Ndërlidhjet

WP: Kontradiktat kundërterror të presidentit Obama


Barack Obama
Barack Obama
Ekziston një kontradiktë në qendër të politikës kundërterroriste të shpallur nga presidenti Obama në fjalimin e javës së kaluar, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja “Washington Post”.

Gazeta shpjegon se në përshkrimin e reduktimit të ashpër të kërcënimit në mbarë botën, presidenti shpalli se “kjo luftë, sikur të gjitha luftërat e tjera, duhet të përfundojë”.

Ai premtoi “përpjekje për përmirësime të vogla dhe përfundimisht anulimin” e deklaratës kongresiste që e autorizon aksionin ushtarak kundër al-Kaidës dhe talibanëve dhe tha se ai do ta refuzojë çfarëdo legjislacioni “të projektuar për zgjerimin e mëtejshëm të këtij mandati”.

Sipas gazetës “Washington Post”, zoti Obama, njëherësh, e bëri të qartë se lufta, ashtu siç është zhvilluar jashtë Afganistanit dhe Pakistanit fqinj, do të vazhdojë, ndërsa ajo mund të udhëhiqet në shumë pjesë të botës dhe ajo me gjasë do të involvojë më tepër sulme me aeroplanë pa ekuipazh.

Ai parashikoi “një seri të përpjekjeve këmbëngulëse dhe të shënjestruara për shkatërrimin e rrjeteve specifike të ekstremistëve të dhunshëm, që e kërcënojnë Amerikën”.

Ai tha se “arrestimi dhe përndjekja e terroristëve” nuk është çdoherë e mundshme, siç nuk është e mundshme “të pritet që të ndodhin sulmet”, e as “mbështetja e vetme në ligjet e përndjekjes” nuk është efikase.

Pra, shkruan më tutje gazeta në editorialin e saj, nëse zoti Obama e shpall konfliktin me al-Kaidën të përfunduar, e anuloi ose jo Kongresi autorizimin, lufta do të vazhdojë. Sa shumë do të dallojë kjo nga katër vjetët e kaluar, gjatë të cilave CIA dhe forcat ushtarake ndërmorën qindra sulme me aeroplanë pa ekuipazh në Pakistan, Somali dhe Jemen dhe i mbështetën operacionet e armatosura nga aleatët në disa vende të tjera, do të varet më tepër nga evolucioni i terrorizmit islamik se sa nga Uashingtoni.

Nëse të gjitha grupet e ndërlidhura me al-Kaidën vazhdojnë të zgjerohen, ashtu siç ka ndodhur aktualisht në Afrikën Veriore dhe Siri, konflikti mund të jetë relativisht intensiv, shkruan “Washington Post”.

Më tutje në editorial shtrohet pyetja se përse të anulohet Autorizimi për Përdorim të Forcës Ushtarake (AUMF), legjislacion i shtatorit të vitit 2001, të cilin e përmendi presidenti?

Zoti Obama brengoset për “mbajtjen e Amerikës në ecjen e vazhdueshme në kohë lufte”. Ai thotë se “derisa ne ta disiplinojmë të menduarit tonë dhe aksionet tona, ne ndoshta mund të futemi në më tepër luftëra, që ne nuk na nevojiten t’i luftojmë, ose të vazhdojmë t’u japim presidentëve autoritet të pakufizuar, që është më përkatëse për konfliktet e armatosura tradicionale ndërmjet kombeve-shtete”.

Këto janë shqetësime legjitime, shkruan “Washington Post” dhe vazhdon duke thënë se ne kemi argumentuar për më tepër transparencë, mbikëqyrje kongresiste dhe dhënie të përgjegjësisë së degës ekzekutive në luftën kundër al-Kaidës, veçanërisht kur kemi të bëjmë me përdorimin e aeroplanëve pa ekuipazh.

Por, ende ekziston rreziku, që duke e tërhequr legjislacionin AUMF - në krahasim me përshtatjen ndaj kushteve të reja që i ka përshkruar zoti Obama – do të rezultojë me më pak kufizim në autoritetin e presidentit, e jo më tepër.

Në fjalimin e tij, zoti Obama nuk ka gjurmuar detaje juridike gjatë fjalimit të tij. Por, këshilltarët më të lartë juridikë në Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes, gjatë mandatit të tij të parë, publikisht kanë argumentuar se nëse AUMF më nuk zbatohet, sulmet ushtarake kundër terroristëve ende mund të ndërmerren sipas Nenit II të Kushtetutës, që i garanton presidentit autoritet për ta mbrojtur vendin kundër sulmeve të menjëhershme. Shumica e ekspertëve juridikë pajtohen me këtë pikëpamje, shkruan “Washington Post”.

Por, siç argumenton profesori i Harward-it, Jack Goldsmith, në një blog të tij aktual në gazetë, për zotin Obama ose për presidentët e ardhshëm, për të ndërmarrë operacione ushtarake në përmasa të atyre që po zhvillohen jashtë Afganistanit, nën Nenin II – në krahasim me aktin e Kongresit – “do të ishte zgjerim i paprecedent i autoritetit” të presidentit.

Zoti Obama ose presidenti i ardhshëm mund të kërkojnë, natyrisht, autorizim specifik të Kongresit për fillimin e operacioneve kundër një kërcënimi të ri terrorist.

Tërheqja e legjislacionit AUMF do të detyronte mbylljen e burgut Guantanamo Bay, diçka që gazeta “Washington Post”, e ka mbështetur.

Por, kjo do ta komplikonte, po ashtu, arrestimin e ardhshëm ushtarak të të dyshuarve për terrorizëm, ashtu siç administrata e presidentit Obama e mban një militant somalez në luftanijen amerikane, para transferimit të tij në sistemin civil të drejtësisë.

Zoti Obama ka shprehur përkushtimin për “angazhimin e Kongresit lidhur me ekzistimin e legjislacionit AUMF për përcaktimin se si ne mund të vazhdojmë ta luftojmë terrorizmin” pa gjendje të vazhdueshme të luftës.

Ky është diskutim i drejtë, por rezultati duhet të jetë as një vakuum juridik, e as shpallje e mbylljes së konfliktit, i cili, sipas vetë pikëvështrimit të presidentit, është larg që të përfundojë, shkruan në fund të editorialit të gjatë e përditshmja “Washington Post”.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG