Ndërlidhjet

KS: Kërkohet heqja e status quo-së


Këshilli i Sigurimit - foto nga arkivi
Këshilli i Sigurimit - foto nga arkivi

Gjendja në tremujorin e fundit në Kosovë, ka marrë vlerësime të mira në OKB, nga kreu i misionit të Organizatës në Kosovë, Farid Zarif, derisa organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 6 maj, pa u shënuar ndonjë incident është përshëndetur nga shumica e anëtarëve të këtij organizmi.

Farid Zarif tha se megjithatë, në raport ka edhe trende negative, përfshirë problemet e sigurisë dhe ato kriminale në zonat e përziera, siç është veriu i Kosovës. Ai ka thënë se “status quoja nuk është e qëndrueshme”.

Unë gjithashtu vazhdoj të theksoj se përpjekjet e përbashkëta për çështjet që janë themelore për ripajtimin dhe për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në tërë Kosovën, nuk duhet të zbehen. Këtu përfshihet në veçanti përparimi në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, krijimi i kushteve të sigurta për kthim vullnetar, gjykimi i drejtë në zgjidhjen e kërkesave pronësore, dhe zbatim i plotë dhe efektiv i kornizave juridike për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare”, tha në Këshillin e Sigurimit, Farid Zarif.

Me fjalimet e tyre janë paraqitur ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë, Enver Hoxhaj dhe Vuk Jeremiq, të cilët, sikurse edhe herëve të tjera, kanë dhënë dy tablo të ndryshme të gjendjes në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka akuzuar Serbinë për politikë dyfytyrëshe duke thënë se ende mban strukturat kriminale ilegale të sigurimit dhe të policisë në territorin e Kosovës, çka është në kundërshtim të madh me vlerat e Bashkimit Evropian.

Në tre muajt e fundit, ne kemi parë dy fytyra të Serbisë: Serbia e cila sillet si një vend pro-evropian në marrëdhëniet me Brukselin dhe Serbinë e cila sillet në mënyrë anti-evropiane në marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj.

Kreydiplomati serb, Vuk Jeremiq, ka thënë se gjendja e komuniteti serb në Kosovë, mbetet e rëndë.

Vlerësimi i Sekretarit të Përgjithshëm është se tensioni dhe konfrontimi në terren shkakton rreziqe për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Një gjendje e tillë e pasigurt e prek në mënyrë disproporcionale komunitetin serb të Kosovës," ka thënë Jeremiq.

Por, Hoxhaj ka hedhur poshtë këtë pohim, duke potencuar se situata në veri, është e tensionuar për shkak se Serbia vazhdon të mbajë strukturat ilegale të sigurisë në këtë pjesë.

Ajo me të cilën ne jemi duke u përballur në këtë pjesë të Kosovës nuk është e re në këtë rajon. Në vitet 1990, barrikadat në Kroaci dhe Bosnjë ishin ngritur nga policia dhe strukturat e sigurisë të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në pothuajse të njëjtën mënyrë se si këto struktura ilegale janë të kontrolluara, të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në veriun e Kosovës. Agjenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status-quos dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale“, tha ministri i jashtëm, duke potencuar se kësisoj është bërë e pamundur qasja e institucioneve si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare në këtë pjesë.

Ndryshe, përfaqësuesit e shteteve perëndimore, si SHBA, Gjermania, Franca e Britania, kanë kërkuar sërish shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë, derisa kanë lavdëruar maturinë e shfaqur më 6 maj, gjatë zgjedhjeve të Serbisë, që OSBE i organizoi në Kosovë.

Ambasadori amerikan në misionin e SHBA-së në OKB, Xhefri DeLorentis, ka thënë se vendi i tij, nuk lejon që të minohet pavarësia dhe të cenohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës. Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Ambasadori amerikan, sikurse edhe shumica e përfaqësuesve në Këshillin e Sigurimit, kanë lavdëruar vendimin e Shqipërisë për miratimin e ligjit, që lejon hetimin për trafikim organesh nga ana e Task Forcës së ngritur nga EULEX-i.

Një çështje tjetër e ngritur në takim, ka qenë lidhjet e Kosovës me opozitën siriane.

Ambasadori i Rusisë në OKB Vitali Çurkin i tha Këshillit të Sigurimit se vendi i tij është i shqetësuar rreth njoftimeve se kryengritësit sirianë po trajnohen në Kosovë.
Çurkin tha se nëse këto raporte janë të vërteta, prania e luftëtarëve sirianë në Kosovë do të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të rivendosur paqen në Siri.

Duke e kthyer Kosovën në një qendër ndërkombëtare të trajnimit për kryengritësit e njësive të ndryshme të armatosura, ajo kthehet edhe një faktor serioz destabilizues që shkon përtej rajonit të Ballkanit,” ka thënë Çurkin, i cili ka bërë thirrje që të ndërpritet një praktikë e tillë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka pranuar se Qeveria e Kosovës është në kontakt me opozitën siriane, por shpjegoi se Kosova ishte "ndër qeveritë e para në Evropë që mbështeti opozitën në Libi dhe në vendet tjera arabe", në vitin 2011, sepse siç tha ai "ne kemi luftuar për të njëjtat aspirata."

Hoxhaj hodhi poshtë pretendimet se luftëtarët e opozitës siriane po trajnohen në Kosovë.

Ne kemi qasje të njëjtë me Sirisë dhe kemi kontakte diplomatike mes qeverisë sime dhe opozitës siriane. Dhe natyrisht, që ne mbështesim shumë kauzën e tyre”, ka thënë kryediplomati kosovar.
XS
SM
MD
LG