Ndërlidhjet

Skepticizëm për strategjinë 2013 -2017 kundër korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Ndonëse, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projekt-strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2013-2017, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që kanë bashkëpunuar për hartimin e saj, konsiderojnë se ajo strategji, nuk do t’i japë rezultatet e duhura.

Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, tha për Radion Evropa e Lirë se strategjia me shumë është bërë sa për ta pasur se sa për të luftuar vërtet dukurinë e korrupsionit.

“Ne kemi qenë pjesë e grupeve punuese, jo vetëm për strategjinë, por edhe për disa ligje që i ka përfshi kjo strategji. Me keqardhje them se strategjia, në fakt, nuk reflekton objektiva që do të duhej t’i përmbushte Qeveria në luftimin e korrupsionit. Thjesht, po vazhdohet me një lloj strategjie vetëm sa për ta pasur formalisht, por që problemet kryesore në këtë fushë nuk janë duke u reflektuar as në ligje dhe as në strategjinë anti-korrupsion”, tha Zogiani.

Qëllimi i Strategjisë, sipas zyrtarëve të Qeverisë, ndër të tjera është që të rritet llogaridhënia dhe transparenca e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve, si dhe forcimi i kapaciteteve kundër-korrupsion i institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal.

Agjencia Kundër Korrupsionit, ka udhëhequr punët rreth përpilimit të kësaj strategjie, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror dhe shoqërinë civile.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, deklaroi se strategjia nuk është hartuar vetëm sa për të thënë, siç pretendon dikush, por, siç tha ai, kjo strategji ka afate dhe detyra konkrete për shumë institucione, duke përfshirë edhe gjyqësorin.

Hasan Preteni
Hasan Preteni
“Janë rreth 57 objektiva, janë 176 masa, janë të përfshirë obligimet për të gjithë sektorët nga sektori politik, nga qeverisja lokale, administrata qendrore, prokuroritë, gjykata, financat publike, prokurimi publik, sektori privat, shoqëria civile, mediat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, u shpreh Preteni.

Zogiani nga organizata “Çohu”, tha se ligjet, të cilat janë nxjerrë me qellim luftimin e korrupsionin, janë në konflikt mes vete dhe nuk zbatohen.

Ai, theksoi, po shtua, se kjo çështje nuk është trajtuar në strategjinë për vitin 2013- 2017.

“Ne kemi problemin kryesor, mosfunksionimin e gjyqësorit. Edhe ky problem nuk është trajtuar në strategji ose nuk është gjetur asnjë zgjidhje. Pra, kemi një proces formal, i cili bëhet sa për t’i përmbushur kërkesat e raporteve të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Zogiani.

Ndërkaq, Preteni potencoi se strategjia kërkon angazhim pro-aktiv nga të gjitha institucionet publike, organet e tjera të pavarura, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Mendoj që tani është koha e veprimeve më konkrete. Legjislacioni gati është përmbyllur, por kërkohen veprime konkrete që në rend të parë gjyqësori të rezultojë më pozitivisht, që t’i publikojë, të jetë transparent në punën e vet. T’i publikojë rastet, raportet, ta publikojnë se sa persona janë gjykuar për korrupsion, cila është gjatësia e atyre dënimeve etj”, tha Preteni.

Sido që të jetë, përfaqësuesit organizatave joqeveritare theksojnë se për të dalë nga situata ku korrupsioni po shndërrohet në kulturë, alternativa e vetme është vullneti politik, i cili mund të shndërrohet në veprime konkrete kundër korrupsionit.
XS
SM
MD
LG