Ndërlidhjet

Rruga për OBT


Organizata Botërore e Tregtisë
Organizata Botërore e Tregtisë

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë është shumë me rëndësi për ekonominë e përgjithshme, veçanërisht për komunitetin e biznesit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Në këtë kuadër, ata kërkojnë nga institucionet kompetente që të përfundojnë përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Haki Shatri, ekspert për çështje ekonomike, njëherësh ish-ministër i Ekonomisë, thotë se autoritetet qeveritare po e neglizhojnë këtë çështje, për shkak të mosseriozitetit karshi këtij procesi.

Ai konsideron se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm, është një ndër faktorët kryesorë që mund të stimulojë ndryshimet e nevojshme me këmbimet ndërkombëtare tregtare.

“Nuk është çudi që këto institucione që kemi ne, e neglizhojnë këtë dhe nuk veprojnë për arsye se nuk e kanë në agjendë as zhvillimin, as ndryshimet strukturore në ekonomi, as për mirëqenien. Siç po shihet, prioritete janë përfitimet e tyre personale të shpejta”, thotë Shatri.

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, do të jetë sinjal pozitiv edhe për investitorët e huaj, sepse me këtë Republika e Kosovës do të njihet si destinacion ku respektohen të drejtat ndërkombëtare të Tregtisë, konsideron eksperti tjetër i ekonomisë, Flamur Keqa.

Ai, ndërkaq, vlerëson se të qenët anëtar i OBT-së, ndikon te prodhuesit kosovar.

“Të qenët pjesë e OBT-së i hap dyert për bizneset kosovare, në mënyrë që me produktet e tyre, që po supozojnë se kanë kualitet dhe i përmbushin standardet ndërkombëtare, të depërtojnë dhe të hyjnë në tregjet, qoftë evropiane dhe më gjerë dhe të hiqen barrierat, të cilat ekzistojnë midis shteteve të ndryshme sa i përket tregtisë”, shprehet Keqa.

Haki Shatri shprehet se anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare, do të mundësonte rritjen e eksportit të produkteve kosovare.
...pranimi në organizata ndërkombëtare, në cilëndo qoftë, është i mirë, sepse efektet e saj menjëherë mund të shprehen pozitivisht, në këmbimin tregtar të mallrave.

“Asnjë vend në rajon dhe në botë nuk është në pozitë më të keqe se Kosova. Ne gjithçka importojmë dhe asgjë nuk eksportojmë, i kemi humbur tregjet që dikur ka pasur Kosova. Prandaj, pranimi në organizata ndërkombëtare, në cilëndo qoftë, është i mirë, sepse efektet e saj menjëherë mund të shprehen pozitivisht, në këmbimin tregtar të mallrave”, vlerëson Shatri.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë më herët kanë deklaruar se përgatitjet për anëtarësim kanë filluar vite më parë, por ende nuk është vendosur se në çfarë modaliteti do të aplikojnë për anëtarësim.

Dilemat kanë qenë në mes anëtarësimit të rregullt dhe shtetit vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), është një organizatë ndërkombëtare me seli në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Vitin e kaluar Mali i Zi, është bërë anëtar i plotë Organizatës Botërore të Tregtisë.
XS
SM
MD
LG