Ndërlidhjet

Shkup: Partnerët me qëndrime të kundërta


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin për miratimin e një ligji të ri për zhdëmtimin e të gjithë pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001 dhe tashmë draft-ligjin e hartuar e kanë dorëzuar në procedurë parlamentare.

Ndërkohë, nga BDI-ja përsëritën edhe të enjten qëndrimin se miratimi i një ligji të tillë përjashtues për ish-pjesëtarët e UÇK-së, do të nënkuptonte edhe fundin e koalicionit qeveritar me partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Mbështetje BDI-së në kundërshtimin e miratimit të këtij ligji, i dha PDSH-ja opozitare. Lideri i saj, Menduh Thaçi, pas takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Filip Riker, tha se partnerët e koalicionit janë tallur shumë me çështjet e ndjeshme ndëretnike, por, pavarësisht kësaj, tha se është i gatshëm të bisedojë me BDI-së, nëse zgjedhjet e parakohshme shihen si zgjidhje e problemit.

“Unë, seriozisht do t’i mbështes tentimet e BDI-së për ta parandaluar miratimin e këtij ligji shumë të keq dhe seriozisht nëse ata mendojnë se ky proces mund të bllokohet përmes zgjedhjeve të parakohshme, jam i gatshëm që të ulemi të bisedojmë dhe të shohim se si të dalim prej kësaj situate".

"Variante të tjera nuk preferoj dhe nuk i bëj. Shumë shaka kanë bërë mes vete, mirëpo shakatë në kuadër të raporteve ndëretnike zakonisht janë të rrezikshme dhe të turpërojnë”,
deklaroi Thaçi.

Lidhur me krizën qeveritare të enjten u prononcua edhe lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski. Ai pas një takimi që realizoi me zëvendës-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Filip Riker, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, edhe pse gjithë situatën e krijuar në raportet mes partnerëve e cilësoi të orkestruar.

Sipas Cërvenkovskit, më shumë se dhjetë herë ka pasur situata të tilla të kërcënimeve që në fund kanë përfunduar, siç shprehet ai, me pazare politike dhe përqafime vëllazërore mes partnerëve qeveritarë.

“Por, nëse vërtet ekziston një përcaktim i sinqertë për zgjedhje, atëherë duhet që ato të mbahen në muajin mars së bashku me zgjedhjet lokale”, u shpreh Cërvenkovski.

Ai bëri të ditur se me diplomatin e lartë amerikan, Filip Riker, ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend, si dhe për nevojën e zhbllokimit të procesit integrues që po mbahet peng nga partnerët qeverisës, të cilët, tani po e zhvendosin vëmendjen jo vetëm nga integrimi, por edhe nga problemet tjera ekonomike e sociale, duke krijuar tendosje në raportet ndëretnike.

Nga ana tjetër, edhe njohësit e zhvillimeve politike, situatën e fundit mes partnerëve qeveritarë e shohin si lojë për të përfituar pikë politike.
Sipas Hasan Jasharit, në pozitë më të disfavorshme në këtë rast është Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Mendimi im është se ligji për ‘branitellat’ është bërë me qëllim që partitë politike t'u ofrohen zgjedhësve të tyre. Ata do të veprojmë sipas logjikës, secili me votuesit e vet, por derisa VMRO-ja ka qenë më e afërt dhe ka zbatuar programin e saj partiak, BDI-ja, nga ana tjetër, i ka lëshuar punët nga dora dhe mundohet tani që të kompensojë diçka nga kjo”.

“Mirëpo, vlerësoj se është tepër vonë. Do të ketë kërcënime mirëpo nuk është garanci solide se ajo mund të arrijë diçka”,
vlerësoi Jashari duke shtuar se gjithçka do të sqarohet shumë shpejt, pasi situata të këtilla të kërcënimeve tashmë ka pasur disa herë nga ana e BDI-së, si për zgjidhjen e statusit të ish-UÇK-së, ashtu edhe për procesin integrues.

Ndryshe, kërcënimeve të BDI-së të mërkurën u është përgjigjur kryeministri Gruevski duke thënë se VMRO-DPMNE është e gatshme për zgjedhje në rast se partia e Ahmetit braktis Qeverinë pas miratimit të ligjit për pjesëtarët e forcave të sigurimit.

Një propozim i tillë ishte hartuar nga partia e tij, si reagim ndaj veprimit të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, i cili, së bashku me disa eprorë shqiptarë ishte përkulur para një memoriali të UÇK-së.

Por, akti i tillë i Besimit është përshëndetur nga Ambasada Amerikane dhe ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, duke e vlerësuar si një veprim që do t’i ndihmonte pajtimit ndëretnik.

Ministri Fatmir Besimi më parë kishte nderuar edhe ushtarët maqedonas të rënë në konfliktin e vitit 2001.
XS
SM
MD
LG