Ndërlidhjet

Serbët të (pa)interesuar për Zyrën në veri


Ndërtesa e Zyrës Administrative në veri
Ndërtesa e Zyrës Administrative në veri
Qytetarët serbë nga veriu i Mitrovicës çdo ditë e më tepër i drejtohen Zyrës Administrative të hapur nga Qeveria e Kosovës për kryerjen e shërbimeve të ndryshme. Ndonëse publikisht, disa nga qytetarët serbë të anketuar thonë se nuk do t’i drejtohen këtij organi lokal, Adriana Hoxhiq e emëruar nga Qeveria e Kosovës në postin e shefes së Zyrës Administrative në Mitrovicë, thotë se kërkesat e qytetarëve serbë janë shtuar dhe janë nga më të ndryshmet.

Zyra Administrative, vijon Hoxhiq, po përpiqet që t’u dalë në ndihmë dhe t’i plotësojë kërkesat që janë në natyrën e punës së saj. Qytetarët telefonojnë apo vijnë në Zyre, qoftë të kërkojnë punë apo të interesohen për lëshimin e ndonjë dokumenti, apo ka edhe të atillë që interesohen për projekte të ndryshme, thotë ajo.
Njerëzit vijnë me projekte të ndryshme dhe probleme të ndryshme...

“Njerëzit vijnë me projekte të ndryshme dhe probleme të ndryshme. Kishim një rast kur një grua erdhi dhe kërkoi që t’i dalim në ndihmë një familjeje me nevoja për karriga invalidësh dhe ne arritën që t’u dalim në ndihmë atyre njerëzve në nevojë”, thotë Hoxhiq.

Zyra përbëhet nga shtatë departamente, të cilat merren me çështjet e granteve të vogla, shërbimeve publike dhe infrastrukturës. Ajo planifikohet të jetë themel i komunës së re të Mitrovicës së veriut, siç parashihet me Planin e presidentit Ahtisari.

Mirëpo, puna dhe funksionimi i kësaj zyre është shumë më i vështirë sesa në pjesët tjera të Kosovës për shkak se në veri, autoritetet e shtetit të Kosovës nuk kanë shtrirë ende kontrollin për shkak të pranisë së strukturave paralele serbe. Për sigurinë e kësaj zyre ka një mbikëqyrje të veçantë nga organet e rendit.

Kurse, në lidhje me akuzat e bëra nga Beogradi dhe strukturat paralele serbe se hapja e Zyrës Administrative paraqet një provokim për serbët nga ana e Qeverisë së Kosovës, Hoxhiq thotë se kjo nuk paraqet kurrëfarë problemim, pasi që qeveria edhe ashtu ka derdhur mjete për funksionimin e administratës ndërkombëtare në veri.

“Deri më tani Qeveria e Kosovës në mënyrën e njëjtë e ka financuar edhe administratën e UNMIK-ut në veri dhe kjo nuk ka qenë problem. E, pse tash kjo duhet të paraqesë problem”, shprehet Hoxhiq.

Disa qytetarë serbë nga veriu i Mitrovicës të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk do t’i shfrytëzonin shërbimet e Zyrës Administrative, pasi që ajo financohet nga Qeveria e Kosovës.

Nemanja Jakshiq thotë se me votën e tij në referendumin e organizuar nga strukturat serbe i ka thënë jo Republikës së Kosovës. Por, ai nuk i gjykon ata serbë, të cilët kanë nevojë për mjete që të sigurojnë ekzistencën e tyre.

“Ka njerëz që nuk kanë mjete të mjaftueshme për jetesë dhe unë nuk kam të drejtë të komentoj në emër të tyre. Fajin për këtë gjendje mund ta ketë Serbia, e cila këto katër vitet e fundit nuk ka financuar asgjë në Kosovë”, thotë ky qytetar.

Një qytetare me emrin Jellena Mirkoviq, thotë se shumica e serbëve nuk i pranojnë institucionet e Kosovës.
Natyrisht që gjithmonë ka individë që i pranojnë këto gjëra për shkak të ndonjë përfitimi material...

“Natyrisht që gjithmonë ka individë që i pranojnë këto gjëra për shkak të ndonjë përfitimi material, por qëndrimi i shumicës është se institucionet e të ashtuquajturit shtet i Kosovës në veri janë të papranueshme”, thotë Jellena Mirkoviq.

Ndonëse i kundërshtojnë institucionet e Kosovës, banorët serbë i kuptojnë edhe ata që punojnë në Zyrën Administrative. Të paktën kështu shprehet qytetari me emrin Millosh Jakovleviq.

“Unë nuk i gjykoj ata, ngase nuk ka punë”, shprehet Jakovleviq, duke i kuptuar ata që duan të gjejnë një vend pune.

Në Zyrën Administrative në veri janë të punësuar rreth 80 veta dhe për funksionimin e saj Qeveria e Kosovës ndan buxhet prej 4 milionë eurosh në vit. Sipas zyrtarëve, për t’u punësuar në këtë zyrë kanë konkurruar rreth 1000 veta, prej të cilëve afër 100 pjesëtarë të komunitetit serb.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG