Ndërlidhjet

Partitë politike thellojnë ndasitë etnike

Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia në zgjedhjet e fundit, ka dëshmuar se është shumë larg ndërtimit të shtetit multi- etnik me vlera të larta demokratike, ku interesat e qytetarëve do të vendosen në plan të parë, thonë njohësit e rrethanave politike në Maqedoni.

Ata theksojnë se kohën e fundit edhe më shumë ka dalë në pah ndarja në baza etnike e partive politike , duke lënë nën hije tërësisht ofertat e tyre për zgjedhjen e problemeve konkrete dhe duke anashkaluar tërësisht konceptin ideor, mbi të cilin funksionojnë partitë politike.

Mirjana Najcevska, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, konsideron se ndasitë në baza etnike të partive politike dhe jo mbi bazë të konceptit ideor, flasin qartë se sistemi demokratik në Maqedoni ngrihet mbi shtylla të gabuara.

“Nuk shtrohet pyetja se a mundet, por më duhet të theksoj se partitë politike është koha e fundit që të fillojnë të mendojnë për një funksionim mbi baza ideologjike. Një gjë e tillë do të ndodhë në momentin që partitë politike do të ofrojnë programe konkrete për problemet që prekin interesat e qytetarëve dhe jo siç ndodh aktualisht, oferta e vetme është nacionalizmi i shprehur si te partitë politike maqedonase, ashtu edhe tek ato shqiptare”, thotë Najcevska.

Arsim Sinani, ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thekson se nxitja e nacionalizmave për interesa partiake, paraqet rrezik për të ardhmen e vendit, ngase përkeqësimi i raporteve ndëretnike, jo rrallëherë është dëshmuar se mund të dalë lehtë nga kontrolli.

“Partitë politike në Maqedoni ushqim shpirtëror e kanë nacionalizmin, ngase ky nacionalizëm i mban në pushtet dhe kushtimisht thënë, me këtë ushqim të kontaminuar politikë-bërësit e ushqejnë elektoratin duke synuar vetëm fitimin e besimit të elektoratit".

"Kjo bën që të jemi larg standardeve që kërkohen nga ne nga ana e institucioneve ndërkombëtare dhe me të drejtë ata, në vazhdimësi na kritikojnë për mospërmbushje të kritereve”, thekson Sinani.

Sipas Sinanit, të rinjtë shqiptarë dhe ata maqedonas kanë kërkesa identike, vende pune, sistem më të mirë arsimor që garanton një të ardhme më të sigurt. E, në mungesë të realizimit të këtyre kërkesave, partitë politike servojnë fitore mbi planin etnik që është për të ardhur keq në këtë moment që Maqedonia mëton të jetë pjesë e familjes evropiane.

Nga ana tjetër, Urania Pivovarova, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, thotë se ndasitë e partive politike në baza etnike, paraqesin kërcënim për demokracinë e vendit.

Ajo konsideron se organizatat joqeveritare mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm duke promovuar ato kërkesa ku puqen interesat, si të maqedonasve, ashtu dhe shqiptarëve, ngritjen e ideve të përbashkëta që s'arrijnë dot ta bëjnë partitë politike.

“Organizata joqeveritare janë ato që kanë mundësi të pasqyrojnë një realitet ndryshe nga ajo që u servohet në media, të cilat në masë të konsiderueshme janë të kontrolluara nga Qeveria, pos serive turke dhe atyre latine. Sektori civil me aktivitete konkrete, duhet t`i bëjë ballë gjuhës së urrejtjes mes etniteteve, veçanërisht mes të rinjve të cilët kanë interesa të ngjashme - sigurimin e një jete më të mirë", shprehet Pivovarova.
XS
SM
MD
LG