Ndërlidhjet

Mungesë debatesh mes kandidatëve


Shkup
Shkup
Partitë politike në Maqedoni në mesnatën e së premtes mbyllin fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen të dielën në 29 komuna të vendit, si dhe në Shkup, si njësi e veçantë administrative.

Ndërsa, në komunën e Strumicës dhe Dollnenit, do të mbahen rivotime për raundin e parë, për shkak të parregullsive.

Partitë politike shqiptare, mes vete, garën për të drejtuar komunat e zhvillojnë në Tetovë, Gostivar, Çair, Haraçinë, Vrapçishte, Tearcë. Në Strugë gara për kryetar komune zhvillohet mbi baza etnike.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilat ndjekin procesin zgjedhor, u kanë bërë apel qytetarëve të dalin në mënyrë sa më masive në ditën e zgjedhjeve për të realizuar të drejtën e votës dhe të mos bien pre e provokimeve të ndryshme.

Organizata jo qeveritare Civil – Qendra për Liri, e cila i ka vazhduar aktivitetet e veta në kuadër të projektit “Zgjedhje të lira dhe pa dhunë”, edhe raundin e dytë, vlerëson se pavarësisht vërejtjeve të bëra nga kjo organizatë si dhe institucionet tjera për parregullsitë e shumta që u shfaqën gjatë ciklit të parë zgjedhor, në komunat ku përsëriten zgjedhjet mbretëron një atmosferë e tendosur, me ç’rast qytetarëve u kufizohet e drejta e shprehjes së lirë të vullnetit.

“Indikacionet tona se qytetarët janë në një gjendje të tensionuar nga kërcënimet e ndryshme, veçanërisht në komunat ku realizohet raundi i dytë i zgjedhjeve, janë të shumta. Tashmë ka një gërshetim mes premtimeve dhe kërcënimeve, që paraqet demonstrim fuqie, që në fund përfundon me parimin më mirë të votoni për mua, përndryshe nuk u shkruhet mirë”.

“Pra, kategori të ndryshme ballafaqohen me kërcënime të ndryshme, për largim nga puna ata personalisht, largimi i familjarëve nga puna, ata që marrin ndihmë sociale, se do t’u ndërpritet ajo, studentët shantazhohen me heqjen e bursave etj”,
thotë Albulena Karaga projekt-menaxhere në Qendrën për Liri, e cila monitoron procesin zgjedhor.

Karaga potencon se një numër i madh pjesëmarrësish në procesin zgjedhor vazhdojnë me veprimet e njëjta joligjore, të cilat ishin regjistruar gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të raundit të parë zgjedhor.

“Keqpërdorimi i resurseve publike, si në nivel shtetëror, ashtu dhe atë lokal, vazhdon edhe më tej të jetë shumë i pranishëm, madje në masë të theksuar i intensifikuar. Gjuha e urrejtjes gjithashtu vazhdon të jetë edhe më tej prezent, sidomos në rrjetet sociale, po edhe në materialet që shpërndahen gjithandej. Bëhen premtime për benifite të ndryshme, si dhe është prezent presioni mbi komunitetet etnike më të vogla”, thekson Karaga.

Nga ana tjetër, komunikologët, duke analizuar procesin e zgjedhjeve vendore dhe prezantimin mediatik, thonë se për herë të parë në masë të theksuar, mungon debati televiziv, gjegjësisht ballafaqimi ndërmjet konkurrentëve për të shpalosur ofertat e tyre që flet për një ngecje në aspektin e krijimit të opinionit, si vlerë shumë e rëndësishme demokratike.

“Kjo paraqet një humbje të madhe për zhvillimin demokratik të shtetit, ngase ballafaqimi direkt i kandidatëve në debate të hapura qoftë në TV ose radio, është mundësia më e mirë që votuesit të njoftohen me ofertat e atyre që pretendojnë t’i drejtojnë komunat. Kjo është rrjedhoje e tendencës së shtabeve zgjedhore që me çdo kusht të mbajnë nën kontroll të plotë imazhin e kandidatëve që garojnë në zgjedhje”, thekson Petar Arsovski, nga agjencia “Marketing”.

Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetarë komunash.

Sipas Ligjit për decentralizim, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në raundin e parë, para dy javësh, në Maqedoni u shënua një jehonë e madhe e daljes në votim, me mbi 67 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
XS
SM
MD
LG