Ndërlidhjet

A është i mundur koalicioni shqiptaro-maqedonas?


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Partitë politike shqiptare në opozitë nuk komentojnë prononcimet e një dite më parë të liderëve të opozitës maqedonase, se dëshirojnë të bashkëpunojnë edhe më opozitën shqiptare në qëllimin e, siç kanë deklaruar, largimit nga pushteti të qeverisë “katastrofale” që udhëhiqet nga kryeministri, Nikolla Gruevski.

Ish kryeministrat, Branko Cërvenkovski dhe Lubço Georgievski thanë se bashkëpunimi eventual edhe me partitë politike shqiptare duhet të vendoset në parime të njëjta, pa kushtëzime dhe nënçmime, por në arritjen e synimeve të njëjta.

Derisa partitë opozitare preferojnë të heshtin, analistët politikë, nga ana tjetër, thonë se bashkëpunim mes partive shqiptare dhe maqedonase do të ketë, por jo edhe koalicion, kjo për shkak të dallimeve që ato kanë për çështjet etnike.

Megjithatë, analisti Xhelal Neziri, thotë se një formë e koalicionit duhet të vendoset.

Ka pika të përbashkëta, siç është zhbllokimi i procesit integrues, rritja ekonomike dhe zbutja e papunësisë, por prapë ka vija ndarëse midis partive në aspektin etnik. Megjithatë, mendoj se për të mënjanuar hipokrizinë partiake të partive në Maqedoni, të cilat, koalicionet i zyrtarizojnë vetëm kur janë në qeveri dhe jo edhe në opozitë, duhet të zyrtarizohet edhe ky koalicion, jo koalicion i paraqitjes së njëjtë për të gjitha çështjet, por, së paku të ketë një koalicion për të gjitha çështjet për të cilat pajtohen partitë e opozitës”, thotë Neziri.

Ismet Ramadani, ish deputet, thekson se koalicion shqiptaro-maqedonas është vështirë të ketë, por bashkëpunimi mes tyre është më se i nevojshëm, dhe këtë, sipas tij, e dëshmon edhe veprimi i dy ish kryeministrave të cilët për vite më radhë kanë qenë kundërshtarë politik.

Unë mendoj se nuk mund të ndodhë ndonjë koalicion midis partive maqedonase dhe shqiptare në opozitë, mirëpo është më se e sigurt se në disa çështje do të bashkëpunojnë e sidomos në përkrahje të njëra tjetrës në zgjedhjet lokale. Pra, krijohet një përgjegjësi në opozitë e cila i tejkalon dallimet vetëm e vetëm për t'u bashkuar dhe për të ndryshuar gjendjen në Maqedoni”, thotë Ramadani.

Ndërkohë duke komentuar bashkëpunimin e Cërvenkovskit dhe Georgievskit, dy armiqve shumëvjeçarë në skenën politike, profesori Jove Kekenovski thotë se mbështetësit edhe të njërit opsion edhe të tjetrit nuk do të reagojnë, por edhe sikur të ketë kundërshtime për shkak të ideologjive të ndryshme që kanë dy blloqet, kjo do të kapërcehet me arsyetimin se “bashkimi bëhet për të shpëtuar Maqedoninë”.

Në këtë moment mendoj se bëhet fjalë për pragmatizëm të zhveshur, përkatësisht edhe Cërvenkovski edhe Georgievski vlerësojnë se e keqja më e madhe për Maqedoninë është Gruevski dhe rrethi i tij, se sa të bëhet një koalicion i dy palëve kundërthënëse, apo i njerëzve të cilët deri dje ishin armiq më të mëdhenj”, thotë Kekenovski.

Përveç me partinë VMRO-Popullore të Lubço Georgievskit, LSDM-ja e Cërvenkovskit bashkëpunim parazgjedhore ka vendosur edhe më disa parti tjera opozitare maqedonase. Lëvizjet e këtilla politike ndodhin 10 muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
XS
SM
MD
LG