Ndërlidhjet

Maqedoni: Nuk ka zgjidhje të shpejtë për emër


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë

Zyrtarët në Shkup kanë mirëpritur paralajmërimet nga Athina për takime të mundshme mes drejtuesve të të dyja vendeve, lidhur me kontestit për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Nga qeveria thonë se janë të gatshëm për takime që do të çonin në zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe BE, që tashmë disa vite mbetet e bllokuar nga moszgjidhja e problemit rreth emrit.

“Ne dëshirojmë takime të çfarëdo qoftë niveli, mes ministrave, kryeministrave të dy shteteve, apo për takime në nivel presidentësh. E mbështesim në mënyrë absolute këtë proces, jo vetëm të takimeve direkte, por edhe takimeve nën patronazhin e OKB-së për të përshpejtuar procesin e zgjidhjes së kontestit”, thuhet në reagimin e qeverisë lidhur me njoftimet në mediat greke për një takim të mundshëm mes kryeministrave Nikolla Gruevski dhe Antonis Samaras.

Ndërkohë, duke komentuar paralajmërimet e këtilla, Dimitar Mirçev, profesor universitar dhe këshilltar në kabinetin e presidentit të Maqedonisë, nuk beson që së shpejti mund të ketë takime të tilla, sikur edhe zgjidhje të problemit me emrin.

Mendoj se kësaj vere nuk do të ketë kontakte mes dy përfaqësuesve të të dyja vendeve. Absolutisht takimet e tilla janë shumë të rëndësishme, pasi në to do të përcaktohej dinamika e mbylljes së kontestit mes dy vendeve, por, besoj se nuk do të ketë takime ashtu siç nuk mund të ketë as zgjidhje të shpejtë të problemit, pavarësisht kontakteve që përfliten”, thotë Dimitar Mirçev.

Nga ana tjetër, Aljadin Demiri, ish diplomat dhe profesor universitar, thotë se Maqedonia alternativë tjetër përveç zgjidhjes së çështjes së emrit nuk ka, por, për këtë sipas tij, nevojitet vullnet dhe guxim politik, që për momentin nuk ekziston te qeveria aktuale, për shkak të politikave nacionaliste që vazhdojnë ta mbajnë në pushtet VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Gruevski.

Një gatishmëri e tillë tek ajo nuk ekziston, që do të thotë se kjo qeveri rrënohet nëse tani fillon t’i ndryshojë pozicionet për arsye se pozitat e kësaj qeverie dhe të VMRO-së u rritën pikërisht duke luajtur në këtë kartë të nacionalizimit dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar”.

Ç'është e vërteta këtu nuk bëhet fjalë për identitetin kombëtar por një ndarje të dy Maqedonive, mes të tanishmes dhe Maqedonisë antike. Por kjo qeveri e shfrytëzoi këtë si substancë nacionale, nacionaliste që të mbijetojë në skenën politike dhe në anën tjetër e mjegulloi problemin dhe e krijoi frikën te qytetarët se dikush dëshiron t’i zhbëjë maqedonasit”, shprehet Alajdin Demiri.

Ai thotë se problemin e ndërlikojnë edhe prononcimet dhe veprimet e qeverisë me projektin monoetnik “Shkupi 2014”, që përfshinë vendosjen në kryeqendrën e vendit të përmendoreve të shumta të personaliteteve nga Maqedonia antike apo edhe të emërtimit të rrugëve dhe shesheve të ndryshme me emra të asaj periudhe, gjë që shkakton reagime të shumta në Athinë.

Së fundi presidenti grek, Papuljas i kishte bërë thirrje Gruevskit që të heqë dorë nga maqedonizimi i vendit pasi rruga e anëtarësimit në BE dhe NATO do të ndërlikohet edhe më shumë.

Por, ndaj kësaj kishte reaguar kryeministri maqedonas duke thënë se ndjehej krenar me epitetin që i kishte dhënë presidenti grek, pasi sipas tij, nuk ka asgjë të keqe nëse lufton për mbrojtjen e emrit të shtetit dhe të identitetit kombëtar.
XS
SM
MD
LG