Ndërlidhjet

SHBA: Ai republikan, ajo demokrate


Ohio 2012
Ohio 2012
Për George, me rëndësi janë çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e armëve dhe martesat e homoseksualëve. Ndërsa për Abreen, kujdesi shëndetësor dhe liritë individuale janë shumë të rëndësishme.

Që të dy janë të fokusuar në çështje të ndryshme në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm në SHBA.

Ky çift martesor, i cili ka tre fëmijë të vegjël, jeton në lagjen periferike Ashburn të Washington D.C., një shtet ky i rëndësishëm për zgjedhjet e sivjetme presidenciale, sepse banorët e tij janë pothuajse të ndarë në dysh kur është fjala për përkrahjen ndaj presidentin demokrat, Barack Obama apo kandidatit republikan për president, Mitt Romney.

Punët e shtëpisë së familjes Marountas janë të ndara në mënyrë të barabartë. Votat e tyre shkojnë në drejtime të ndryshme, pasi që George planifikon të votojë për Romneyin ndërsa Abreen për Obamën.

George, i cili kishte emigruar nga Greqia para 25 vjetësh, thotë se një nga arsyet kryesore pse dëshiron të votojë për Romneyn është fakti se ai pajtohet me një nga pikat e platformës së tij politike, që e përkrahë dënimin me vdekje.

Jo domosdoshmërish besoj se homoseksualët duhet të martohen. Unë besoj se martesa duhet të bëhet ndërmjet një burri dhe një gruaje. Dhe një arsye tjetër pse unë jam republikan është fakti se ata e përkrahin të drejtën e një individi për të mbajtur armë”, thotë George.


Prioritete të ndryshme


Nga ana tjetër, Abreen thotë se për të është e rëndësishme liria personale dhe kjo është arsyeja kryesore pse e përkrahë Obamën. Ajo është me origjinë nga Afganistani dhe babi i saj diplomat e ka rritur Abreen në Arabinë Saudite.

Arabia Saudite, një vend ku femrat nuk kanë aspak të drejta. Kështu që babi im donte një jetë më të mirë për mua, për këtë arsye edhe erdhën këtu. Mendoj se elementi i lirive, për mua si një femër, një nënë, një grua, dhe të qenit demokrate, përputhet me bindjet e mija”, thotë Abreen.

Atë nuk e mundon ideja se dy burra dhe dy gra mund ta gëzojnë lirinë e martesës ligjore, ndërsa çështja e të drejtave të armëve pothuajse nuk i intereson fare.

Ngjashëm, as Gerorge nuk e përmend një ndër çështjet më të rëndësishme për gruan e tij: ligjin për kujdesin shëndetësor të nënshkruar nga Obama në vitin 2010, që Romney është zotuar ta shfuqizojë.

Prioritet për mua janë fëmijët e mijë dhe kujdesi shëndetësor. Kështu që gjithçka tjetër për mua është zhurmë e kotë. Unë me të vërtetë jam shumë e brengosur për të ardhmen e fëmijëve të mijë. Ata mund të më vdesin në duar nëse nuk kanë sigurim shëndetësor, kështu që kjo çështje është shumë e rëndësishme për mua”, thotë Abreen.

Dy nga tre fëmijët e çiftit kanë sëmundje kronike dhe u nevojitet kujdes konstant dhe mjekim.

“Rregullorja për Kujdes të Përballueshëm” ua ndalon kompanive të sigurimeve vendosjen e afateve jetësore, se sa duhet të paguajnë për kujdesin mjekësor të një personi dhe i pengon ato që t’i mohojnë mbulesat për shkak të një gjendje mjekësore para-ekzistuese. Kjo rregullore gjithashtu i lejon fëmijët që të mbesin në sigurimin shëndetësor të prindërve deri në moshën 26 vjeçare.

Abreen thotë se burri i saj nuk e ndan shqetësimin e saj sepse ai nuk është personi primar që përkujdeset për fëmijët e tyre.

George është burrë inteligjent, është biznesmeni i familjes, por unë nga ana tjetër, jam person më praktik. Unë jam prindi që merret me fëmijët kur kanë probleme shëndetësore. Faturat nga spitali janë me të vërtetë të larta. Mjekimi i fëmijëve, vetëm sa për t’i mbajtur të sigurt dhe të shëndoshë, kushton rreth 100 mijë dollarë në vit. Për 10 vjet, i bie të shpenzosh 1 milion dollarë. Kjo gjë më frikëson jashtë mase. Kështu që shfuqizimi i ligjit për kujdes shëndetësor nga Romney, as që dua të diskutoj për te. Bëhet fjalë për jetën e fëmijëve të mijë, vërtetë”, thotë Abreen.


Mendime të kundërta për taksat dhe shpenzimet


Çifti gjithashtu ka pikëpamje të ndryshme rreth përfitimeve qeveritare, Në këto zgjedhje, programet për të varfrit, pensionet për të moshuarit dhe kujdesi për veteranët janë cak i republikanëve, të cilët thonë se shumë para po shpenzohet në këtë drejtim.

George thotë se demokratët po i lejojnë njerëzit, të cilët duhet të punojnë, që të marrin para nga qeveria. Këtë situatë, ai e krahason me vendin e tij të zhytur në borxhe, Greqinë, që po e paguan çmimin e shpenzimeve të larta publike gjatë dekadave.

Unë vi nga një vend ku socializmi ka qenë metodë operimi gjatë katër vjetëve të fundit. Është gjithmonë mirë të ndihmohen të varfrit dhe njerëzit në nevojë. Nuk jam kundër kësaj dhe mendoj se është një element i nevojshëm. Çdo shoqëri duhet të jetë në gjendje që t’i ndihmojë ata që nuk mund ta përballojnë kujdesin mjekësor, ushqimin apo strehimin. Por është një pjesë e popullsisë që, për kushedi çfarë arsyesh, nuk duan të punojnë. Dhe ata presin nga qeveria që të paguajë për ta. Unë jam kundër kësaj”, thotë George.

Nga ana tjetër Abreen thotë se ajo është e shqetësuar se ndihmat e qeverisë ndonjëherë shkojnë aty ku nuk ka nevojë. Por ajo gjithashtu është e brengosur se shkurtesat e shpenzimeve që po i propozon Romney mund t’i lënë keq njerëzit që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë.

Sa i përket çështjes së taksave, një nga dallimet më të mëdha ndërmjet Romneyt dhe Obamës, sipas George, është propozimi i republikanëve që të pasurit të përfshihen në shkurtimet e taksave.

Por Abreen nga ana tjetër nuk pajtohet, duke shtuar se ajo njeh shumë njerëz që janë të punësuar dhe mezi ia dalin mbanë.

Nuk duhet të ndëshkohesh veç pse je i pasur. Por fatkeqësisht, njerëzit e klasës së mesme janë ata që dëmtohen më së shumti. I njoh shumë njerëz që mezi mbijetojnë nga muaji në muaj, të cilët kanë rroga të mira, punojnë në kompani të mirë, por mezi ia dalin mbanë”, thotë Abreen.

Të gjitha këto mospajtime ngrisin një pyetje: a ka mundësi që ky çift me preferenca të ndryshme në politikë të flasë njëri me tjetrin për politikë?

Ndonjëherë ne me të vërtetë nuk flasim për politikë sepse është fushë për të cilën grindemi. Ai është shumë tradicional dhe nuk është mendje hapur ashtu siç jam unë. Por kjo është Amerika, vendi i lirive, njerëzit mund të bëjnë çfarë të duan dhe të jetojnë si të duan”, thotë Abreen.

Megjithatë, mospajtimet në politikë nuk i ndryshojnë ndjenjat që kanë për njëri tjetrin.

Jemi martuar sepse duheshim dhe ende duhemi, kështu që dallimet që mund t’i kemi në bindjet tona, në fund të fundit, nuk kanë ndonjë ndikim në lidhjen tonë. Janë vetëm preferenca. Është e njëjta gjë si për ushqimet, disave u pëlqen ushqimi italian e disa të tjerëve ai kinez”, thotë George.(v. k.)
XS
SM
MD
LG