Ndërlidhjet

Ç'interes përfaqësojnë OJQ-të në Kosovë?


Prishtinë..
Prishtinë..
Aktiviteti i organizatave joqeveritare në Kosovë është i vlefshëm, por jo gjithmonë këto organizata kanë kontribuar për të bërë ndryshime në shoqërinë civile.

Vetë përfaqësues të OJQ-ve thonë se ka raste kur organizatat veprojnë në mënyrë që disa persona të përfitojnë të mira materiale, ose punojnë për interesa të caktuara të partive politike dhe donatorëve të tyre.

Organizatat joqeveritare janë organizime të financuara dhe të mbështetura nga faktorë të ndryshëm joqeveritarë e që krijohen për të zgjidhur një problem shoqëror, individual, grupor ose më të gjerë.

Në Kosovë ka prani të madhe të organizatave joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore, shumica prej të cilave kanë ardhur pas përfundimit të luftës, për emergjencë humanitare.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, është organizata e parë jo-fitimprurëse në Kosovë. Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, thotë se roli i OJQ-ve,  është korrigjimi i punëve të Qeverisë dhe i institucioneve tjera.

Një pjesë e organizatave, sipas tij, këtë mision e ka luajtur mirë, ndërkaq pjesa tjetër e ka keqpërdorur detyrën.

Ai thotë se ka raste kur OJQ-të vendore kanë përfituar fonde milionëshe nga organizatat ndërkombëtare, por që asnjëherë nuk kanë siguruar dëshmi për mënyrën e shpenzimeve.
 
“Përfundimisht, organizatat joqeveritare nuk i kanë përmbushur misionet  e veta, me përjashtim të disa prej tyre, sepse janë derdhur shumë fonde, ndërsa nuk ka ndonjë ndryshim të gjendjes, ndonjë përshpejtim të proceseve demokratike, dhe nuk ka ndonjë ndikim në ndryshimin e punës së Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për gjendjen që kemi sot këtu”.

“Pra, një numër i vogël prej tyre ka përmbushur misionin, ndërsa pjesa tjetër ka ekzistuar dhe ekziston vetëm për të mbledhur fonde dhe për të shpenzuar para, e për të cilat asnjëherë nuk ka siguruar mbulesë ”
, vlerëson Shala.

Në Kosovë, po thuajse për të gjitha lëmit ka edhe organizata joqeveritare, si organizata kundër korrupsionit, drogës, organizata për arsim, edukim, shëndetësi, mundësi të barabarta dhe përfshirje në çështjet sociale.

Instituti Demokratik i Kosovës është një organizatë tjetër joqeveritare, misioni i së cilës është të mbështesë zhvillimin e demokracisë, duke fuqizuar qytetarët dhe sektorin joqeveritar për të ndikuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve qeveritare.

Driton Selmanaj, nga ky institut, shprehet se sektori joqeveritar pas përfundimit të luftës, ka qenë dukuri e re, dhe për këtë mungon besimi reciprok ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare.

Këta të fundit, sipas tij, këta mekanizma i shohin me paragjykime të shumta.

“Kjo ka ardhur si rezultat i moskomunikimit të sinqertë ndërmjet këtyre dy palëve. Do të thotë institucionet tona, partitë politike i shohin me shumë rezerva, paragjykime, më tepër duke tentuar t’i njollosin se dikush i ka themeluar ato, dikush qëndron prapa tyre”.

“Dhe, sa më shpejt që të heqin këto paragjykime dhe të realizojnë një komunikim të sinqertë me shoqërinë civile, unë besoj se do të kalojmë në një stad tjetër të bashkëpunimit, që i bie në stadin e partneritetit”
, thekson Selmanaj.
    
Ndërkaq, Lëvizja “Fol” është themeluar të mbështesë qytetarin dhe për të kontribuar në parandalimin e korrupsionit.

Fidan Kalaja, nga ky mekanizëm, thotë se sektori joqeveritar ka arritur që të bëjë ndryshime, por jo në nivelin e duhur.

Ai thotë se ky sektor e ka të vështirë realizimin e misionit të tij, për shkak se në disa raste konsiderohet si “armiqësor” karshi institucioneve qeverisëse.
 
“Logjika e dytë ka të bëjë me një lloji konflikti politik, arsyetim politik se institucionet qeverisëse e konsiderojnë shoqërinë civile si të panevojshme, në kuptimin se ata nuk dëshirojnë që të kenë një shtresë apo kategori të grupeve të njerëzve që kritikojnë apo  monitorojnë punën e tyre”.

“Politika tenton që kushtimisht ta minimizojë hapësirën e shoqërisë civile për të atakuar shoqërinë civile me elemente negative”,
thotë Kalaja.  
  
Në Kosovë janë të regjistruara mbi 6000 organizata joqeveritare, por vetëm 300 prej tyre janë aktive në gjithë territorin e vendit.
XS
SM
MD
LG