Ndërlidhjet

Susan Rice: Përse kam marrë vendimin e duhur?!


Susan Rice
Susan Rice
“Të enjten i kam kërkuar presidentit Obama që të mos më konsiderojë mua për punën e sekretares së shtetit. Unë kam marrë këtë vendim, sepse është hap i duhur për vendin që dua. Unë nuk jam zmbrapsur kurrë nga lufta për një kauzë që besoj. Por, pasi është bërë e qartë se emërimi im do të nxiste betejë partiake, kam konstatuar se do të ishte gabim që të lejoj një debat, i cili do të na shkëpuste nga çështjet urgjente kombëtare, si: krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e ekonomisë, adresimi i deficitit, reformimi i sistemit të migracionit dhe mbrojtja e sigurisë sonë kombëtare. Këto janë çështje që meritojnë vëmendje”.

Kështu nis shkrimin për gazetën “Washington Post” ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Susan Rice, një ditë pas tërheqjes së emrit të saj nga shqyrtimi për postin e kryediolomates amerikane.

Republikanët kanë thënë se do të kundërshtojnë emërimin e Rice-it në seancën e konfirmimit në Senat, për shkak të komenteve që ka bërë në lidhje me sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Bengazi, ku kanë humbur jetën katër diplomatë të SHBA-së, përfshirë ambasadorin.

Rice fillimisht ka thënë se ambasadori Chris Stevens është vrarë në një protestë spontane dhe jo nga një sulm i paramenduar terrorist. Por, kjo deklaratë, bazuar në të dhënat e CIA-s, ka qenë e gabuar. Rice më pas është akuzuar se ka mashtruar publikun.

“Kurrë nuk kam bërë përpjekje, në asnjë mënyrë, që të mashtroj popullin amerikan. Një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me karakterin tim dhe shërbimin publik”, shkruan Rice.

Rice thotë se është rritur në Uashington dhe se ka parë mjaft beteja për politikat. Por, sipas saj, një takim për sigurinë kombëtare nuk do të duhej kurrë të shndërrohej në futboll politik. Rice thotë se ka çështje shumë më të mëdha në rrezik dhe se ka vendosur të ndalojë këtë përçarje për katër arsye.

“E para: angazhimi im në shërbimin publik i ka rrënjët në besimin se interesat e kombit duhet të vihen para interesave individalë. Jam e përkushtuar që t’iu shërbej Shteteve të Bashkuara dhe të bëj përpjekje që të përmirësoj botën tonë të papërsosur. Kjo është ajo ku dua të fokusoj përpjekjet e mia dhe jo mbrojtja e vetes ndaj sulmeve të pabaza politike”, shkruan Rice.

Së dyti, ajo thotë se respekton rolin e Kongresit në sistemin e qeverisjes. Pas sulmeve të neveritshme terroriste që kanë marrë jetën e katër kolegëve në Bengazi, qeveria duhet të merret me çështje të vështura dhe të sjellë autorët e krimit para drejtësisë. Ne duhet të forcojmë sigurinë në qendrat diplomatike dhe të përmirësojmë inteligjencën në Lindjen e Mesme, thotë Rice.

Sipas saj, përmbushja e këtyre objektivave është shumë më e rëndësishme sesa lufta politike apo sulmet personale.

Së treti, vijon Rice, populli amerikan pret nga ne që të bashkohemi për të qenë të sigurt. Ajo thotë se udhëheqja e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit është dhe gjithmonë ka qenë më e fortë kur janë kapërcyer dallimet partiake për çështjet e sigurisë kombëtare.

Së katërti, Rice thotë se ka një punë të mirë dhe se është nder i lartë për të që të shërbejë si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

“Jam krenare që presidenti Obama ka rikthyer lartësinë tonë globale, është rifokusuar në kërcënimet e mëdha të sigurisë sonë dhe ka avancuar vlerat tona anembanë botës”, shkruan Rice.

Ajo po ashtu shprehet krenare për sukseset e ekipit të saj në misionin amerikan në OKB. Rice numëron këtu shpëtimin e civilëve të panumërt nga masakrat në Libi, vendosjen e sanksioneve të rënda ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut, si dhe ndihmën për lindjen e shtetit më të ri në botë, Sudanit Jugor.

“Këto përpjekje na kujtojnë se mund të bëjmë më shumë kur jemi të bashkuar, sesa kur përçahemi. Ky është një leksion që do ta mbaj me vete derisa të vazhdoj punën në Kombet e Bashkuara”, shkruan Susan Rice në gazetën amerikane “Washington Post”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG