Ndërlidhjet

Thaçi e Cërvenkovski shtrënguan duart


Branko Cërvenkovski - foto nga arkivi
Branko Cërvenkovski - foto nga arkivi
Liderët e dy partive opozitare, Branko Cërvenkovski dhe Menduh Thaçi, shtrënguan duart pas thuajse 20 vjetësh të veprimit të tyre në politikë të përcjellë me akuza dhe ofendime nga më të ndryshme ndaj njëri-tjetrit.

Dy partitë që ata drejtojnë, LSDM dhe PDSH, të mërkurën edhe zyrtarisht vendosën koalicionin e parë parazgjedhor në historinë pluraliste të Maqedonisë mes një partie shqiptare dhe maqedonase.

Bashkëpunimi ndërmjet tyre ka të bëjë me ndihmën që do t'i japin njëra- tjerës gjatë zgjedhjeve lokale që do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm, por liderët e tyre theksuan edhe arsye tjera që ndikuan në arritjen e këtij koalicioni; gjendjen e vështirë ekonomike, mungesën e demokracisë dhe bllokimin e procesit integrues.

Lideri i LSDM-së, Cërvenkovski, ndërkohë theksoi edhe faktin se me PDSH-në, pavarësisht arritjes së koalicionit, vazhdojnë të kenë pikëpamje të ndryshme për çështjet tjera, në veçanti për Marrëveshjen e Ohrit që definon të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Një pjesë e dallimeve janë serioze dhe do të mbeten edhe në të ardhmen. Do të përmend një; atë lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për LSDM-në, çelësi për marrëdhënie të mira ndëretnike qëndron tek implementimi i plotë dhe i drejtë i Marrëveshjes”.

“Sipas asaj që patëm mundësi të dëgjonim nga ana e PDSH-së, ata konsiderojnë se ajo është e pamjaftueshme dhe nevojitet ndryshime dhe mbindërtim. Por, kjo nuk besoj se do të jetë pengesë që Maqedonia bashkohet kundër kësaj qeverie. Nga dita në ditë Fronti Opozitar bëhet më i gjerë, më i fuqishëm. Ky është proces që ka filluar dhe nuk ka të ndalur”, tha kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Nga ana tjetër, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se marrëveshja me LSDM-në vendos një kualitet të ri demokratik në Maqedoni, ndërsa garantoi qytetarët shqiptarë se çdo bisedë për çështjet e hapura me LSDM-në, do të jetë transparente në drejtim të, siç u shpreh ai, delegjitimimit të qeverisë aktuale.

Menduh Thaçi
Menduh Thaçi
“Është një kualitet i jashtëzakonshëm demokratik i ri në Maqedoni, transparenca e partive politike. Mendoj se marrëveshja për zgjedhjet lokale mes LSDM-së dhe PDSH-së e ka në vete transparencën. U garantoj qytetarëve, sidomos shqiptarëve, se edhe më tutje çdo gjë që do të bisedojmë dhe do të merremi vesh me LSDM-në, do të jetë tërësisht transparente”, theksoi Thaçi.

Thaçi komentoi edhe deklaratën e një ditë më parë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se koalicioni LSDM-PDSH është pasojë e frikës që mbretëron te kreu i PDSH-së nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme.

“Ndoshta mund të jetë edhe kështu, por unë kam një pyetje për të. Prej çfarë frikësohet ai që vazhdon të rrijë në koalicion me VMRO-në dhe Nikolla Gruevskin? Apo ai trimi i madh, i cili i nënshtrohet vetëm faljes që ia bëri Gruevski me Ligjin e amnistisë”, u shpreh Thaçi.

Liderët e dy partive nuk përjashtuan mundësinë e bashkëpunimit edhe me partitë tjera opozitare, përfshirë edhe RDK-në që drejtohet nga Rufi Osmani.

Koalicioni LSDM-PDSH u prit me reagime të ndryshme në opinion.

Vetë kryeministri Gruevski njëherësh kryetar i VMRO DPMNE-së e ka quajtur koalicion të intrigave, ndërsa mendime të ndryshme u shprehën edhe nga analistët politikë - disa e quajtën koalicion të panatyrshëm që nuk do t’i mbijetojë kohës, ndërsa të tjerë e mirëpritën me besimin se bashkëpunimi ndërmjet tyre do të ndikojë në uljen e tensioneve në vend.
XS
SM
MD
LG