Ndërlidhjet

Maqedoni: Mocion për qeverinë Gruevski


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Partitë e frontit opozitar vlerësojnë se iniciativa e partisë më të madhe maqedonase LSDM për të ngritur mocion për votëbesimin e qeverisë Gruevski, është një mundësi e mirë për të nxjerrë në pah lojën mes partnerëve të koalicionit qeveritarë, VMRO - DPMNE dhe BDI.

Kjo lojë, siç konsideron opozita, bëhet për përfitimin e poenëve politik para mbajtjes së zgjedhjeve, duke krijuar krizë në komisionin për punë dhe politik sociale me bllokimin nga ana e partisë shqiptare në pushtet, të ligjit për ish pjesëtarët e forcave shtetërore të sigurisë të përfshira në konfliktin e vitit 2001.

Qëllimi i interpelancës është që përfundimisht të hiqet kjo mjegull e krijuar nga partitë politike që janë pjesë e qeverisë, 10 gjegjësisht 15 ditët e fundit. Saktësisht të shihet se çka përmban në vetë mosmarrëveshja mes partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. Ngase ne vlerësojmë se është hipokrizi që në njërën anë pikërisht të dy partitë funksionojnë në mënyrë të shkëlqyer kur duhet t’i ndajnë privilegjet e qeverisjes, dhe nga ana tjetër kur duhet të marrin përgjegjësi sa i përket zgjidhjes së problemeve aktuale, ata parapëlqejnë të ruajnë rejtingun duke përkeqësuar raportet ndëretnike”, thekson Tito Petkovski nga Partia e Re Socialdemokrate.

Ndërkohë që partitë politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI kanë parapëlqyer të mos e komentojnë kërkesën e opozitës për interpelancë të qeverisë.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani shkurt ka theksuar se partia e tij fillimisht do të analizojnë arsyet që do të parashtrojë opozita për mosbesimin e qeverisë.

Deri në këtë moment ne nuk kemi marrë ndonjë mocion për votëbesim, dhe mendoj se nuk është serioze t`i komentojmë paralajmërimet, do të presim që ky mocion të dozohet formalisht në parlament dhe atëherë do të dalim me qëndrim konkret”, u shpreh Osmani.

Ndryshe, partia shqiptare në pushtet disa herë ka theksuar se nuk do ta braktisë qeverinë, por në formë institucionale do të përpiqet të bllokojë ligjin për ish pjesëtarët e forcave shtetërore të sigurisë, ligj ky, që për ta është kontestues, sepse përjashton privilegje edhe për pjesëtarët e UÇK-së.

Nga ana tjetër, analistët politik konsiderojnë se mocioni për votëbesim është mundësi e mirë për të parë se kriza politike është parlamentare, ashtu siç shprehen partitë që janë pjesë e koalicionit apo mosmarrëveshjet janë më të thella.

Ky mocion definitivisht do t`i sqarojë pozitat e partnerëve të koalicionit qeveritarë, do ta qartësojë çështjen e krizës. Thjesht me këtë veprim LSDM partnerët e koalicionit do t`i vë në pozitë që t’i qartësojnë para opinionit marrëdhëniet e funksionimit mes tyre si qeveri”, theksoi Albert Musliu, analist politik.

Sipas tij, ky mocion për votëbesimin e qeverisë Gruevski nuk do të kalojë lehtë, madje sipas tij edhe mund të sjellë befasi për të gjithë akterët politikë në Maqedoni.

Mundësia e befasisë nga rrjedha e votimit ekziston, dhe gjithçka do të varet se si do të hyjnë në këtë situatë partnerët e koalicionit. A do të hyjnë me marrëveshje paraprake në atë mocion, apo do të hyjnë pa marrëveshje. Nëse hyjnë pa marrëveshje, të gjitha mundësitë janë të hapura”, u shpreh Musliu.

Ndryshe, lideri i opozitës maqedonase, gjatë vikendit ka theksuar se me votëbesimin e qeverisë synohet të demaskohet loja e partnerëve të koalicionit qeveritar BDI dhe VMRO-DPMNE-së , lojë kjo që siç është shprehur, bëhet për pikë politike në prag të zgjedhjeve.

LSDM-ja ka vendosur ta ndërpres këtë kaos, këtë lojë të rrezikshme me paqen, me marrëdhëniet ndëretnike, me kredibilitetin e institucioneve dhe shtetit. . E ndërmarrim këtë nismë pa ndonjë iluzion ose pritje se qeveria do të bie. Përkundrazi, qëllimi jonë është që deri në fund të zbulohet, të zbardhet kjo shfaqje teatrale mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, mes Gruevskit dhe Ahmetit”, ka deklaruar Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.
XS
SM
MD
LG