Ndërlidhjet

"Al Jazeera" synon Amerikën


Ilustrim
Ilustrim
Herën e parë kur Al Jazeera pati njoftuar se mëton të depërtojë në tregun televiziv në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2005, përpjekjet e këtij rrjeti u penguan nga një klimë armiqësore politike dhe producentë televizionesh, të cilët refuzonin të transmetonin programet e tij për arsye patriotike.

Ishte kohë lufte në Irak dhe zyrtarë të lartë të administratës së Bushit e patën cilësuar Al Jazeeran si “zërin e armikut” dhe “rrjet terrorist”, që shfrytëzohej nga anëtarë të Al Qaedas dhe simpatizantëve të saj.

Tetë vite më vonë, gjërat kanë ndryshuar. Stacioni televiziv me seli në Qatar, ka nisur punën në vitin 1996 dhe tash shikohet në 130 vende dhe ka fituar disa çmime për raportime të guximshme.

Serlia qendrore
Serlia qendrore
Al Jazeera në gjuhën arabe dhe Al Jazeera në gjuhën angleze, e cila nisi punën në vitin 2006, së bashku arrijnë një shikueshmëri prej 300 milionë. Al Jazeera në gjuhën turke pritet të nis së shpejti, kurse Al Jazeera në Ballkan tashmë ka mbushur një vjet.

Tani, Al Jazeera po zgjerohet edhe më shumë, kësaj radhe në Shtetet e Bashkuara. Al Jazeera në Amerikë pritet të depërtojë te 40 milionë shikues, kur nis transmetimin këtë pranverë.

Al Jazeera “në fakt ka blerë një kanal të dështuar dhe pret që ta rimëkëmb atë”, thotë Philip Seib, autori librit “Efekti Al Jazeera.”

Seib thotë se rrjeti nuk do ta ketë të lehtë të arrijë sukses në një ambient të ngarkuar me rrjete televizive, por nëse Al Jazeera dëshiron të konkurrojë me CNN-in dhe BBC-në, atëherë duhet t’i jipet shansi ta provojë.

“Për Al Jazeera-n, është çështje e kredibilitetit ndërkombëtar. Nëse dëshiron të jetë lojtar i madh në biznesin e lajmeve ndërkombëtare, duhet të depërtojë edhe te audienca amerikane”, thotë Seib.

Seib beson se amerikanët do të njoftohen përmes Al Jazeeras se çfarë njohurish ka pjesa tjetër e botës…

Al Jazeera rëndom kritikohet nga njerëzit të cilët nuk e kanë parë atë. Dhe shpesh etiketohet, padrejtësisht më duket, se është një organizatë terroriste e lajmeve dhe se ka anshmëri. Nuk besoj se kjo është e vërtetë”, thotë Seib, duke shtuar se mbulimi i ngjarjeve në Lindjen e Mesme në vitin 2011 nga Al Jazeera në gjuhën angleze u mirëprit nga shikuesit anembanë.

Madje, edhe vetë sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e pati përmendur këtë çështje në një paraqitje para Kongresit të Shteteve të Bashkuara po atë vit.

Hillary Clinton
Hillary Clinton
Shikueshmëria e Al Jazeeras po ngritet në Shtetet e Bashkuara, sepse transmeton lajme të vërteta".

"Mund të mos pajtoheni me përmbajtjen, por krijohet përshtypja se po shikoni lajme çdo orë në vend të miliona reklamave dhe argumenteve të kokave të ndryshme, gjëra që bëjmë ne me lajmet tona, që nuk janë dhe aq informative për ne, e lëre më për të huajt
”, pati thënë zonja Clinton.

Megjithatë, kundërthëniet s’kanë mbaruar ende. Një grup konzervativ mediatik ka raportuar se “Televizioni Terrorist Paguan 500 milionë Dollarë për Qasje në Shtetet e Bashkuara”,

Cathy Rasenberger nga Rasenberger Media pranon megjithatë se ka ende konfuzion ndërmjet shërbimit në gjuhën arabe dhe atij në gjuhën angleze të Al Jazeera-s.

Ai në gjuhën arabe ofron vetëm perspektivë rajonale mbi ngjarjet, përderisa ai në gjuhën angleze ngjason më shumë me CNN-in dhe BBC-në.

Al Jazeera synon të hapë disa byro në Shtetet e Bashkuara dhe të punësojë rreth 300 korrespondentë. Por, vetëm 60 për qind e programit do të prodhohet në Shtetet e Bashkuara, pjesa tjetër do të jenë lajme ndërkombëtare.

Ka etje për një perspektivë më ndryshe dhe për më shumë mbulim të ngjarjeve globale”, thotë zonja Rasenberger.

A do të mundet Al Jazeera në Amerikë të shuajë këtë etje?, pyetet ajo.

Mbase jo, por do të mbulojë një hendek të madh”.(a.v.)
XS
SM
MD
LG