Ndërlidhjet

SO: Ç'duhet bërë me shtëpinë e Hitlerit?


Piktura të Adolf Hitlerit
Piktura të Adolf Hitlerit
Një debat ka përfshirë qytetin e vogël austriak të Braunaut, në lidhje se me çfarë duhet bërë për ndërtesën ku kishte lindur Adolf Hitleri dhe kjo temë është ngritur sot edhe nga mediat gjermane.

Kryebashkiaku i kësaj qyteze tha javën e kaluar se dëshiron që ai vend të bëhet me apartamente banimi, por shumë të tjerë do të dëshironin ta shihnin këtë ndërtesë si memorial.

Spiegel Online shkruan se "ndërtesa, për momentin, është e zbrazët. Së fundmi ajo ishte përdorur si vendstrehim nga organizata jofitimprurëse për persona me aftësi të kufizuara. Por këta u larguan një vit më parë, dhe që nga atëherë, shumë pak gjëra kanë ndodhur në Salzburger Vorstadt 15".

Qyteza ndodhet në kufirin e Austrisë me Gjermaninë dhe në të, 123 vite më parë, u lind Adolf Hitler.

Johannes Waidbacher, që është kryebashkiaku i Braunaut, në një intervistë për një gazetë ditore të Austrisë, e të cilën e transmeton Spiegel Online, kishte thënë që “ideja më e mirë është që kjo ndërtesë të shndërrohet në vendbanim”

Waidbacher nuk u ndal me aq. Tha që "është i hapur për ide të tjera", duke shtuar se "duhet shtruar edhe pyetja se a ka nevojë edhe për një tjetër përkujtim të Holokaustit, kur ka aq shumë të tilla”.

Edhe ashtu jemi të njollosur. Hitleri kaloi tre vjetët e para të jetës së tij në qytetin tonë. Duhet thënë se është shumë e sigurt që nuk kanë qenë vitet e formimit të karakterit të tij shkatërrues, dhe duke e marrë për bazë këtë, ne në Braunau nuk jemi të përgatitur të marrim përgjegjësi për Luftën e Dytë Botërore”.

Megjithatë, kjo media gjermane shkruan se ka shumë të atillë që besojnë se injorimi i historisë nuk i bën mirë askujt.


“Një temë e rëndë”


Pa dyshim, reagimet e bën Waidbacher-in të heqë dorë nga preferenca e tij që ta shndërrojë ndërtesën në vendbanim.

Ndërtesa, në pronësi private, është marrë me qira nga Ministria Austriake e Brendshme.

"Duke pasur parasysh vrasjen sistematike të njerëzve me aftësi të kufizuara nga Hitleri, gjatë Rajhut të Tretë, shumë e shihnin ndërtesën si të përshtatshme, meqë ishte vendi ku u lind ai, të bëhej një vend i përkushtuar për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara", shkruan Spiegel Online.

Por nga koha që organizata është larguar, shumë njerëz janë duke konsideruar propozimin e bërë nga historiani i vendit Andreas Maislinger, i cili ndihmoi në themelimin e Shoqërisë së Historisë Bashkëkohore të Braunaut në vitin 1993.

Ai citohet nga Spiegel Online të ketë thënë se "është normale që njerëzit në Braunau nuk donë të mendojnë gjatë gjithë kohës për Hitlerin".

"Nëse e shikojmë Berlinin, njerëzit atje nuk duken që mendojnë për faktin që Hitleri i ka marrë të gjitha vendimet e tij atje. Është një qytet u madh. Por, në qytete të vogla, si Dachau për shembull, është më e vështirë, e të mos flasim për Braunaun, që është vend edhe më i vogël. Besoj që ka shumë njerëz që pajtohen me konceptin tim
".


“Diçka duhet të ndodhë”


Ndërtimi, pjesë e një koleksioni të strukturave të vjetra, të cilat kanë gëzuar statusin e mbrojtur që nga fillimi i shekullit të 20-të, nuk është duke shkuar askund, pavarësisht propozimeve periodike që “thjesht të rrëzohet”.

Në kohën e lindjes së Hitlerit, ishte një shtëpi-konvikt, dhe atëbotë, Alois, babai i tij dhe nëna Klara, nuk qëndruan aty për kohë të gjatë, duke shkuar në Passau në vitin 1892.

Maislinger, megjithatë, është optimist se në fund të fundit "diçka duhet të ndodhë me shtëpinë”, duke thënë se nuk mund të mbetet bosh siç është dhe se pronësia mbi të është një prej përgjegjësive që duhet definuar.(g.k.)



Video: Pamje të shtëpisë në Braunau
XS
SM
MD
LG