Ndërlidhjet

Maqedoni: Insisitim për zgjidhjen e emrit


Pamje nga Shkupi
Pas vizitës javën e kaluar të komisionerit për zgjerim, Stefan Fule, nesër në Maqedoni vjen Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Vizita e saj edhe pse nga zyrtarët interpretohet si normale dhe në kuadër të turneut së saj në disa vende të Ballkanit, njohësit e zhvillimeve politike, thonë se Ashton do të vazhdojë me porositë për zgjidhjen e shpejtë të kontestit me emrin që Maqedonia të mund të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ishte Fyle para një jave, tani vjen Ashton që është person kyç për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, pra, vizita e saj nuk është e rastësishme, d.m.th ka më shumë sinjale se ata insistojnë në zgjedhjen e kontestit. Por, unë nuk e kuptoj palën maqedonase e cila sillet sikur ne të jemi jashtë kontestit, sikur ai të mos ketë të bëj me ne, kjo është paradoksale pasi punën më të madhe duhet ta bëjmë vet".

"Komisioneri për zgjerim Fule tha javën e kaluar se nuk e di se edhe sa vite do të prisni para dyerve të BE-së, pra porosia e tij ishte se ne vetë duhet ta zgjidhim kontestin dhe fillojmë negociatat”, deklaroi Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, në opinion vazhdon të komentohet një kolumne e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për mediat në gjuhën maqedonase, përmes të cilës ai i bënë thirrje publike kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjidhjen e kontestiti me Greqinë.

Ahmeti ka thënë se tani është momenti kur duhet shfrytëzuar hapësira e krijuar për të sjellë vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Maqedoninë.

“Ne kemi pasur durimin, mirëkuptimin për ndjenjat e shumicës. Kemi pritur me një përgjegjësi dhe mirëkuptim. Por, ka ardhur momenti kur nuk duhet të mungoj guximi dhe vendimi që të bëhen të gjitha që janë në përgjegjësinë tonë për të hequr çdo pengesë që të jemi aty ku duhet të jemi: pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Për ne, ky vendim nuk mund të ketë alternativë”, ka shkruar veç tjerash Ahmeti partia e të cilit, BDI-ja merr pjesë në qeverinë aktuale.

Nga VMRO-DPMNE-ja nuk ka komentuar këtë thirrje të partnerit të saj, ndërkohë, që analistët thonë se reagimi i Ahmetit është me vend.

Republika e Maqedonisë ndodhet në një fazë vendimtare kur ky problem patjetër duhet të zgjidhet. Qëndrimi i Ali Ahmetit është i njohur pavarësisht politikës që udhëheqë ky koalicion qeveritar se Maqedonia me çdo kusht duhet të anëtarësohet në NATO. Ai këtë elektoratit të tij në vazhdimësi ia ka premtuar pasi me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, ai në një mënyrë do ti arrinte synimet e tij që nga viti 2001 për lidhjen e të gjithë shqiptarëve në këto hapësira".

"Pra, mendoj se është normale që Ahmeti të vazhdojnë presionet ndaj parnterit të tij qeveritar Nikolla Gruevski për zgjidhjen sa më parë të çështjes së emrit”, thotë Bllagoja Markovski, nga instituti Euro-Ballkan.

Por, sa kryeministri Gruevski do të merr në konsideratë këto qëndrime të partnerit të tij shqiptar në qeveri apo edhe të faktorëve tjerë ndërkombëtar, të cilët, në vazhdimësi bëjnë thirrje për zhbllokimin e procesit integrues?

“Kryeministri Gruevski mbetet fortë pas qëndrimit për mosndryshimin e emrit, por, nga ana tjetër, po bëhet gjithnjë e më e dukshme se ai megjithatë i ka dhënë garanci BE-së se gjatë kësaj periudhe do të angazhohet që të arrihet ndonjë zgjidhje për kontestin".

"Sidoqoftë, mendoj se duhet pritur raportin e Komisionit Evropian për të parë nëse do të sjellë ndonjë ndryshim të madh në raport me procesin e integrimit, edhe pse unë nuk jam shumë optimist”, shprehet Bllagoja Markovski.

duke theksuar se mesazhe për zgjidhjen e kontestit do të vijnë edhe gjatë vizitës së nesërme në Shkupi të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG