Ndërlidhjet

Maqedoni: Vota e kushtëzuar me dokumente biometrike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Pas azhurnimit të listave zgjedhore nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, mbi 120 mijë qytetarëve u rrezikohet e drejta e votës në zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë caktuar të mbahen në mars, bën të ditur nënkryetari i këtij institucioni, Subhi Jakupi.

Sipas tij, organi përkatës nuk u merr kurrfarë të drejte qytetarëve, por vetëm respekton ligjin e Kodit Zgjedhor.

“Ne respektojmë Kodin Zgjedhorë, nenin 41, alinea 4, në të cilin thuhet se të gjithë shtetasit e Maqedonisë që kanë moshën madhore, gjegjësisht janë mbi 18 vjet, kanë të drejtën e votës. Ata duhet të kenë adresë të banimit në Republikën e Maqedonisë, por njëkohësisht dhe dokumente valide të identifikimit, pra letërnjoftime biometrike”, thekson Jakupi.

Ai u bën thirrje qytetarëve që brenda këtyre dy ditëve sa kanë mbetur, derisa të mbyllet lista zgjedhore, të pajisen me dokumente valide për të realizuar të drejtën zgjedhore.

“Ata që do t’i nxjerrin këto dokumente, të cilat do të jenë valide, do të jenë pjesë e regjistrit zgjedhor dhe ata duhet të paraqiten në qendrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të cilat janë në Republikën e Maqedonisë, të plotësojnë një formular që ne të mund t’i inkuadrojmë të jenë pjesë e regjistrit zgjedhor”, sqaron Jakupi.

Por, ekspertët juridikë thonë se pikërisht neni 55 i Kodit Zgjedhor është në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë duhet të shfuqizohet.

Adnan Jashari, ekspert juridik, konsideron se në asnjë mënyrë përmes ligjeve nuk duhet të kufizohet e drejta e votës dhe se dokumentet biometrike nuk duhet të jenë kusht për të drejtën zgjedhore. Sipas tij, çështje krejtësisht tjetër është ajo se kjo e drejtë mund ose jo të realizohet në praktikë në ditën e zgjedhjes.

“Mendoj se duhet analizuar mirë edhe një herë nga ekspertët Kushtetuta, po edhe Kodi Zgjedhor dhe paralelisht kësaj duhet bërë çmos që të shikohet se a thua ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor nuk janë në harmoni me Kushtetutën, respektivisht me dispozitat kushtetuese”, thekson Jashari.

Me këtë vendim nuk pajtohet zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski. Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë duhet mësuar me të drejtat, por edhe obligimet, meqë tashmë shtatë vjet ka filluar ndërrimi i dokumenteve të vjetra me ato të rejat.

“Ju përkujtojmë se tani është viti i shtatë që jepen dokumente të reja biometrike dhe për fat të keq, akoma ka qytetarë nuk i kanë ndërruar kartat e identitetit”, është shprehur Kotevski, duke shtuar se sportelet e këtij dikasteri punojnë me kapacitet të plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
XS
SM
MD
LG