Ndërlidhjet

NYT: Armët kroate në duart e opozitës siriane


Arabia Saudite ka financuar në blerjen e një sasie të madhe të armëve të këmbësorisë nga Kroacia dhe në heshtje i ka kanalizuar ato te luftëtarët anti-qeveritarë në Siri, që po përpiqen të rrëzojnë regjimin e Bashar al Assad-it, citon New York Times zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë, që kanë njohuri për këto blerje.

Sips artikullit, armët rrodhën te kryengritësit në muajin dhjetor përmes Jordanisë.

Zyrtarë theksojnë se ato kanë luajtor rol në “fitoret e vogla taktike” të kryengritësve kundër ushtrisë dhe paramilitarëve besnikë të Assadit.

Dërgimi i armëve, shkruan NYT, u pa si një sinjal ndryshimi në mesin e disa qeverive që donin një qasje më aktive për të ndihmuar armatosjen e opozitës siriane si kundërpërgjigje ndaj armëve që Assad mori nga forcat e Iranit.

Shpërndarja e armëve është bërë te grupet që shihen si më nacionaliste dhe sekulare, duke anashkaluar kështu grupet xhihadiste, ndikimi i të cilëve në luftë, i ka alarmuar fuqitë perëndimore dhe rajonale.

Me muaj, shkruan gazeta, kryeqytetet rajonale dhe perëndimore kanë hezituar të armatosin kryengritësit nga frika se armët do të binin në duart e terroristëve.

Grupet xhihadiste në mesin e opozitës thuhet se janë më mirë të pajisura sesa luftëtarët nacionalistë dhe potencialisht kanë më shumë ndikim.

Roli i Uashingtonit në dërgesa, nëse ka pasur ndonjë, ende nuk është i qartë.

Zyrtarët në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata në Agjencinë Qendrore të Zbulimit (CIA), duke iu referuar ndjeshmërisë së dërgesave nuk kanë pranuar të komentojnë publikisht.

Por, NYT, citon një zyrtar të lartë amerikan t’i ketë përshkruar dërgesat si një rritje të kanalit logjistik të opozitës.

Zyrtari vuri në dukje se opozita mbetet e fragmentuar dhe se blerja e fundit nga sauditët nuk është “në vetvete një pikë kthese”, duke shtuar se dërgesat iraniane për qeverinë e Asadit tejkalojnë ato të shteteve që i kanë ndihmuar kryengritësve.

Dërgesat iraniane kanë nxitur shqetësime në mesin e shteteve sunite arabe se po humbin hapin me Teheranin, në atë që është bërë një garë rajonale për primatin në Siri mes arabëve sunitë dhe qeverisë së Asadit të mbështetur nga Irani dhe Hezbollahu i Libanit, shkruan gazeta.

Ndërsa shtetet e Gjirit Persik kanë dërguar pajisje ushtarake dhe ndihmë tjetër për kryengritësit për më shumë se një vit, dallimi vërehet në dërgesat e fundit.

Zyrtarët thanë se aeroplanë me ngarkesa të rënda kanë lënë Kroacinë që nga dhjetori, derisa shumë armë jugosllave, që më parë nuk janë parë në luftën civile siriane, filluan të shfaqen në videot e postuara nga kryengritësit në YouTube.

Shumica e armëve - të cilat përfshijnë lloje të veçanta të armëve jugosllave si armët sulmuese, granatahedhësit, armët automatike, mortajat dhe raketat që përdoren kundër tankeve dhe automjeteve të blinduara, janë dokumentuar gjerësisht nga një bloger, Eliot Higgins, i cili nënshkruhet si Brown Moses dhe ka hartuar një listë mbi përhapjen e armëve të reja në konfliktin në Siri.

Ai së pari i ka vërejtur armët jugosllave në fillim të janarit, në përleshjet në rajonin pranë Daras së Jordanisë, por në shkurt ai i ka parë ato në videot e postuara nga kryengritësit nga luftimet në Hama, Idlib dhe Alepo.

Zyrtarët që kanë njohuri mbi transferimin e armëve, tha se ato kanë qenë pjesë e një teprice të padeklaruar të Kroacisë, mbetur nga luftërat ballkanike të viteve 1990.

Një zyrtar perëndimor i tha NYT se dërgesat përfshijnë “mijëra pushkë dhe qindra armë automatikë” si dhe një sasi të panjohur të municionit.

Ministria e Jashtme e Kroacisë dhe agjencia e eksportit të armëve mohoi të kenë ndodhur dërgesa të tilla.

Zyrtarët sauditë i kanë hedhur poshtë kërkesat për intervista, dërguar dy javë më parë. Zyrtarët jordanezë gjithashtu nuk pranuan të komentojnë.

Danijela Barishiq, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, tha për gazetën se që nga fillimi i Pranverës Arabe, Kroacia nuk ka shitur asnjë armë as Arabisë Saudite e as kryengritësve sirianë.

Igor Tabak, një analist ushtarak kroat, tha se pas një periudhe kur shumë vende të ish-Jugosllavisë shisnin armë nga luftërat ballkanike në tregun e zi, Kroacia është bërë gati që këtë vit t’i bashkohet Unionit Evropian dhe tani rreptësisht i përmbahet rregullave ndërkombëtare mbi transferet e armëve.

“Unë nuk mund të imagjinoj transfer të sasive të mëdha të armëve pa lejen e shtetit”, u shpreh ai.

Kryengritësit e Sirisë kanë siguruar armët e tyre përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë kontrabandën nga shtetet fqinje, armët e zëna pas betejës, blerjet nga zyrtarët e korruptuar, sponsorizimi nga qeveritë arabe dhe biznesmenët, dhe prodhimin vendor të raketave dhe bombave.

Por, ata kanë mbetur të pajisur lehtë krahasuar me ushtrinë e Assadit.

Një zyrtar në Uashington tha se mundësia e transfereve nga Ballkani u hap në verën e kaluar, kur një zyrtar i lartë kroat vizitoi Uashingtonin dhe iu sugjeroi zyrtarëve amerikanë se Kroacia ka shumë armë në dispozicion, po që se dikush është i interesuar që ato t’i dërgojë te kryengritësit e Sirisë.

Në atë kohë, kryengritësit po avanconin ngadalë në disa pjesë të vendit, por vërehej mungesa e armëve.
Uashingtoni nuk ishte i interesuar atëherë, citon NYT zyrtarin, edhe pse në të njëjtën kohë, ka pasur shenja të ndihmës së kufizuar arabe dhe ushtrive tjera të huaja.

Në artikull përmenden edhe armët nga Ukraina, Belgjika e Zvicra që janë parë të përdoren nga kryengritësit sirianë.

Jutarnji List, një gazetë e përditshme kroate, njoftoi të shtunën se në muajt e fundit ka pasur një numër jashtëzakonisht të madh të aeroplanëve tranpsortues që janë nisur nga aeroporti i Zagrebit.

Gazeta tha se SHBA, aleatja kryesore politike e ushtarake e Kroacisë, ishte ndoshta ndërmjetëse, dhe përmendi katër fluturime të aeroplanmbajtësve Ilyushin 76, që gjenden nën pronësinë e Jordan International Air Cargo.

Ivica Nekiq, drejtor i agjencisë që është përgjegjëse për eksportin e armëve nga Kroacia, sipas NYT ka hedhur poshtë raportin si spekulim.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG