Ndërlidhjet

Çfarë po ndodh në Guantanamo?


Guantanamo
Guantanamo
Në fillim të muajit shkurt, komandanti i një kampi në Guantanamo ka rinisur një politikë të vitit 2006, duke u kërkuar të burgosurve Kuran-et per kontrabandë të mundshme. Disa të burgosur kanë nisur të refuzojnë ushqimin për të kundërshtuar këtë veprim, të cilësuar nga ta si përdhosje. Në javët e fundit, grevës i janë bashkuar shumë të tjerë.

Avokati amerikan, Davd Remes, përfaqëson 15 të burgosur – së paku gjashtë prej të cilëve janë në grevë. Ai ka vizituar qendrën e burgut pak javë më parë dhe ka folur me telefon me dy nga klientët e tij, më 29 mars.

“Më kanë thënë se greva e urisë po vazhdon të përhapet. Sipas tyre, pothuajse të gjithë në Kampin 6, i cili është më i populluari në burg, refuzojnë ushqimin dhe janë të vendosur të vazhdojnë derisa të arrijnë qëllimin – edhe nëse kjo do të thotë uri deri në vdekje”, thotë Remes.

Ai beson se disa nga grevistët do të nisin të hanë nëse ndalon kërkimi i Kuranit, por jo të gjithë.

“...sepse, greva ka zgjatur aq shumë, qëllimet janë zgjeruar përtej qëllimit fillestar dhe tani protestohet kundër faktit që mbahen për një kohë të pacaktuar, pa padi dhe me asnjë zgjidhje në horizont”, thotë Remes.

Prapa grilave në Guantanamo vazhdojnë të mbesin 166 të burgosur nën dyshimet për terrorizëm, 89 prej të cilëve vijnë nga Jemeni. Nga ata 166, administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka urdhëruar që 86 të transferohen në vendet e tyre ose në vende të treta.

Dyzetegjashtë përballen me burgim të pacaktuar, sepse rregullat amerikane për provat kanë parandaluar ngritjen e akuzave, por, në të njëjtën kohë, ata konsiderohen si tejet të rrezikshëm për t’u liruar.

Gjashtë të burgosur, ndërkaq, janë në fazën e gjykimit aktiv dhe të tjerët që kanë mbetur, janë pjesë e hetimeve të vazhdueshme.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “duke vëzhguar nga afër situatën”. Ka mospërputhje për numrin e të burgosurve në grevë urie. Më 1 prill, Pentagoni ka thënë se 39 të burgosur janë duke refuzuar vazhdimisht ushqimin, ndërsa avokatët e tyre thonë se numri i grevistëve është afër 130.

Ajo çfarë është e qartë, është se autoritetet në Guantanamo janë duke ushqyer me forcë së paku 11 të burgosur grevistë, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Todd Breasseale.

“Kjo është e saktë. Ne nuk do të lejojmë që të burgosurit të dëmtojnë veten. Ne vëzhgojmë kushtet e tyre në baza ditore dhe, nëse është e nevojshme, në bazë të udhëzimeve që përcakton Byroja Amerikane e të Burgosurve, i ushqejmë ata”, thotë Breasseale.

Praktikat e ushtrisë amerikane për t’i ushqyer të burgosurit me forcë, duke u futur një gyp në hundë, i cili kalon poshtë fytit dhe bart ushqimin në stomak, nga avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut konsiderohen si të paligjshme, e madje edhe si formë e torturës.

Ato janë sfiduar pa sukses në gjykatat e Shteteve të Bashkuara, ku janë cilësuar si shkelje e Aktit të Trajtimit të të Burgosurve, i cili ndalon trajtimin mizor ose degradues.

Komisioni për të Drejta të Njeriut i Kombeve të Bashkuara konsideron se të ushqyerit me forcë në Guantanamo është një formë e torturës, ndërsa Shoqata Botërore Mjekësore ndalon mjekët e saj të marrin pjesë në këtë formë të të ushqyerit.

Ushtria, ndërkaq, thotë se të ushqyerit me forcë shpëton jetë dhe se është formë e “ndërhyrjes mjekësore”.

Presidenti Obama, qysh në ditën e parë të detyrës, ka nënshkruar një urdhër për mbylljen e objektit në Guantanamo brenda një viti. Por, plani i tij ka hasur në bllokadë, kur një gjykatës ushtarak ka refuzura përpjekjen e Departamentit të Drejtësisë për të gjykuar të burgosurit në gjykatë ushtarake.

Senati amerikan ka ndaluar pastaj përdorimin e fondeve publike për të transferuar ose liruar ndonjë të burgosur. Dy vjet më vonë, Obama ka urdhëruar përgatitjen e një burgu të sigurisë së lartë në SHBA, për të pranuar të burgosurit e Guantanamos, por Kongresi ka bllokuar po ashtu nismën.

Më 27 mars, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Obama “mbetet i angazhuar për të mbyllur objektin e burgimit në Guantanamo”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG