Ndërlidhjet

Google raporton për rritje të censurës


Google
Google
Në raportin e saj më të ri, kompania Google thotë se ka pasur rritje të përpjekjeve të qeverive gjatë vitit 2011, për të larguar përmbajtjen e saj nga Interneti.

Raporti vë në pah se shumë kërkesa për heqjen e përmbajtjes, sidomos të videove, kanë ardhur nga demokracitë perëndimore dhe jo vetëm nga vendet që njihen për censurë.

Publikimi thotë se rregullatorët e Spanjës i kanë kërkuar motorit të kërkimeve Google largimin e 270 linqeve që përmbanin artikuj kritikë të gazetave dhe blogerëve për figurat publike.

Sipas raportit, autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar largimin e 187 materialeve për arsye të ndryshme, ndërsa Google ka përmbushur 42 për qind të këtyre kërkesave.

Gjiganti i internetit thotë se nuk ka plotësuar kërkesat e Pakistanit për heqjen e gjashtë videove që satirizojnë zyrtarët qeveritarë.

Nga Qeveria britanike, atij i është kërkuar të heqë pesë video të YouTube-it, për të cilat është thënë se nxisin terrorizëm. Në këtë rast, Google është pajtuar.

Në kërkesën e Turqisë për të larguar 149 video të YouTube-it, që thuhej se fyenin themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, Google është përgjigjur duke i bërë të pamundshme pamjet vetëm në Turqi.

Ukraina, Jordania dhe Bolivia për herë të parë kanë kërkuar largimin e disa materialeve, nënvizon raporti për transparencën i kompanisë Google.

Po sipas tij, Polonia ka kërkuar që të hiqet një artikull kritik i agjencisë polake për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe tetë linqe të tjera që çojnë në artikull, por kërkesa nuk është plotësuar.

Google ka refuzuar edhe kërkesën e zyrtarëve kanadezë për të larguar një video të YouTube-it, e cila paraqet një qytetar duke urinuar mbi pasaportën e tij.

Disa pamje të YouTube-it që thuhet se fyejnë mbretërinë e Tajlandës kanë bërë autoritetet e këtij vendi t’i kërkojnë kompanisë Google heqjen e 149 videove dhe ajo ka zhdukur 70 për qind të tyre.

Raporti thotë se nuk ka shënuar asnjë kërkesë nga Rusia gjatë vitit 2011.

Derisa raporti ofron detaje për një numër vendesh, ai nuk ofron të tilla për vendet si Kina, ku kontrollet e ashpra të Internetit bllokojnë vetë përmbajtjet dhe eliminojnë nevojën për të kërkuar nga Google.

Fred von Lohman, këshilltar i lartë në Google, ka thënë se kompania, gjatë vitit të kaluar, ka pranuar 3.3 milionë kërkesa nga firma, individë privatë dhe të tjerë për largimin e përmbajtjeve. Ajo, sipas tij, ka përmbushur 97 për qind të tyre.

Google është një korporatë shumëkombëshe me seli në SHBA, e cila ofron shërbime dhe produkte që lidhen me Internetin, përfshirë kërkime, softuerë, reklama e të tjera. Të ardhurat nga reklamat gjenerojnë pothuajse të gjitha fitimet e kompanisë.

Google është themeluar fillimisht si kompani private, në shtator të vitit 1998, ndërsa oferta e saj e parë publike ka pasuar më 19 gusht të vitit 2004.

Misioni i kompanisë është “të organizojë informacionet botërore dhe t’i bëjë ato të arritshme dhe të dobishme për gjithë botën”. Slogani jozyrtar i kompanisë është “Mos ji i keq”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG