Ndërlidhjet

Maqedoni: Rritet numri i votuesve të papërcaktuar


Ilustrim
Ilustrim
Analistët politikë, duke komentuar rezultatet e sondazheve të ndryshme, që flasin për një numër në rritje të të papërcaktuarve ku gjithnjë e më shumë del në pah se qytetarët po humbin nga dita në ditë besimin ndaj politikës dhe politikanëve, thonë se kjo është pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohen qytetarët.

Analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri, thekson se për momentin sa i përket situatës politike në Maqedoni, kemi të bëjmë me një monopol të uzurpimit të spektrit politik nga katër forcat politike ekzistuese VMRO DPMNE dhe LSDM, nga pala maqedonase dhe BDI dhe PDSH te shqiptarët.

Megjithatë, Demiri shprehet optimist se në zgjedhjet e ardhshme vendore më shumë se një treta e elektoratit, e cila është e përcaktuar, do të prishë balancën e pushtetit absolut të përqendruar në katër forca politike.

“Kësaj radhe unë mendoj se do të ndodhë ai dënim i partive politike për arsye se katër forcat e mëdha tashmë e kanë tepruar me koalicionet ekzistuese, që janë gjithnjë e më të panatyrshme, ku gjithnjë e më shumë partitë politike merren me vete dhe nuk çajnë kokën për problemet serioze me të cilat përballen qytetarët. Kjo është arsye që bën të besoj se dënimi i këtyre forcave politike do të vijë si pasojë e varfërimit të Maqedonisë, çështjes së pazgjidhur të emrit dhe problemeve ndëretnike”, thotë Demiri.

Po me këtë nuk pajtohet kolegu i tij maqedonas, Zdravko Savevski, sipas të cilit paradoks më vete është fakti se qytetarët shprehin mosbesim ndaj partive politike më të mëdha ekzistuese, dhe nga ana tjetër hezitojnë që votën t’ua besojnë opsioneve të reja politike siç ishte rasti së fundmi në Greqi, apo pak kohë më parë në Bullgari dhe Slloveni.

“Në Maqedoni kultura politike është e tillë , me ç’rast edhe pse qytetarët nuk janë të kënaqur nga oferta politike, vazhdojnë të votojnë për to dhe jo për parti, ose opsione të reja politike, të cilat mund të shfaqen. Për shembull, në Bullgari dy herë radhazi fitoi zgjedhjet partia, e cila për herë të parë u përfshi në procesin zgjedhor, pra kjo ndodhi më 2001 dhe 2009. Derisa në Slloveni doli fituese partia, e cila për herë të parë u shfaq në zgjedhje - një gjë e tillë duket se nuk ka vullnet për të ndodhur në Maqedoni”, thekson Savevski.

Sipas Savevskit, problem nuk paraqet sistemi zgjedhor, por mentaliteti i vetë qytetarëve.

“Sistemi zgjedhor relativisht është i volitshëm për partitë e vogla, por është mentaliteti i qytetarëve, të cilët kanë bindje se nëse votojnë për parti të vogla, atëherë do t`u digjet kot vota”, shprehet Savevski.

Duke analizuar rezultatet e hulumtimeve, Savevski thotë se i mbetet shumë punë sektorit civil dhe mediave për të punuar në këtë drejtim se nuk duhet zgjedhur mes së keqes më të vogël, por mes opsioneve që ofrojnë zgjidhje dhe nuk ofrojnë zgjidhje.

Nga ana tjetër, publicist Xhelal Neziri thotë se numri në rritje i të papërcaktuarve ka të bëjë me moshat e reja të trupit votues.

Abstinenca e tyre është si rrjedhojë e mospasjes perspektivë, veçanërisht për gjeneratat e reja në Maqedoni, si për shqiptarët, ashtu dhe maqedonasit.

“Mendoj se është harruar ajo pjesa e re e trupit votues. Ngase në çdo vit kemi votues të rinj, çdo vit dalin gjenerata, të cilat me 18 vite fitojnë të drejtën e votës dhe njëherësh kjo kategori e votuesve pothuajse nga asnjë forcë politike nuk është e përfillur në bërjen e fushatave zgjedhore”, shprehet Neziri.
XS
SM
MD
LG