Ndërlidhjet

Hetime të ndërkombëtarizuara


Clint Williamson
Clint Williamson
"AFP"

Vizitorëve u duhet një kontroll paraprak i sigurisë prej 24 orësh, rojtarët e thinjur belg qëndrojnë para hyrjes, telefonat dhe kamerat janë të ndaluar. Mirësevini në hetimin më të ri, dhe ndoshta të fundit, të krimeve të mëdha të luftës në Ballkan, shkruan agjencia e lajmeve AFP.

“Diplomati dhe prokurori amerikan që po udhëheq hetimet në një nga aferat më të frikshme dhe politikisht më të ndjeshme në të gjitha kohërat-akuzat për përfshirjen e lidershipit të sotëm kosovar në trafikimin me organe njerëzore në vitet e ’90- është vendosur, jo në Ballkan por në Bruksel”, shkruan AFP.

Shqetësimet mbi kërcënimin e dëshmitarëve dhe ngatërrimin e dëshmive mbesin ekzistuese, por nuk mund ta ndikojnë punën e 51 vjeçarit, Clint Williamson.

Frikësimi dhe mbrojta e dëshmitarëve është një faktor i madh”, i tha ai agjencisë së lajmeve AFP në një intervistë.

U jemi rrekur hetimeve të gjera për të garantuar një qëndrim të sigurt”.

Në fokus të kësaj çështjeje janë akuzat se “guerilët shqiptarë në Kosovë janë marrë me tregëti organesh”.

Në një raport të ashpër të publikuar në 2010-ën, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, akuzoi ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë kryeministrin aktual të vendit, Hashim Thaçi, të kenë marrë pjesë në veprimet në fjalë, shkruan AFP.

Thaçi the qeveria e tij kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat e përmendura në raportin e Martyt.

Për të shmangur kërcënimet dhe për të siguruar një hetim cilësor, kreu i emëruar i task forcës speciale të BE-së për hetimin e raportit të zviceranit Marty, Williamson pati kërkuar që në nisje të hetimeve një vit më parë që në ekipin e tij të mos përfshihen njerëz nga Ballkani Perëndimor.

Kjo është një punë tërësisht e ndërkombëtarizuar”, tha ai, për të shtuar se “janë ndërmarrë masat për të vendosur mure të trasha në mes të ekipit hetues dhe mekanizmave të drejtësisë në Kosovës - andaj hetimi është shumë autonom dhe i ndarë”.

AFP gjithashtu shtron pyetjen se “përse është vendosur një amerikan në krye të një ekipi hetues të Bashkimit Evropian?”.

Përvoja e tij 18 vjeçare në Ballkan dhe puna “mjaft unike” si prokuror për krime lufte dhe diplomat i japin atij mundësi që të punojë me qeveritë “në nivelet më të larta”.

Williamson, i cili nuk deshi të japë hollësi për të dhënat e mbledhura deri më tani nga ekipi 20 anëtarësh i prokurove, hetuesve dhe analistëve, vlerësoi se do të nevojiten edhe dy vite të tjera për ta kompletuar hetimin që po helmon rajonin.

Është vërtetë një re e zezë. Akuzat që janë vendosur në nivel të kryeministrit të Kosovës dhe individëve të tjerë të profilit të lartë-në rolet e tyre në UCK, kanë një ndikim në marrëdhëniet në rajon”, u shpreh ai.

Për t’i ndihmuar hetuesit të kenë qasje tek dëshmitarët në Shqipëri, Williamson dhe kryeministri Sali Berisha draftuan dhe miratuan një ligj me të cilin ekipit hetues u mundësohet puna në shtetin shqiptar, ndërsa në Kosovë puna mbështetet edhe nga misioni evropian për sundimin e ligjit.

Udhëheqësit e rinj të Serbisë kanë thënë në muajin e kaluar se do të bashkëpunojnë me hetuesit ndërkombëtar.

Është e rëndësishme për ne që dëshmitarët të flasin në kushte konfidenciale dhe duhet ta rregullojmë këtë paraprakisht me qeveritë”, tha ai.

“Në ndërkohë, po flasim edhe për mundësitë e zhvendosjes së dëshmitarëve”, theksoi ai.

Kalimi i kohës duket të jetë një sfidë tjetër për procesin e hetimeve, gjë të cilën e konfirmon edhe vetë udhëheqësi i këtij procesi.(e.p.)
XS
SM
MD
LG