Ndërlidhjet

Maqedoni: Bllokimi i integrimit përkeqëson ekonominë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Bllokimi i procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, përveç në sferat tjera, reflektohet në masë të madhe edhe në ekonomi, thonë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të partive opozitare.

Pa një stabilitet politik që do të arrihej me anëtarësimin e vendit në NATO, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, thotë Pero Dimshovski, ish-sekretar shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane.

“Kjo do të reflektohet në varfërimin e mëtejmë të vendit, me largimin e njerëzve nga vendi, do të kemi një ngecje të madhe, e cila, edhe sikur tani të zgjidhim çështjen e emrit dhe të fillojmë negociatat, do të na duhen 5 deri në 7 vjet që të kapim zhvillimin ekonomik të vitit 2006”.

“Ne humbim shumë në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm të vendit, madje jo vetëm në ekonomi, por edhe në zhvillimin e demokracisë, e kështu me radhë. Pra, çmimin e gjithë kësaj e paguajmë ne dhe askush tjetër”, vlerëson Dimshovski.

Abylmenaf Bexheti, ekspert i ekonomisë, thotë se mbetja e vendit jashtë strukturave euroatlantike, nuk do të reflektohet në gjendjen ekonomike, pasi, sipas tij, më keq nuk ka se ku të shkojë.

Maqedonia, shprehet ai, tashmë është fundosur ekonomikisht dhe dëshmi për këtë janë të dhënat për investimet e huaja që asnjëherë nuk kanë qenë më të ulëta se tani.

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë impakt të befasueshëm ekonomikisht, me përjashtim të vazhdimit të izolimit të mëtutjeshëm ndërkombëtar, madje dhe në dimensionin ekonomik. Në aspektin e investimeve të huaja direkte, ato edhe ashtu nuk kanë se ku të shkojnë më poshtë, janë në nivelin me të ulët të historisë ekonomike të Maqedonisë”.

“Realisht, në këtë bazë nuk parashoh ndonjë ndryshim apo keqësim shumë të madh, pasi gjendja ekonomike edhe ashtu është shumë e keqe. Ne kemi arritur në nivelin e 200 milionë dollarëve investime në vit - kurrë më pak nuk kanë qenë”, thotë Bexheti.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase drejton një sërë akuzash në adresë të Qeverisë, në veçanti për futjen e vendit në borxhe të shumta, që sipas LSDM-së, në katër vjetët e fundit kanë arritur në 900 milionë dollarë.

Në mungesë të strategjisë për integrimin e vendit dhe fillimin e tërheqjes së investimeve nga jashtë, Qeveria, sipas LSDM-së, përmes politikës së borxheve, po tenton që ta mashtrojë opinionin.

“Kjo është një politikë, e cila krijon iluzionin se gjoja kjo qeveri ka suksese, por kjo do të zgjasë derisa të ketë dikush nga jashtë që do të na japë para hua, por kur kjo të ndërpritet, atëherë pushteti do të përballet me realitetin e hidhur që do të jetë edhe shumë i dhimbshëm”, deklaron Zoran Jovanovski.

Por, ndryshe nga opozita, drejtuesit e pushtetit thonë se Maqedonia ka arritur të stabilizojë ekonominë e saj, pavarësisht krizës ekonomike që ka goditur shumë vende të Evropës.

“Maqedonia dhe ekonomia e saj në pesë vitet e fundit ka shënuar rezultate shumë të mira në krahasim me ato të shteteve fqinje, në veçanti me Greqinë”.

“Në këtë kuadër në presim se edhe në të ardhmen të kemi stabilitet dhe rritje ekonomike”,
ka deklaruar ministri i Financave, Zoran Stavreski, duke theksuar kriza ekonomike botërore domosdo është reflektuar edhe në Maqedoni, por jo në përmasa të mëdha.

Por, në anën tjetër Qeveria tashmë ka ndryshuar parashikimet për rritjen ekonomike.

Nga 4.5 për qind sa ishte paraparë me buxhetin e miratuar në fund-vitin e kaluar, ky parashikim është ulur në 2.5 me tendencë të uljes së mëtejmë, ndërsa është vendosur edhe për një rishikim të buxhetit në drejtim të shkurtimit të fondeve në më shumë sfera.

E, gjithë kjo sipas ekspertëve dhe partive opozitare, flet qartë se gjendja ekonomike në Maqedoni edhe për një kohë të gjatë nuk do të mund të përmirësohet, ndërsa këtë e ndërlikon edhe më shumë bllokimi i procesit të integrimit.
XS
SM
MD
LG