Ndërlidhjet

Ashton në Shkup: Zgjidhni kontestin e emrit!


Kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, në Shkup - 16 prill 2013.
Bashkimi Evropian pret zgjidhjen e kontestit me emrin që është edhe vendimtar për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Kjo ishte porosia kryesore e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, pas takimeve që ka zhvilluar të martën në Shkup me drejtuesit e lartë shtetërorë dhe disa nga liderët e partive politike.

Baronesha Ashton si shumë të rëndësishëm për rrumbullaksimin e procesit integrues e ka vlerësuar propozimin e fundit të ndërmjetësit të OKB-së, Mejtu Nimic. Maqedonia, sipas saj, alternativë tjetër nuk ka përveç zgjidhjes së kontestit me Greqinë.

“Është e nevojshme që diskutimet shumëvjeçare për emrin të sillen në konkluzionin përfundimtar, pa shtyrje të mëtejme. Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë përpjekjet e ndëmrjetësit Metju Nimic. Jam e vëtëdijshme se është vështirë të veprohet, por kjo është më e rëndësishmja që duhet të bëni - alternativë tjetër nuk ka që të ecni përpara. Kjo është mënyra e vetme për përparim në rrugën drejt BE-së. Bashkimi Evropian dëshiron t’ju shohë si pjesë e Unionit, por integrimi duhet të fillojë nga shtëpia”, ka porositur Ashton.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së gjithashtu ka thënë se është e impresionuar me gatishmërinë e qytetarëve të Maqedoninë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Ashton ka theksuar se “për arritjen e këtij qëllimi nevojitet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit”.

Baronesha Ashton ka folur edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së marsit mes pozitës dhe opozitës, për zbardhjen e incidentit të 24 dhjetorit në Kuvend, si dhe vazhdimin e dialogut me gazetarët për lirinë e mediave.

Ajo ka thënë se liderët politikë duhet të jenë të hapur për dialog konstruktiv për të gjitha çështjet e hapura.

Pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, përmes komunikatave janë prononcuar presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe kryeministri Nikolla Gruevski.

“Marrja e datës do të ishte stimul shtesë për shtetin që edhe më shumë të përqëndrohet në përmbushjen e agjendës evropiane. Me këtë, njëherësh, do të përforcohej edhe më shumë besimi i qytetarëve ndaj institucioneve evropiane”, ka theksuar presidenti Ivanov.

Ndërkohë, nga kabineti i kryeministrit bëhet e ditur se Gruevski i ka bërë me dije baroneshës Ashton se “Maqedonia mbetet e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme me Greqinë, në kuadër të negociatave që po zhvillohen nën patronatin e OKB-së”.

Gruevski gjithashtu ka theksuar përkushtimin e qeverisë për ngritjen e mëtejme të raporteve me shtetet fqinje, në veçanti me Greqinë dhe Bullgarinë, me të cilat Maqedonia ka konteste të ndryshme.

Pas takimit me Ashtonin është prononcuar edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Nuk mendoj se është presion, është një moment i rëndësishëm që duhet të afrohemi, të afrojmë qëndrimet, ka një interesim të madh nga të gjithë fqinjët tanë që të ndihmojnë në zgjidhjen e kontestit. Është një çështje shumë e rëndësishme për relaksimin e raporteve ndërfqinjësore, për relaksimin e raporteve në tërësi në Ballkanin perëndimor. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO prodhon stabilitet, anëtarësimi në NATO hap rrugën edhe drejt anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë presin ditë më të mira, presin zhvillime më të mëdha në të gjitha segmentet”, ka theksuar Ahmeti.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, gjatë vizitës së saj në Maqedoni është takuar edhe me liderin e opozitës, Branko Cërvenkovski, por pas takimit kreu i LSDM-së nuk është prononcuar për mediat.

Vizita e baroneshës Ashton vjen në ditën kur edhe është publikuar raporti i KE-së për Maqedoninë, në të cilin theksohet progresi i arritur për reformat, por pa caktimin e datës për nisjen e bisedimeve me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG