Ndërlidhjet

Polemika mbi rënien e ekonomisë në Maqedoni


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Partitë në pushtet dhe opozitë kanë shprehur qëndrime të kundërta lidhur me njoftimin e një dite më parë se Maqedonia ndodhet në mesin e pesë ekonomive më të këqija në botë.

Lidhja Social-Demokrate e opozitës thotë se rangimi i prezantuar nga CNN është edhe një tregues për politikën e dështuar të Qeverisë për zhvillimin e ekonomisë dhe me këtë, uljen e papunësisë, pasi pikërisht kjo sferë është apostrofuar si më e keqe, në Maqedoni, ku mbi 30 për qind e popullatës janë të papunë.

Zoran Jovanovski, nga LSDM-ja, thotë se Qeveria duhet të ndryshojë qasjen e veprimit dhe të mos i harxhojë paratë për projekte të dështuara.

“Papunësia, pra, mbetet një çështje e pazgjidhur e këtij pushteti edhe gjashtë vjet nga qeverisja. Ajo gjatë kësaj periudhe nuk ka arritur të gjejë përgjigje për dy çështjet më të rëndësishme, për papunësinë dhe varfërinë. Për të ndryshuar situata, Qeveria duhet të heqë dorë nga qindra projekte tjera, që pretendon se janë të suksesshme dhe të përqendrohet në ato reale që janë papunësia dhe varfëria. Pra, gjithçka duhet të përqendrohet në këto dy çështje që të mund të vlerësojmë nëse politika e saj jep rezultate ose jo”, thotë Jovanovski.

Ai thekson nevojën e tërheqjes së investimeve, nga të cilat edhe vijnë vendet e reja të punës, por pa anashkaluar me këtë rast investitorët vendas, që edhe ka qenë praktikë e viteve të fundit.


Edhe Izet Zeqiri, deputet dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se raportet e këtilla pasqyrojnë gjendjen reale në Maqedoni, e cila, sipas tij, po përballet me gjendje të rëndë ekonomike dhe varfërim gjithnjë e më të madh të banorëve të saj.

“Është e vërtetë se Maqedonia ballafaqohet me probleme të mëdha ekonomike. Papunësia është mbi 31 për qind, çdo i treti banor i Maqedonisë jeton në varfëri domethënë 30 për qind e popullatës jeton në varfëri apo në prag të varfërisë, kemi rënie të ekonomisë, rënie të industrisë, zvogëlim të eksportit e kështu me radhë”.

“Të gjithë këta indikatorë makroekonomik flasin për një gjendje jostabile në ekonominë e Maqedonisë”, vlerëson Zeqiri.

Sipas Zeqirit, qeveria duhet të merret me problemet reale, pasi gjendja mund të vështirësohet edhe më shumë.

“Pa rritje të punësimeve, pa zvogëlim të varfërisë nuk do të ketë mundësi të zhvillimit ekonomik dhe të gjenerimit të një mundësie dhe vlerave të reja në Maqedoni”, thekson Zeqiri.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Qeverisë thonë se numri i të papunëve po ulet gradualisht si rezultat i masave të ndryshme që po ndërmerr Qeveria. Ministri i Punës, Spiro Ristovski, thotë se një ndër projektet e radhës, është ai i punësimit të rreth 4 mijë personave në administratë.

“Ne, si Qeveri, po bëjmë përpjekje maksimale që të përmirësojmë gjendjen dhe t’i lehtësojmë të gjitha procedurat për kompanitë, me qëllim të zhvillimit të biznesit të tyre, që do të reflektohej më pas edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Mendoj se këtu edhe do të përqendrohemi”, shprehet Ristovski duke mohuar ndërkohë informacionet në media të caktuara, për gjoja shlyerjen nga evidenca e Qendrës së Punësimit të mijëra personave me qëllim të prezantimit joreal të gjendjes me papunësinë në Maqedoni.

Përveç kësaj, nga Qeveria kanë paralajmëruar edhe punësimin sezonal të disa mijëra personave nga komunat e vendit, por opozita ka reaguar duke i quajtur punësimet e tilla si blerje të votave për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG