Ndërlidhjet

IHT: Çfarë ka ndodhur me Tribunalin e Hagës?


Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka vendosur të enjten të lirojë dy zyrtarë serbë të sigurisë shtetërore, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Shfajësimi është edhe një prej prapësimeve dramatike të tribunalit gjatë vitit të kaluar, shkruan gazeta International Herald Tribune.

Sipas saj, Stanishiq dhe Simatoviq kanë pasur dorë të madhe në krijimin, trajnimin, armatosjen, financimin dhe drejtimin e disa prej grupeve paramilitare, përgjegjëse për një numër të madh të krimeve në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Arsyetimi i vendimit 800-faqesh të gjykatës ofron ca lexime inetersante: Pohon se krimet janë kryer dhe i përshkruan ato në detaje torturuese. Emëron viktimat, autorët; në shumicën e rasteve, jep hollësi për lidhjet në mes të palëve të akuzuara dhe autorëve të drejtpërdrejtë.

Pastaj, refuzon të dënojë, me arsyetimin se dëshmitë nuk tregojnë se mbështetja e dhënë për kriminelët ka qenë “e drejtuar në mënyrë specifike për kryerjen e krimeve”.

International Herald Triubune shtron pyetjen se si ka shkuar tribunali në këtë pikë, duke hedhur poshtë ambicien për të sjellë drejtësi për viktimat, paqe në rajon si dhe të vërtetën e historisë së dhunës në ish-Jugosllavi? Është duke shfajësuar njerëzit, të cilët kanë udhëhequr iniciativa të fshehta për të kryer krime?

Përgjigjja qëndron pjesërisht në vendimin e muajit shkurt të Dhomës së Apelit për të liruar gjeneralin Momçillo Perishiq, shefin e shtabit të ushtrisë jugosllave, i akuzuar për lehtësimin e krimeve të kryera nga ushtria serbe e Bosnjës.

Prokuroria ka argumentuar se me armatosjen, financimin dhe sigurimin e oficerëve, Perishiq ka bërë gjenocid dhe krime të mundshme kundër njerëzimit.

Por, Dhoma e Apelit ka konstatuar se mungojnë prova specifike se Perishiq ka siguruar qëllimisht ndihmë në kryerjen e krimeve.

Po ashtu në një vendim që lidhet me nëntorin e kaluar, Dhoma e Apelit ka vendosur të lirojë Ante Gotovinën dhe Mlladen Markaçin, dy gjeneralë kroatë, të akuzuar se kanë bindur popullsinë civile serbe të largohet nga Kroacia, duke përdorur forcën ushtarake.

Sipas International Herald Tribune, këto prapësime dramatike pasojnë një dekadë të jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, e cila kë bërë përpjekje të vendosë sundimin e ligjit mbi aktivitetet militare dhe paramilitare në konfliktet e armatosura.

Së bashku me disa dënime të tjera, dënimet e shkallës së parë të Perishiqit, Gotovinës dhe Markaçit dukeshin si pikë referimi në përcaktimin e përgjegjësië komanduese dhe mbrojtjen e civilëve.

Ndryshimet e regjimit në Serbi dhe në Kroaci në vitin 2000 i kanë ofruar gjykatës qasje te të dyshuar më të shquar. Gjykata ka gjykuar dhe ndonjëherë dënuar kryetarë shtetesh dhe gjeneralë të lartë. Dënimet e saj kanë përfshirë precedente të mëdha për krimet e gjenocidit, për statusin e dhunës seksuale si shkelje e ligjit ndërkombëtar, si dhe për mënyrat e përgjegjësisë për krime të mëdha.

Deri në kohën kur gjykata ka lëshuar aktakuzat e fundit, më 2005, shumë vëzhgues janë ndjerë rehat, duke argumentuar se ajo përfaqëson një përpjekje të suksesshme për të sjellë sundimin e ligjit në një fushë, ku është guxuar rrallë të shkelet.

International Herald Tribune shkruan se me siguri nuk do të dimë arsyet e plota përse gjykatësit kanë vendosur të ndryshojnë kursin, derisa gjykata të mbyllë dyert e saj dhe personalitetet kyçe të nxjerrin kujtimet e tyre.

Një mundësi është se derisa vendosja e standardeve ligjore ka qenë në rregull për shtetet e vogla dhe të margjinalizuara si ato të përfshira në konfliktin e Jugosllavisë, ato kanë kërcënuar fleksibilitetin e shteteve më të fuqishme, që mund të jenë të përfshira në konflikte në të ardhmen, shkruan International Herald Tribune.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG