Ndërlidhjet

Shpagim për dëmet e luftës?!


Shkollë e djegur gjatë luftës në Kosovë...
Shkollë e djegur gjatë luftës në Kosovë...

Gjatë bisedimeve që po zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pala kosovare duhet të kërkojë kompensimin e dëmeve që i ka shkaktuar Serbia gjatë luftës së fundit, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, përveç çështjeve që po bisedohen, në agjendë duhet të paraqiten edhe shumë kërkesa, duke përfshirë këtu krimet dhe dëmet e luftës, e jo kurrsesi të hapen tema tjera ashtu siç pretendon pala serbe, si pozita e Kishës Ortodokse, kushtet për integrimin e bashkësisë serbe në institucionet qendrore, si dhe çështja e pasurisë.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, i cili në vitin 2006, ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë, thotë se çështja e dëmeve të luftës ishte ngritur edhe në Vjenë, por qe mbyllur menjëherë pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar.

Ai, ndërkaq, tashmë konsideron se ekzekutivi i vendit e ka obligim të kërkojë kompensimin e dëmeve.

“Unë mendoj se e ka obligim të bisedojë për dëmet, sepse ato dihet saktësisht se kush i ka shkaktuar dhe kujt ia ka shkaktuar. Kurse, ajo që kërkon Serbia, që të bisedojë për pasurinë e Kosovës, ajo është jashtë kompetencave të saj, dhe as që duhet të pranohet si propozim, e jo më të hyhet në proces të bisedimeve”, konsideron Shatri.

Kosova duhet t’i kundër përgjigjet palës serbe me kërkesa reale dhe legjitime, thotë eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, pasi, sipas tij, autoritetet serbe po bëjnë presion me propozime jo ligjore, ndërkaq Kosova ka të drejtë të kërkojë kompensimin e dëmeve të luftës.

“Serbia po mundohet të na frikësojë me kërkesa të veta enorme, jashtë realitetit. Siç po parqet pala e Serbisë, edhe ne duhet të paraqesim(kërkesa), pastaj ne pikërisht kemi çka të kërkojmë. Ata kërkojnë diçka që nuk i takon, sepse pasuritë e Kosovës janë pasuri të Kosovës, e jo të Serbisë. Prandaj, pretendimi i tyre është më tepër për të bërë presion, e jo për zgjidhur problemin”, vlerëson Kastrati.

Përveç dëmeve të luftës, Kastrati vlerëson se pala kosovare duhet të kërkojë edhe kthimin e Fondit Pensional, kursimet e humbura, dëmet që janë shkaktuar nga largimi i afër 150 mijë punëtorëve nga puna për disa vjet, gjithashtu edhe për problemet e telekomunikacionit, energjisë, hapësirës ajrore e shumë të tjera.

Ndryshe, Haki Shatri thotë se sipas të dhënave të ekspertëve të ekonomisë, që janë paraqitur në bisedimet që janë zhvilluar në Vjenë, dëmet në përgjithësi që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten mbi 12 miliardë euro.

Por, edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës, shifra e dëmeve të luftës nuk është dokumentuar në formë zyrtare, edhe pse në vitin 2011 Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili do të hulumtonte krimet e kryera në periudhën 1990-1999. Por, ky mekanizëm deri më tash, nuk ka dalë me ndonjë statistikë.

Një nismë për kalkulimin e humbjeve ekonomike, dokumentin dhe arkivimin e tyre, ka ndërmarrë Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, QHDP.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, Nora Ahmetaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë në proces të projektit, porse nevojiten fonde të mëdha materiale.

“Jemi duke punuar që të gjejmë donatorë të pavarur, në mënyrë që të vijmë te hulumtimi dhe kalkulimi i mirëfilltë i dëmeve të luftës, në mënyrë që të dokumentojmë, jo për hir të politikës dhe dialogut, por për hir të gjeneratave të ardhshme, sepse unë nuk e di, se si historia do t’i edukojë gjeneratat e ardhshme se çka ka ndodhur në Kosovë”, thotë Ahmetaj

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë padi në Gjykata Ndërkombëtare, rreth dëmeve të luftës që i ka shkaktuar Serbia Kosovës, qoftë në njerëz, qoftë në ekonomi.
XS
SM
MD
LG