Ndërlidhjet

SHBA-Maqedoni: Bashkëpunim kundër kriminalitetit


Ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers, ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers, ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Maqedoninë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers, pas nënshkrimit të marrëveshjes për zbatimin e ligjit me ministrin e Drejtësisë, Blerim Bexheti, dhe ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Marrëveshja kryesisht i dedikohet ndihmës së gjithanshme për sektorët e ndryshëm të drejtësisë që vlerësohen edhe si hallkat më të dobëta në luftën kundër dukurive negative.

“Pavarësia e gjykatave, mediat e lira dhe të pavarura dhe shoqëria e fuqishme qytetare, janë të një rëndësie vitale për të gjitha demokracitë, andaj edhe SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partner i fuqishëm në zhvillimin e tyre në Maqedoni”.

“SHBA-ja ka detektuar dhe përshëndet hapat që ka ndërmarrë Maqedonia për përmirësimin e kornizës ligjore përmes ligjit të ri për procedurë penale dhe masave tjera për rritjen e efikasitetit gjyqësor, si dhe të policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Përpjekjet për rritjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor janë në rrjedhë e sipër”
, është shprehur ambasadori Uollers.

Sipas tij, me zbatimin e së drejtës, mund të arrihet sukses në zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në përputhje me standardet euroatlantike.

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA-në, për zbatimin e ligjit, e ka vlerësuar si një ditë të veçantë për institucionet gjyqësore të Maqedonisë.

“Dita e sotme shënon vazhdimësinë e bashkëpunimit tonë me Qeverinë amerikane në fushën e së drejtës penale. Ju siguroj që zbatimi i aktiviteteve të përshkruara në pëlqimin që kam nënshkruar vetëm sa do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve tona për të luftuar krimin e organizuar dhe të korrupsionit, i cili njëherësh është edhe prioritet yni”, ka deklaruar ministri Bexheti.

Ndërkohë, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka thënë se forcimi i kapaciteteve të institucioneve është me rëndësi jetike për luftimin e dukurive negative, andaj marrëveshja, sipas Jankullovskës, do të ndikojë në arritjen e këtij qëllimi të Qeverisë së Maqedonisë.

“Sundimi i ligjit është interesi kryesor i shtetit maqedonas dhe i qytetarëve të tij. Jam më se e bindur se në periudhën në vazhdim të gjitha këto mbështetje në donacione dhe në ndihmën profesionale, do të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme nga Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë Jankullovska.

Ndryshe, forcimi i kapaciteteve të institucioneve me qëllim rritjen e sundimit të së drejtës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është theksuar në vazhdimësi edhe në raportet e Komisionit Evropian për Maqedoninë, e cila, pavarësisht miratimit të rregullativës ligjore ngec në aspekt të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
XS
SM
MD
LG