Ndërlidhjet

Fjalori i urrejtjes nxitet nga elitat politike


Debati "Fjalori i urrejtjes" në Maqedoni
Debati "Fjalori i urrejtjes" në Maqedoni
Elitat politike në Maqedoni janë ato që nxisin fjalorin e urrejtjes, me paraqitjet e tyre në Parlament, konferenca për shtyp, si dhe paraqitjet e ndryshme në publik për t’u treguar patriotë kombëtarë pa mbajtur llogari se kjo paraqet rrezik për kultivimin e raporteve ndëretnike veçanërisht në shtetet multi-etnike siç është Maqedonia.

“Çështja e parë se pse politikanët në Maqedoni merren me patriotizmin, ka të bëjë me llogaritë që bëjnë partitë politike me elektoratin dhe sistemi politik është i drejtuar në atë lloj mënyre, që partitë politike marrin mandat nga etnitë gjegjësisht nga baza, e cila elektoratin e ndan mbi baza etnike. Nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë me kulturën politike që Maqedonisë i mungon dhe më tepër është çështje e mungesës së vizionit se ku duan ta shohin politikanët vendin”, thotë Nazim Rashiti, gazetar njëherësh dhe pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Edhe Biljana Petrovska thotë se mungesa e debateve për çështje konkrete në shoqërinë maqedonase, që tangojnë interesat e qytetarëve, është si pasojë e mungesës së kulturës politike, por njëkohësisht dhe mungesës së profesionalizmit të politikë-bërësve.

“Në rastet kur një çështje e caktuar trajtohet, politikë-bërësit në vend se të shërbehen me argumente, ai veprim është ose jo në të mirë të qytetarëve zakonisht debatet përfundojnë me atë se kush është më patriot në taborin e vet, kush ka më shumë vlera kombëtare”, thekson Biljana Petkovska,

Ajo shton se mungesa e profesionalizmit dhe ideve për të zgjidhur problemet konkrete, i shtyn udhëheqësit politikë dhe ata të institucioneve shtetërore të vishen me petkun e patriotizmit.

Nga ana tjetër, Nazim Rashiti konsideron se përdorimi i fjalorit të urrejtjes nuk mund të parandalohet me ligje të caktuara, por përmes ngritjes së vetëdijes për krijimin e një strategjie të përbashkët për ndërtimin e shtetit bashkërisht, të gjitha etnitetet.

“Përplasja mes etniteteve ka të bëjë me dy çështje, e para se maqedonasit ende nuk akomodohen se Maqedonia nuk është vetëm e tyrja dhe e dyta partitë politike shqiptare ende po luftojnë dhe përpiqen për barazi, sepse në retorikën e tyre fjala barazi dominon”.

“Këta dy koncepte kur përplasen njëra me tjetrën dhe përderisa nuk ka vizione të përbashkëta për të ardhmen e vendit, nxisin krijimin e asaj retorike që ne e dëgjojmë, e që është kryesisht e lidhur mbi bazën dhe jo vizionin se ku duhet të shkojë vendi”,
vlerëson Rashiti.

Ndryshe, dhe në raportin e fundit të progresit të KE-së për Maqedoninë theksohet qartë se elitat politike duhet të angazhohen për uljen e tensioneve ndëretnike njëkohësisht të ndërtojnë një strategji të përbashkët për prioritetet e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG