Ndërlidhjet

Thaçi pret marrëveshje më 2 prill


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Takimi i 2 prillit në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshje të mundshme ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një raportimi para Kuvendit.

Pala kosovare në këto bisedime, sipas tij, shkon e përgatitur dhe është e gatshme për marrëveshje.

Kurse presioni për arritjen e marrëveshjes është i drejtuar kah Serbia, ka thënë kryeministri i Kosovës.

"Është e qartë që 2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshje. Ne jemi shumë komod me atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është në tavolinë sot, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe Pakon e presidentit Ahtisaari dhe standardet evropiane. Shkojmë në Bruksel të gatshëm për të përmbyllur këtë kapitull”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se qëllimi i Beogradit në këtë dialog është që të instalojë pushtetin e tretë qeverisës në Kosovë. Kjo kërkesë, sipas tij, është e papranueshme dhe se Kosova nuk do të instaloj brenda saj ndonjë autonomi apo Republikë Serbe.

Nuk do të zgjidhim një problem duke krijuar një problem tjetër edhe më të madh. Nuk do të lejojmë që të riciklojnë në Kosovë modelet e dështuara të rajonit, qoftë ai i 'Republika Srpskës' (në Bosnje) ndonjë ndarje e Kosovës, autonomi, status special, ndonjë Ahtisaari plus apo ndonjë status i modelit të Tirolit apo Katalonisë”, është shprehur Thaçi.

Raportimi i kryeministrit, kësaj radhe ishte më i shkurtër, por jo edhe debatet parlamentare.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti tha se fjalimi i kryeministrit në lidhje me dialogun me Serbinë ishte i karakterit festiv, çka sipas tij nuk mund të qëndrojë.

Hamiti iu drejtua kryeministrit se nëse nuk ka presion ndërkombëtar, atëherë pse duhet nxituar domosdo që marrëveshja të arrihet më 2 prill.

“Nuk është e thënë që kjo marrëveshje të bëhet vetëm me 2 dhe assesi me 3, 4 apo 5 prill. Aq më tepër kur kryeministri na tha që brengat le të bien mbi Serbinë, sepse ata e kanë vështirë sepse ne e kemi shumë lehtë. Atëherë ne nuk kemi kurrfarë urgjence”, ka deklaruar Hamiti.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se raportimi i kryeministrit për bisedimet është një farsë, pasi që mediat tashmë kanë publikuar një dokument të baroneshës Catherine Ashton, përderisa Thaçi nuk kishte përmendur me asnjë fjalë atë.

Kosova po ndahet në dy pjesë, në pjesën serbe dhe në atë multietnike, ku njëra pjesë ma më shumë pavarësi sesa tjetra. Pjesës serbe nuk mund t’i imponojë askush asgjë, as autoriteti qendror në Prishtinë, ndërsa pjesa tjetër multietnike mbetet e varur nga vetoja edhe për çështjet e brendshme nga pjesa serbe. Kjo është më zi sesa në Bosnje. E në çfarë gjendje e solle këtë vend, o Hashim Thaçi!”, është shprehur deputeti Aliu.

Gjatë këtij debati, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar se një dokument tetë pikësh i publikuar në mediat serbe në lidhje me kompetencat e asociacionit të komunave serbe ishte i saktë dhe se mbi të është duke u negociuar në Bruksel.

Ai tha se pala kosovare ka kërkuar që pikat 1 dhe 3 të ndryshohen, kurse për pikën 6 është kërkuar të hiqet nga dokumenti.

Plani 8 pikësh

Plani 8 pikësh i baroneshës Catherine Ashton për kompetencat dhe organizimin e asociacionit të komunave serbe i publikuar në media, u konfirmua si i saktë gjatë raportimit të qeverisë para Kuvendit të Kosovës. Ky plan u tha se është në tavolinë, ndërkaq pala kosovare ka kërkuar ndryshimin e pikave 1 dhe 3 dhe heqjen e pikës 6.

Mbi bazën e këtij plani, pritet që Prishtina dhe Beogradi, eventualisht të arrijnë edhe marrëveshje politike në takimin e 2 prillit në Bruksel.

Më poshtë e publikojmë përmbajtjen e tij:

1. Asociacioni/Bashkësia e komunave serbe do të themelohet nga komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe do ta manifestojë identitetin e tyre;

2. Asociacioni/Bashkësia do të ketë statutin e vet personal. Mund të shpërndahet vetëm me vendimin e komunave që marrin pjesë në te dhe në harmoni me procedurën parashikuar me statut.

3. Struktura e Asociacionit/Bashkësisë do të formohet në bazë të modalitetit që e përmbajnë statutet ekzistuese të komunave të Kosovës.

4. Në harmoni me Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe me ligjet e Kosovës, komunat përkatëse mund të vendosin nëse do t’i ndajnë kompetencat dhe t’i kryejnë ato me anë të Asociacionit/ Bashkësisë.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ketë kontrollin e përgjithshëm strategjik në fushat sikurse janë: zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia dhe çështjet tjera lokale me rëndësi dhe interes të përgjithshëm.

6. Asociacioni/Bashkësia do t’i kryejë kompetencat shtesë të cilat në të ardhmen mund t’u ndahen komunave nga pushteti qendror.

7. Asociacioni/Bashkësia do ta përfaqësojë bashkësinë serbe para autoriteteve qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë karrige në Këshillin konsultativ të bashkësive.

8. Zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat veriore, në vitin 2013, me ndihmën e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në harmoni me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG