Ndërlidhjet

Festë, e me një varg problemesh


Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë
Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë
Problemet e 15 mijë romëve të cilët jetojnë në Kosovë fillojnë nga mungesa e shkollimit, kujdesit shëndetësor e deri te gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale.

Nga 15 mijë romë, thuhet se 85 për qind e tyre nuk e kanë të kryer shkollën fillore, ndërkaq 90 për qind nuk janë të punësuar dhe rrjedhimisht jetojnë në varfëri të skajshme.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, e cila shënohet që nga viti 1971, ky komunitet në Kosovë kërkon kushte më të mira për jetuar.

Esat Gashi jeton në Fushë Kosovë. Ai sot bashkë më bashkëqytetarët e tij po e festojnë ditën e romëve, datë kjo e cila shënon ditën kur është caktuar flamuri dhe himni rom.

Sot kemi dalë dhe po festojmë. Është dita jonë. Por, edhe në këtë ditë neve na mungojnë shumë gjëra, e më së shumti puna. Jetojmë një jetë në kushte të vështira ekonomike. Nëse nuk ke dikë në shtetet evropiane për të ndihmuar, këtu në Kosovë vdes urie”, shprehet Gashi.

Për të shënuar këtë ditë, në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, ka festuar edhe Faton Berisha, rom, po ashtu nga Fushë Kosova.

Berisha tregon se jeta e romëve në Kosovë është mjaft e vështirë, pasi që, siç thekson ai, mungojnë shumë gjëra elementare për jetë.

Berisha kërkon më shumë vende të lira pune për komunitetin rom.

Sot është dita jonë. Po festojmë sot, është mirë, por na mungon punësimi. Jemi pa punë edhe unë edhe vëllai im”, thotë Berisha, duke shtuar se jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale.

Komuniteti rom, njihet zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Për këtë komunitet ekzistojnë edhe strategji të cilat janë hartuar nga Qeveria e Kosovës, strategji këto të cilat iu mundësojnë romëve edukim, përfaqësim dhe riatdhesim.

Por, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare të cilat merren me përkujdesje të këtij komunitetit, kjo strategji nuk ka gjetur zbatim.

Bekim Syla nga organizata joqeveritare për romë, ashkali dhe egjiptas thotë se përveç shoqërisë civile që merret me projekte të cilat ndihmojnë romët, institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë diçka konkrete.

"Nga ana e qeverisë, sa i përket strategjisë nuk ka bërë diçka për zbatimin e saj. Shumica e familjeve rome, mbi 90 për qind varen nga asistenca sociale. Sa i përket punësimit te ky komunitet, është shumë i ulët”, thekson Syla për Radion Evropa e Lirë.

Një studim i bërë vitin e kaluar mbi romët e Evropës i kryer nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara kanë gjetur se vetëm 15 për qind e këtij minoriteti ka përfunduar shkollimin e mesëm, dhe më shumë se 90 për qind jetojnë nën kufirin e varfërisë në vendet përkatëse.

Avdi Misini, redaktor i lajmeve në gjuhën rome në Radio Televizionin e Kosovës, konsideron se romët jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet tjera kanë qenë një ndër komunitet më të margjinalizuara, për faktin që pjesa më e madhe e këtyre njerëzve jetojnë në një varfëri të skajshëm dhe shumica nga ta nuk janë të shkolluar.

Megjithatë, Misini thekson se edhe komuniteti rom duhet të jetë vetiniciator për përmirësimin e jetës së tyre.

“Romët duhet të jenë pak më iniciator për të qenë pjesë e një shoqërie dhe për tu kyçur në procese. E vetmja gjë që i mungon komuniteti romë është punësimi dhe rritja e numrit të shkolluarve. Mendoj se më ndihmën e Qeverisë së Kosovës me një gjendje stabile ose solide financiare dhe më një nivel të mirë të arsimit, komuniteti romë në Kosovë, do të jetë në një pozitë shumë më të mirë se ajo në shtetet tjera. Gjëja e vetme që komuniteti rom dëshiron është te jenë të barabartë më të tjerët”, shprehet Misini për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Romëve është paqe për të gjithë romët në një botë pa diskriminim, racizëm dhe luftë.
XS
SM
MD
LG