Ndërlidhjet

Migrimi i intelektualëve, dukuri shqetësuese


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar shtimin e masave për të penguar migrimin jashtë vendit të popullatës, e në veçanti të atyre me arsim të lartë.
Alarmi për institucionet vjen pas të dhënave të publikuara së fundi nga Eurostat-i se nga viti 1998 deri në vitin 2011 nga Maqedonia kanë emigruar 230 mijë persona apo 10 për qind e popullatës.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski, thotë se migrimi është dukuri e pranishme në të gjitha vendet e Evropës. Por, pavarësisht kësaj, sipas tij, të dhënat janë shqetësuese.

“Si qytetar i këtij shteti dhe si ministër, me të vërtetë nuk jam shumë i lumtur me këto të dhëna. Bëhet fjalë për një periudhë me gjashtë qeveri dhe kryeministra të ndryshëm. Ishte një periudhë e vështirë, jo vetëm për Maqedoninë, por dhe rajonin në përgjithësi. Në shumë shtete rreth nesh të dhënat e migrimit janë shumë më alarmante, por kjo nuk duhet nënkuptuar se ne nuk kemi probleme. Përkundrazi, duhet punuar për përmirësimin e gjendjes”, thotë Ristovski.

Qeveria ka promovuar një strategji të re demografike nga ajo e mëparshmja, me të cilën synon të pengojë migrimin e popullatës së re duke premtuar rritje të ekonomisë dhe vende të reja pune, para së gjithash për personat me arsim të lartë.

Sipas një ankete të realizuar, mbi 85 për qind e studentëve janë deklaruar se pas përfundimit të arsimit, mendojnë të braktisin vendin, kurse 29 për qind tashmë janë deklaruar se jetojnë jashtë kufijve të Maqedonisë.

Me qëllim parandalimin e kësaj dukurie, Qeveria për projekte të ndryshme për këtë vit, ka paraparë nga buxheti 530 mijë euro, për vitin tjetër 1.1 milion dhe për vitin 2015 - 2.2 milionë euro.

Profesori i sociologjisë, Ilija Acevski, thotë se strategjia e Qeverisë maqedonase është e mirë, por që të vërehen rezultatet e saj, duhet kohë dhe këtu qëndron problemi, pasi, sipas tij, njerëzit nuk kanë më kohë të presin.

“Nëse për një kohë të shkurtët nuk ka rezultate nga këto projekte, atëherë ato nuk do të kishin vlerë. Bëhet fjalë për projekte që kërkojnë 2 -3 e ndoshta edhe 5 vjet kohë. Andaj nuk jam edhe shumë i bindur nëse dikush do të priste kaq gjatë që të shohë nëse do të ketë këtu ndonjë rezultat pozitiv”, shprehet Acevski.

Ai shton se mungesa e perspektivës është arsyeja kryesore që shumë të rinj vendosin që fatin e tyre ta kërkojnë jashtë vendit.

“Perspektivat për krijimin e një jete normale në Maqedoni, janë shumë të vogla dhe këtë e tregojnë edhe vetë të dhënat statistikore se papunësia këtu është shumë e lartë, se është ulur shumë tregu për personat me arsim të lartë pasi për disa drejtime duhet pritur edhe 10 vjet për të gjetur ndonjë vend pune. Kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë të rinj të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit”, thekson sociologu Ilija Acevski.

Edhe Seadin Xhaferi, profesor i ekonomisë dhe njohës i çështjeve demografike, thotë se në rritjen e migrimit të popullatës ndikojnë pasiguria për të ardhmen e tyre dhe mungesa e gatishmërisë së institucioneve për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, që do të ndryshonte krejtësisht çështjen në fjalë.

“Megjithatë, kjo siç duket, po has në veshë të shurdhër në strukturat që menaxhojnë me shtetin. Nga ana tjetër, mosgjetja e rrugëve për punësim, pra numri i madh i të papunëve, numri i madh i intelektualëve që nuk shohin një perspektivë këtu është gjithnjë e në rritje dhe si të vetmin shteg e shohin largimin nga vendlindja. Por, nëse trendët e punësimit zhvillohen me këta hapa, atëherë ka të ngjarë që largimi të jetë edhe më i madh”, vlerëson Xhaferi.

Sipas të dhënave të institucioneve, nëse çështjet e migrimit lëvizin me këtë dinamikë, deri në vitin 2030 numri i popullatës nën 14 vjeç do të ulet për 14.4 për qind, kurse çdo vit nga vendi do të shpërngulen nga 15 mijë persona.

Po, sipas këtyre të dhënave, deri në vitin 2050, Maqedonia nuk do të ketë më shumë se 1.746.000 banorë nga rreth 2 milionë sa ka aktualisht.
XS
SM
MD
LG