Ndërlidhjet

Integrimi i Maqedonisë, në duart e klasës politike


Maqedoni
Maqedoni
Konkluzionet e samitit të BE-së ishin dëshpëruese për Maqedoninë, pasi vendi nuk arriti për të gjashtin vit me radhë të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, thonë njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare dhe të partive opozitare.

Por, Tito Petkovski një nga liderët e opozitës maqedonase, thotë se kjo nuk duhet të shërbejë si alibi për t’u larguar nga procesi, apo për të kërkuar fajtorë të tjerë, pasi vendimi qëndron në duart e klasës politike në Maqedoni.

“Për këtë na duhet konsensus - edhe nacional, edhe etnik - dhe duhet të ulemi, pavarësisht qëndrimeve aktuale, interesave personale, përfitimeve partiake dhe kështu me radhë, e të merremi vesh për atë që duhet të bëjmë dhe përfundimisht të marrim datën për nisjen e bisedimeve. Mendoj se nuk është ende vonë dhe mendoj se nuk i mungon asgjë kryeministrit që të caktojë një takim të tillë”, thotë Tito Petkovski nga opozita maqedonase.

Analisti politik, Albert Musliu, thotë se konkluzionet e samitit të BE-së duhet parë si udhërrëfyes nga liderët politikë në Maqedoni se Bashkimi Evropian është strukturë politike, e cila, vendos në bazë të interesit të shteteve anëtare, andaj, sipas tij, problemi kryesor, që ka të bëjë me emrin duhet zgjidhur sa më parë, pasi mund të paraqiten probleme tjera që tashmë kanë filluar të dalin në sipërfaqe, siç është rasti me Bullgarinë.

“Partnerët e koalicionit duhet që të arrijnë një konsensus që proceset euro-integruese të tërhiqen nga politika ditore. Ne, vite me radhë kemi qenë dëshmitarë se si janë shfrytëzuar proceset integruese nga partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE-ja, për politikën ditore, politikën e brendshme dhe e gjithë kjo na ka sjellë në këtë situatë që ne sot të kemi parakusht fqinjësinë e mirë me dy fqinjë. Uroj që kjo procedurë sa më shpejtë të ndërpritet që të mos na dalin edhe parakushte tjera”, vlerëson Musliu.

Ish-diplomati Dimitar Mirçev pajtohet, po ashtu, se vendimi ishte dëshpërues, por megjithatë nuk duhet të dekurarojë institucionet. Sipas tij, integrimi i vendit në strukturat euroatlantike mbetet prioritet, andaj edhe nevojitet përkushtim edhe më i madh në muajt në vijim që të arrihet qëllimi.

Gjatë muajit janar pres kontakte dhe propozime të reja nga ndërmjetësi Metju Nimic. Gjithçka është në duart tona dhe unë jam optimist, pasi kjo çështje shumë gjatë është diskutuar në Këshillin e Ministrave, si duket po rritet mbështetja për vendin tonë”, thekson Mirçev.

Drejtuesit e institucioneve kanë thënë se Maqedonia ka merituar më shumë se korniza kohore, që deri në qershor të arrihet kompromisi për zgjidhjen e emrit, si dhe të punohet në ndërtimin e fqinjësisë së mirë, para së gjithash me Bullgarinë, e cila, ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, ka kushtëzuar dhënien e datës Maqedonisë me heqjen dorë nga retorika anti-bullgare.
XS
SM
MD
LG