë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara. (f.b.)

*Titullin e ka zgjedhur redaksia
XS
SM
MD
LG