Ndërlidhjet

Obama adreson çështjen e “tatpjetës fiskale”


Presidenti amerikan, Barack Obama gjatë fjalimit të sotëm në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan, Barack Obama gjatë fjalimit të sotëm në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i rizgjedhur i SHBA-ve, Barack Obama ka thënë sot se të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa, bazuar në çfarëdo marrëveshje politike, për ta shmangur kanosjen nga kriza e buxhetit.

Ai tha se Kongresi duhet të veprojë kundër të ashtuquajturës “tatpjetë fiskale”, një paketë e rritjes së taksave dhe shkurtimeve të shpenzimeve, e planifikuar për vitin e ardhshëm, njofton BBC.

“Tani nëse Kongresi dështon që të arrijë një marrëveshje lidhur me paktën e shkurtimit të taksave deri në fund të këtij viti, tatimet e gjithsecilit do të rriten më 1 janar të vitit 2013”, tha Obama.

Obama tha se do t’i ftojë liderët politikë në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, për të diskutuar rreth kësaj çështje.

“Jam i hapur për ide të reja”, tha sot Obama në paraqitjen e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë që kur i fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur rivalin e tij republikan, Mitt Romney.

“Jam i përkushtuar në zgjidhjen e sfidave fiskale, por refuzoj të pranoj çfarëdo qasje që nuk është e balancuar”, ka thënë Obama.

Analistët e Buxhetit paralajmërojnë se SHBA do ta arrijë kulmin e recesionit, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

“Tatpjeta fiskale” sjellë skadimin e periudhës së shkurtimit të taksave të George W. Bushit në fund të këtij viti, kombinuar me shkurtime të shpenzimeve brenda dhe jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG