Ndërlidhjet

Nuk mbahen protestat në Maqedoni


Shkup
Shkup
Të shtunën nuk u mbajtën protestat e paralajmëruara nëpër rrjetet sociale nga të rinjtë maqedonas kundër emërimit të Talat Xhaferit, për ministër të Mbrojtjes.
Ndërkohë, në rrugët e qytetit, e veçanërisht para kishës Maqedonase vendi ku ishte paralajmëruar mbajtja e tyre, shihet një prani e shtuar e forcave policore.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, konsideron se qytetarët kanë treguar vetëdije të lartë dhe kulturë politike duke i përfillur apelet e këtij dikasteri, faktorit ndërkombëtar, bashkësive fetare dhe partive politike për të mos dalë në protestat e organizuara përmes rrjeteve sociale, ku nuk dihen me saktësi organizatorët, qofshin ata të të rinjve shqiptarë apo maqedonas, ka deklaruar për Radion Evropën e Lirë zëdhënësi i dikasterit të policisë, Ivo Kotevski, duke komentuar jehonën e ulët të protestave të së premtes dhe atyre gjatë ditës së shtunë.

Ai me këtë rast ka njoftuar se gjatë protestës së të premtes janë lënduar dy policë, si dhe janë shkaktuar dhe dëme materiale.

Kotevski ka thënë se pas identifikimit të pjesmarrësve, të cilët kanë përdorur dhunë, do të ngrihet kallëzim penal. Sipas tij, deri më tani janë identifikuar mbi 50 persona, për të cilët është ngritur kallim penal pasi kanë reflektuar dhunë gjatë protestave.

Zëdhënësi i dikasterit të policisë gjithashtu ka theksuar se dikasteri që përfaqëson në vazhdimësi ndjek me vëmendje rrjetet sociale, të cilët përdorin fjalorin e urrejtjes dhe bëjnë thirrje për protesta.

Nga ana tjetër, duke komentuar rënien e intensitetit të protestave, Ramadan Ramadani nga Instituti për Mendim të Lirë “NISMA”, ka thënë se kjo është si pasojë e fillimit të fushatës dhe vetëdijes së qytetarëve për të mos lejuar të instrumentalizohen për qëllime politike.

“Protestat e javës së kaluar ishin protesta, të cilat u organizuan para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, kurse këto që u mbajtën dje dhe ato të cilat u mbajtën sot, janë pjesë e fushatës. Dhe, të gjithë qytetarët e kanë frikën nga instrumentalizimi politik i shprehjes së qëndrimeve të tyre, kjo frikë s’ka të bëjë vetëm me daljen në protesta, por kjo frikë është evidente në çdo qëndrim publik në çfarëdo shprehje qëndrimi”.

“Intensiteti, apo masiviteti i çdo proteste, ndërlidhet me këtë moment dhe assesi me diçka tjetër. Mendoj se ky është faktori vendimtar që ka ulur intensitetin e daljes së qytetarëve në protesta, pra ka filluar fushata dhe ata kanë frikë mos instrumentalizohen për qëllime politike”,
ka theksuar Ramadani.

Analistët, gjithashtu, konsiderojnë se mungesa e protestave nuk do të thotë se problemet janë zgjidhur, por vetëm se ata nuk duan të jenë pjesë e manipulimeve politike dhe gjithsesi revoltën do ta shprehin pas zgjedhjeve.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit qytetar “Most”, që për disa vjet monitoron procesin zgjedhor me më shumë se 200 vëzhgues, ka deklaruar se keqpërdorim i fëmijëve nga politikëbërësit është konstatuar me praninë e të miturve në kuadër të mitingjeve që organizojnë partitë politike.

“Ne kemi konstatuar se në disa raste keqpërdoren të miturit duke u bërë pjesë e mitingjeve të partive politike, kjo nuk është e lejueshme për një shtet që mëton të respektojë të drejtat e qytetarëve”, ka thënë Darko Aleksov, kryetar i Asociacionit qytetar “MOST”.
XS
SM
MD
LG