Ndërlidhjet

Ekspertët: Pushteti në Maqedoni duhet të ndryshojë


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Pas samitit të NATO-së në Çikago, në Maqedoni duhet të ketë riformatizim të qeverisë aktuale, thotë nënkryetari i këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, duke komentuar konkluzionet e samitit që janë të ngjashme me ato të Bukureshtit, në raport me Maqedoninë, që së pari të zgjidhjet çështja e emrit, e më pas anëtarësimi në NATO.

Ramadani thotë se çelësi i zhbllokimit të procesit integrues është në duart e BDI-së, që, sipas tij, duhet të angazhohet për një qeveri të re pa VMRO-DPMNE-në, e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili drejtoi akuza të ashpra ndaj vendeve anëtare të aleancës, për shkak të, siç ka thënë, lënies me të padrejtë të Maqedonisë jashtë NATO-s.

Unë mendoj se në këtë rast, BDI duhet ta përzë ose ta largojë VMRO-në nga qeveria. BDI këtu e ka rolin vendimtar kurse partitë opozitare shqiptare duhet të jenë shumë të zëshme me veprimet e tyre dhe shumë fuqishëm të denoncohet kjo politikë e mbrapshtë”, deklaroi nënkryetari i këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani.

Ngjashëm vlerëson edhe Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare.

Ai thotë se VMRO-DPMNE-ja ka dëshmuar qartë se nuk është e interesuar për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe në një situatë të këtillë, thotë ai, do të ishte e pakuptueshme që BDI të vazhdojë edhe më tej partneritetin me partinë e Gruevskit.

Ndoshta si zgjidhje do të duhet të mendohet edhe ti thuhet mirupafshim koalicionit qeveritar, pra të dilet nga koalicioni, jo me ndonjë qëllim tjetër përveç që të formohet një garniturë e re, e cila do të punojë në drejtim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, vetëm këtë, sepse Maqedonia alternativë tjerë, apo opsion tjetër nuk ka”, u shpreh Kadriu.

Nga ana tjetër, Sllododan Çashule, thotë se Maqedonia duhet të mbajë kursin e integrimit të vendit në NATO, por, mbështet qëndrimet kritike të Gruevskit ndaj aleancës, pasi edhe Çashule mendon se ajo nuk ka vepruar drejtë në raport me Maqedoninë.

Maqedonia nuk ka kontest me NATO-në si institucion solidar i sigurisë në Evropë, por për ne kontestuese është paaftësia apo mungesa e fuqisë politike për të zbatuar një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ishte në favor të Maqedonisë sa i përket anëtarësimit të saj në NATO”.

Sidoqoftë, nuk do të heqim dorë nga NATO e as nga BE-ja. Por, ajo nëse mund të gjykohet nga deklarata e kryeministrit është se ne do ta ndërrojmë pikëpamjen tonë politike ndaj NATO-s, dhe nuk do të jemi më dyfytyrësh, por, si çdo vend demokratik, në këtë aleancë do ta tregojmë mendimin tonë dhe pakënaqësinë tonë, pasi jemi seriozisht të shqetësuar nga qasja shoviniste e Greqisë që po rrënon vlerat e NATO-s”, u shpreh Sllobodan Çashule, ish ministër i jashtëm.

Ndryshe, opozita maqedonase ditë më parë kërkoi seancë urgjente të Kuvendit në të cilën kryeministri Gruevski do të duhej të jepte llogari rreth situatës së krijuar, ndërsa opozita shqiptare kërkoi nga BDI-ja të pozicionohet qartë, se a është me Gruevskin apo me NATO-n dhe Shqiptarët.

Nga ana tjetër BDI u përgjigj duke thënë se nuk pajtohet me asnjë vlerësim të fundit të Gruevskit, përveç pjesës ku ai thotë se Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për anëtarësim në NATO.
XS
SM
MD
LG