Ndërlidhjet

Luhatja e qeverisë maqedonase karshi mediave


Qeveria tenton që me çdo kusht të përshpejtojë procedurën për miratimin e ligjit për mediat edhe pse kohë më parë paralajmëroi se për këtë çështje do të organizohen debate publike që vërejtjet e paraqitura në to më pas të përfshihen në propozimin e hartuar nga Ministria për shoqëri informatike.

Kështu vlerësojnë nga shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila, draft ligjin e hartuar e konsideron si kufizues për punën e mediave.

“Thirrje ka pasur por ato nuk kanë qenë serioze kurse edhe koha e paraparë për zhvillimin e këtij debati nuk është e mjaftueshme dhe nuk korrespondon me rëndësinë e këtij ligji. Mendoj se nëse ligji miratohet në këtë formë, Maqedonia do të shënoj rënie të mëtutjeshme të nivelit të lirisë së mediave”, thotë Isen Saliu, anëtar i Këshillit Drejtues të SHGM-së.

Shoqata e gazetarëve, thotë Saiu, kërkon ndërprerjen e procedurës për miratimin e këtij ligji deri në krijimin e kushteve apo përfshirjen edhe të shoqatës në hartimin e një ligji të këtillë të rëndësishëm që do të ndikonte edhe në përmirësimin e imazhit të Maqedonisë sa i përket lirisë së mediave që cenohet me këtë ligj.

Robert Popovski, ish kryetar i SHGM-së, thotë se me rëndësi në gjithë këtë rast është uniteti mes gazetarëve dhe shoqatat të vazhdojnë me debatet brenda tyre për arritjen e një qëndrimin final. Çdo hyrje në debat me qeverinë pa një qëndrim të tillë do të manipulohej, thotë Poposki

“Mendoj se nuk ka nevojë të përshpejtohet apo të hyhet në dialog pasi në këtë rast kjo mund të keqpërdoret dhe SHGM-ja të manipulohet. Me rëndësi është edhe fakti se në tërë këtë proces nuk merr pjesë vetëm SHGM-ja, por edhe katër organizatat tjera që tubojnë gazetarët, dhe të gjitha së bashku kanë kredibilitetin që pas gjithë kësaj procedure të thonë qëndrimin final. Pra, me rëndësi është që të ketë unitet mes gazetarëve, edhe pse nuk përjashtohet mundësi që pushteti ta miratoj këtë ligj edhe pa konsultimin e gazetarëve”, thotë Poposki.

Propozim ligji i qeverisë për mediat është kundërshtuar edhe nga ekspertët e mediave.

Sefer Tahiri, ligjërues i gazetarisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se ligji i propozuar është në kundërshtim me parimet demokratike dhe standardet evropiane në fushën e medias, pasi siç shprehet Tahiri, ky draft ligj ka tendenca antidemokratike dhe tendenca që janë kundërshtim me shprehjen e mendimit të lirë.

Në radhë të parë është tentimi që të vendoset kontrolli jo i drejtpërdrejt me anë të agjencisë së mediave ndaj të gjitha mediave në Maqedoni, pra, është tentim politik i kontrollit në të ardhmen të politikës redaktuese dhe përmbajtjes që do të prezantojnë mediat".

"Nga ana tjetër, tentimi i dytë i qeverisë dhe i partive në pushtet është kontrolli mbi sferën e internetit apo të ashtuquajtura media on-line ose media të internetit, gjë që është gati e pamundur dhe ky është një tentim që është karakteristikë e shteteve me diktaturë politike”, thotë Tahiri.

Sipas tij, kjo çështja mund të kapërcehet vetëm me një dialog të mirëfilltë dhe pa tendenca të qeverisë me shoqatat që tubojnë gazetarët.

Ndërkohë, veç ligjit për mediat, polemika mes qeverisë dhe mediave elektronike ka shkaktuar edhe procesi i digjitalizimit, që duhet të filloj më një qershor.

Televizionet kombëtare kanë kundërshtuar ashpër këtë proces për shkak të taksës astronomike që sillet në rreth 160 mijë euro për një televizion gjatë një viti. Televizionet kanë bërë të ditur se në rast se kalon propozimi atëherë pas një qershorit shume media elektronike rrezikojnë mbylljen.

Nga qeveria kanë thënë se nuk heqin dorë nga procesi i digjitalizimit sikur edhe nga miratimi i ligjit të mediave i cili sipas ekzekutivit ka për synim vendosjen e rendi në sferën mediatike në Maqedoni dhe se hartimi i tij është bërë në përputhje me përvojat e shteteve perëndimore.
XS
SM
MD
LG