Ndërlidhjet

Maqedoni: Ish-të burgosurit politikë padisin Qeverinë


Pamje nga Shkupi - foto nga arkivi.
Pamje nga Shkupi - foto nga arkivi.
Të gjithë anëtarët e Shoqatës së ish të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë shqiptarë në Maqedoni, në gjyqet civile të vendit, thonë se javën që vjen do të dorëzojnë padi kundër Qeverisë së Maqedonisë, për shkak të statusit të tyre të pazgjidhur.

Kryetari i kësaj shoqate, Shpëtim Pollozhani, thekson se shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ishin viktimë e sistemit të kaluar, ende mbeten pa njohjen e plotë të statusit të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, si pasojë e angazhimit të pamjaftueshëm të partive politike shqiptare të Maqedonisë.

“Propozim-ligji ynë për zgjidhjen e statusit të ish të burgosurve politikë, është dorëzuar nga shoqata jonë që nga viti 2005 në Parlament. Ne shfrytëzojmë një të drejtë qytetare dhe për realizimin e kësaj të drejte, do të shkojmë me ngritjen e padive private”.

“Paditë private do t`i dorëzojmë pranë gjyqeve civile dhe dorëzimin e padive do ta përmbyllim me një protestë në qendër të Shkupit, gjegjësisht para Qeverisë së Maqedonisë”
, thotë Pollozhani.

Ai thekson se kundrejt zhdëmtimit, problem shumë të madh paraqet mbetja në fuqi e vendimeve të shqiptuara gjyqësore në kohën e ish-regjimit, duke zbatuar direktivat e pushtetit të kaluar, që tani organet gjyqësore nuk i shfuqizojnë, respektivisht nuk i shpallin si vendime pa vlerë juridike.

Padi private do të ngrenë edhe familjarët e ish të burgosurve politikë, që tashmë nuk janë në mesin e të gjallëve.

Arsim Sinani thotë se do të ngrejë padi ndaj shtetit, sepse derisa i ati Ramadan Sinani, u burgos pas demonstratave të ’68-s, në Tetovë për çështje politike dhe u largua nga puna si profesor i Gjuhës, anëtarët e të gjithë familjes së tij jo rrallëherë kanë ndjerë pasojat e përndjekjes.

Sinani thotë se është me rëndësi që një herë e përgjithmonë t`i jepet fund dhembjes së quajtur “që disa shqiptarë për shkak të bindjeve politike të shpallen si të i padëshiruar apo të rrezikshëm për shtetin dhe këto vendime akoma të kenë vlerë juridike”

“Maqedonia, si shtet, asnjëherë nuk i rehabilitoi këta njerëz, të cilët padrejtësisht gjykuan dhe dënuan për të drejtat që tani i gëzojnë qytetarët shqiptarë. Dhe, e dyta, nëse shteti nuk i realizon këto kërkesa, ne do të ngremë padi deri te Gjykata e Strasburgut duke kërkuar drejtësinë atje”.

“Mendojmë dhe vlerësojmë se shqiptarët, të cilët kanë qenë të persekutuar, e meritojnë një trajtim të tillë, kur sot Maqedonia tenton të jetë pjesë e BE-së, po assesi nuk mund të bëhet pjesë e familjes evropiane me këtë bagazh - këtë ne nuk do ta lejojmë”, shprehet Arsim Sinani.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, konsideron se zgjidhja e kësaj çështjeje është e përfshirë në kuadër të Ligjit për lustrim, që është në procedurë parlamentare. Por, me zgjidhjet që parashihen në ligjin e propozuar, nuk pajtohet Shoqata e ish të Burgosurve Politikë.

Shoqata ka gjetur mbështetje të fuqishme nga ana e organizatave joqeveritare, ajo e Historianëve Shqiptarë, si dhe nga intelektualë të pavarur.

Kryetari i OJQ-së “Ilirikum Libertas”, Valon Kurtishi, sqaron arsyet e mbështetjes së kërkesave të ish të burgosurve politikë:

“Së pari është aspekti moral, human. Ata janë prindërit tanë, të cilët kanë vuajtur për të mirën tonë, kanë kaluar vitet më të mira në burgje, në mënyrë që ne sot sado kudo të jemi të barabartë në këtë shtet”.

“Çështja e dytë është çështja politike. Ish të burgosurit politikë maqedonas gjatë ish RSFJ-së kanë përfituar shumë privilegje pas pavarësimit të Maqedonisë, pra janë kompensuar nga shteti gjersa nuk kanë marrë kurrfarë konpensimi ish të burgosurit politikë shqiptarë, mendojmë se është tërësisht e padrejtë që të anashkalohen at
a”.

Ndryshe, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë do ta padisë Qeverinë e Maqedonisë, si trashëgimtare e ish RSFJ-së, me ç’rast, krahas kompensimit dhe zhdëmtimit material, kërkon edhe beneficionet sociale, duke ua njohur stazhin dhe të gjitha të drejtat që dalin nga obligimet dhe detyrimet për këtë kategori viktimë e ish-regjimit.
XS
SM
MD
LG