Ndërlidhjet

Protesta kundër valës së shtrenjtimeve


Ilustrim
Ilustrim
Në të gjitha qytetet e Maqedonisë, qytetarët e organizuar përmes rrjeteve sociale, do të protestojnë kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, karburanteve e ngrohjes qendrore, të cilat imponojnë dhe shtrenjtimin e produkteve ushqimore.

Alekasandar Goçev, një nga organizatorët e shoqatës “Aman”, e cila proteston kundër valës më të re të shtrenjtimeve, thotë se para Komisionit Rregullator tashmë i kanë shtruar kërkesat e qytetarëve, që veç tjerash përfshijnë: kthimin e tarifës së lirë të rrymës që vlente prej orës 13 deri në atë 16, energjia të tarifohet sipas çmimores së 2008-s; të hiqet paragrafi fuqi shtesë prej 33 për qind prej llogarive për energji elektrike; të kthehet pagesa për ngrohjen qendrore po në atë të vitit 2008, duke u shfuqizuar rregullorja e re për pagesën e ngrohjes qendrore, të zvogëlohen çmimet e derivateve të naftës në përputhje me standardin jetësor etj.

“Të revoltuar nga masat e Komisionit Rregullator për Energjetikë, ne, si grup qytetarësh të organizuar përmes rrjeteve sociale, vendosëm për procesin e vetëmbrojtjes nga shoku i çmimeve të larta, sepse mendojmë se vendimet e korporatave të energjisë elektrike, ngrohjes dhe karburanteve, mbledhin ‘haraç’ nga pagat edhe ashtu shumë të ulëta të qytetarëve të Maqedonisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Goçev.

Ai shton se protestat do të vazhdojnë çdo të martë, derisa të pranohen, siç shprehet Goçev, “kërkesat e popullit”.

“Po, fillimisht, do të presim reagimin e institucioneve që u drejtohet. Nëse marrim përgjigje pozitive dhe hyjmë në bisedime, atëherë shpresojmë se do t’ia arrijmë t’i realizojmë kërkesat tona”, shprehet Goçev.

Ndërkohë, Ruhi Bakiu, anëtar i Komisionit Rregullator për Energjetikë, thotë se është e drejtë e qytetarëve që ata të shprehin revoltë kundër shtrenjtimeve , të cilat siç thotë ai, janë si rrjedhojë e çmimeve në tregjet botërore.

“Ne, si organ shtetëror kemi marrë vendime legjitime, sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, si dhe tërheqjes së tarifës së lirë, e cila ka vlejtur për orarin e ditës. Është e drejtë edhe e qytetarëve që të protestojnë gjegjësisht të kundërshtojnë vendimet e institucioneve shtetërore në rastet kur ata goditen nga to, veçanërisht kur është fjala për çështjen e çmimeve që u ofrohen qytetarëve në formë të shërbimeve publike”, thekson Bakiu.

Bakiu apostrofon se për momentin nga ky Komision janë të pakënaqura kompanitë e energjisë elektrike, karburanteve dhe ngrohjes qendrore, sepse komisioni ka përcaktuar tarifë më të ulët nga ajo që kanë kërkuar, e edhe qytetarët se Komisioni megjithatë ka vendosur për shtrenjtime të reja.

“Në të njëjtën kohë kemi ankesa edhe nga ana e kompanive, të cilave ua kemi caktuar çmimet për shitjen e shërbimeve të tyre, dhe njëkohësisht kemi ankesat e qytetarëve se këto çmime u duken të larta. Kjo është si pasojë e standardit të lartë për jetesë dhe në anën tjetër pagat janë shumë të ulëta në Maqedoni, gjegjësisht kemi edhe një shkallë të lartë të papunësisë që i bën të papërballueshme koston e faturave”, shton Bakiu.

Ndryshe, pas shtrenjtimit të energjisë elektrike, karburanteve dhe ngrohjes, tregtarët e Maqedonisë kanë paralajmëruar shtrenjtimin e të gjitha produkteve që shiten me pakicë nga muaji shtator.

E, ekspertët e ekonomisë shpëtimin nga tarifat e larta për rrymë, karburante dhe ngrohje, e shohin në privatizimin apo kapitalizimin e sektorit të përgjithshëm energjetik, i cili është në pronësi shtetërore, ata njëherësh sugjerojnë të investohet në burime të përmbajtshme të energjisë, si ajo gjeo dhe termo, energjinë e erës dhe energji solare.
XS
SM
MD
LG