Ndërlidhjet

Të rinjtë të përfshirë në ekonominë joformale


Shkup...
Shkup...

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Maqedonia paraqet një nga vendet e rajonit me numrin më të madh të të rinjve - mbi 55 për qind - të cilët nuk angazhohen për të ushtruar profesionin e tyre para të tridhjetave.

Në rrethana të këtilla, të rinjtë thonë se meqë nuk duan të jetojnë në kurriz të prindërve, edhe pasi kanë kryer studimet, janë të detyruar të pranojnë çfarëdo pune që u ofrohet.

“Nëse pronari pranon që t`i bartë pasojat nëse kapet nga Inspektorati i punës dhe politikës sociale, gjithsesi se do të punoj. Unë punoj dhe marr rrogë që për momentin nuk është dhe aq e leverdishme për mua, por është mundësia më e mirë që më ofrohet”, thotë Marija.

“Momentalisht, s'ka punë këtu, është bërë krizë shumë e madhe, punësime nuk ka, fukarallëk i madh... Ja, po punoj me lule, por edhe këtu s`del gjë", thotë Nuhiu, shitës i luleve në rrugë, i cili në pyetjen tonë nëse është paraqitur në entin për punësim, thotë:

"Po tani, bëhen më shumë se dhjet vjet. Jam paraqitur në byro, po s'ka asgjë në këtë drejtim. Si të mos kesh dikë kujt t'i japësh para, s'gjen punë shteti - ashtu ka ardhur puna”.

Ndërkaq, Anastasia shprehet:

"Po tani po, do të punoj në të zezë, por pas disa vjetësh gjithsesi se do të doja të jem e paraqitur në fondin pensional dhe njëkohësisht të kem dhe sigurim shëndetësor”.

Edhe hulumtimet e organizatës joqeveritare "REAKTOR" nxjerrin në pah se të rinjtë në Maqedoni e kanë shumë vështirë të gjejnë një vend pune.

“Në Maqedoni një i ri nëse i takon gjinisë mashkullore, mesatarisht shtatë vjet nuk arrin të gjejë punë, gjersa gjendja është edhe më e vështirë nëse i takon gjinisë femërore, atëherë për punë pritet pothuajse nëntë vjet, pasi të ketë kryer arsimimin përkatës. Imagjinoni sa mund të ngelë entuziazëm për t'u dëshmuar pas një kohe të gjatë pritjeje”, thotë Neda Korunovska, nga shoqëria civile.

Ndërkaq, Artan Sadiku, nga organizata joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve "SOLIDARNOST", thotë se janë organet shtetërore ato, të cilat për të ruajtur mirëqenien sociale, mundësojnë punësimin e të rinjve në ekonominë joformale.

“Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në organet shtetërore, të cilat lejojnë zhvillimin në masë të madhe të ekonomisë joformale, të rinjtë pësojnë avantazhe të shumëfishta që me fillimin e karrierës së tyre. Kjo është një kontratë e heshtur mes Qeverisë dhe punëdhënësit me qëllim që këtyre të fundit u mundësohet duke mos paguar kontribute për punëtorët e angazhuar në mënyrë joformale, të rrisin profitet e tyre dhe qeveria ruan qetësinë sociale”, thekson Sadiku, duke shtuar se të rinjtë, të cilët ekzistencën e sigurojnë duke qenë pjesë e ekonomisë gri, janë në humbje disafish.

“E para është se ata nuk mund t'i gëzojnë të drejtat e punëtorëve që ua garanton Ligji për marrëdhënie të punës. E dyta, për ta nuk paguhen kontributet për sigurimin pensional, shëndetësor dhe atë invalidor, me çka të rinjtë që nga fillimi i karrierës së tyre në punë gjenden në kushte të disavantazhit dhe atyre u pamundësohet kështu trajnimi adekuat, profesionalizimi i mëtejshëm, avancimi në vendin e punës konform ligjit për ngritje profesionale sipas sistemit meritor. Me këtë kjo gjeneratë e re, e cila futet në marrëdhënie pune, ka qasje vetëm në ato vende pune që akoma edhe më shumë i frustrojnë dhe ua shkurtojnë ato aftësi që i kanë, apo për çka janë arsimuar”, shpjegon Sadiku.

Ndërkaq, Rade Nenadiq, drejtues i një nga agjencitë që sigurojnë punë të përkohshme, thotë se punëdhënësit zakonisht i keqpërdorin të rinjtë e moshave më të reja.

“Përmes arsyetimeve të ndryshme se ata trajnohen për një kohë të caktuar ose realizojnë praktikën, punëdhënësit atyre u japin paga minimale për punën e kryer, duke mos paguar as sigurimin pensional dhe as sigurimin shëndetësor dhe njëkohësisht anashkalojnë sanksionet e parapara me ligj”, pohon Nenadiq.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë, përmes fushatave të ndryshme u bën thirrje të rinjve që të refuzojnë punë në ekonominë joformale.

Ministri i punës dhe politikës sociale, Spiro Ristovski, thekson se organet përkatëse inspektojnë të gjitha ndërmarrjet e vendit dhe se nuk do të kenë mëshirë ndaj asnjë pronari që shkel Ligjin dhe që i mban punëtorë të paparaqitur.

Po sipas të dhënave nga dikasteri i punës dhe politikës sociale, në këto katër vjetët e fundit, numri i punëtorëve të paparaqitur në Entin e Punësimit, ka rënë në 4 herë më pak. Në vitin 2009, inspektorët kishin gjetur 3,300 punëtorë të paligjshëm, ndërsa në vitin 2012, ky numër është vetëm 830 .
XS
SM
MD
LG