Ndërlidhjet

Maqedonia po zhytet në krizë ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Viti 2012 mund të paraqesë kohën kur Maqedonia pëson fiasko, sa i përket shfrytëzimit të fondeve evropiane, thekson drejtuesja e Qendrës Maqedonase për Edukim Evropian, Lidija Dimova.

Ajo nënvizon se institucionet janë treguar të paafta të konkurrojnë për shfrytëzimin e fondeve që Bashkimi Evropian i ofron si ndihmë për shtetet aspirante për të përforcuar kapacitetet institucionale.

Respektivisht nga 620 milionë eurot që ka në dispozicion për periudhën kohore 2007 - 2013, Maqedonia ka shfrytëzuar deri më tani vetëm rreth 90 milionë euro.

Dimova, si problem kryesor apostrofon mospasjen e vullnetit politik dhe kapaciteteve institucionale dhe administrative.

Realisht ne jemi në një situatë shumë të papëlqyeshme, ku shuma të mëdha që janë dedikuar për Maqedoninë do të kthehen në buxhetin e BE-së për arsye se këto para nuk mund të dedikohen për diçka tjetër dhe nuk ka rebalancë të buxhetit. Probleme ekzistojnë në të gjitha pesë komponentet ku dedikohen këto mjete, siç janë ndërtimi i institucioneve, bashkëpunimi ndërkufitar, zhvillimi rajonal, ai rural dhe zhvillimi i burimeve njerëzore”, bën të ditur Lidija Dimova.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen autoritetet qeveritare, duke nënvizuar se në vazhdimësi punohet në zmadhimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e programeve IPA.

Teuta Arifi, zëvendëskryeministre për çështje të integrimeve, thotë se sektori që drejton, rëndësi të veçantë i kushton po kësaj çështjeje, ngase projektet janë me afat disavjeçar, andaj dhe rezultatet e punës nuk mund të shihen menjëherë.

Sipas saj, shfrytëzimi i IPA fondeve arrin të realizohet me kapacitet deri në 60-70 për qind gjatë këtij viti.

Arifi thotë se më 2013, bashkëpunimi me Kosovën do të rritë kapacitet e shfrytëzimit të fondeve evropiane, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit rajonal.

Më duhet të theksoj se BE për këtë vit ka çmuar kapacitet e Maqedonisë për të shfrytëzuar fondet evropiane. Gjatë vitit 2013, shpresoj të jetë edhe më i suksesshëm, duke mos harruar faktin se Maqedonia bashkë me Kosovën është nga shfrytëzuesit më të mëdhenj nga vendet e rajonit dhe aplikimeve“, thekson Arifi.

Ajo beson që “mjetet nga Komponenti dy nga IPA, të dedikuara për bashkëpunim ndërkufitar, dukshëm do të kontribuojë të përmirësoheshin kushtet e jetesës së qytetarëve në zonat kufitare të të dyja vendeve”.

Ndryshe, sa i përket kapaciteteve të shfrytëzimit të fondeve evropiane krahasuar edhe vendet e rajonit , Maqedonia shënon trend negativ.

Ekspertët e kësaj lëmie theksojnë se nevojitet që qeveria të përforcojë kapacitetet e institucioneve, përkatësisht të aftësohet administrata, të përkthehen dokumentet e nevojshme dhe të informohen institucionet përkatëse se cila është forma e aplikimit.

Fani Karanfillovska, nga Instituti Shoqëri e Hapur – SOROS, thotë se problem kyç paraqet dhe mosaftësimi i kuadrit që do të merrej me këtë çështje.

Ne hasim institucione ku për çdo vit ndryshohen njerëzit të cilët angazhohen për të hartuar dhe ndjekur punën e realizimit të projekteve nga fondet IPA. Pra, është e patolerueshme se ne si shtet nuk ndërtojmë një memorie institucionale, të mësojmë nga gabimet dhe të përfitojmë nga përvoja. Por udhëheqësit e sektorëve si në pushtetin lokal, ashtu dhe në atë qendror, emërohen përmes çelësit partiak, gjë që çon në dështimin e këtyre projekteve”, thekson Karanfillovska.

Ndërkohë, arka shtetërore, si pasojë e rënies në vazhdimësi të fuqisë konsumuese, mbushet nga huamarrja e bankave të brendshme, me ç’rast borxhi i brendshëm gjatë muajit maj ka arritur 669 milionë euro, që është për 120 milionë më shumë krahasuar me muajin prill të po këtij viti.

Ekspertët thonë se nevojitet reagim i shpejtë nga ana e qeverisë, në të kundërtën pasojat do të jenë të pandreqshme.

Qeveria nuk ka një program të qartë, të qëndrueshëm me veprime konkrete se si duhet të dilet nga kjo krizë, gjersa ne si biznesmenë, gjithmonë themi se po në kohë krize mund të dëshmohen ata që dinë si duhet zhvilluar proceset zhvillimore ekonomike, zgjidhje që assesi nuk paraqet huamarrja nga bankat e brendshme, për të mbuluar harxhimet e projekteve jokapitale”, thekson kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi.

Ai shton se veprimet e qeverisë aktuale, të cilat shënojnë trend negativ sa i përket zhvillimit ekonomik, nuk mund të justifikohen me krizën ekonomike evropiane.
XS
SM
MD
LG