Ndërlidhjet

KOSID: Mos t’i “falet” licenca operatorit serb


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë shprehur shqetësime në lidhje me bisedimet që delegacioni i Kosovës po zhvillon në Bruksel, me palën serbe, në lidhje me çështjen e telekomunikacionit.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), që në vetë përmban 11 organizata joqeveritare, ka kërkuar nga autoritetet kompetente, që të mos pajisin me licencë operatorë të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë.

Sipas tyre, një marrëveshje eventuale për operatorin e tretë të telefonisë mobile në Kosovë, i cili do të ishte nga Serbia, do të hynte në tregun kosovar si rrjedhojë e vendimeve politike dhe assesi si nevojë e tregut të lirë apo konkurrencës në vend.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit që të zbardhen marrëveshjet e arritura më Serbinë. Kjo pasi ai ka thënë se kanë informacione se Qeveria e Kosovës tashmë i ka premtuar Serbisë se do të licencojë një operator të telefonisë serbe në Kosovë.

Ky veprim, sipas Korenicës, është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik dhe me ligjet përkatëse në vend.

“Ne i kemi bërë edhe kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës, që të na informojë në lidhje me këtë çështje dhe presim nga Qeveria që të na tregojë nëse një gjë e tillë është e vërtetë. Nëse është e vërtetë, ne do të jemi në mënyrë të plotë për të kundërshtuar një proces të tillë, meqë nuk mund t’i falet Serbisë një licencë për operator të telefonisë mobile”.

“Kjo çështje duhet të shkojë përmes procesit të hapur të tenderimit publik, në të cilin janë të lirë të konkurrojnë kushdo dhe jo Serbisë t’i garantohet, t’i jepet një licencë për operator të telefonisë mobile falas”, ka thënë Korenica.

Edhe Visar Azemi, koordinator në këtë konsorcium, e ka kundërshtuar futjen e operatorit serb në Kosovë, pasi, sipas tij, është jotransparent.

Në fushën e telekomunikacionit, parashihet që të futet një operator telefonik serb, në vend, pa i iu përmbajtur rregullave të prokurimit. Kjo është kryekëput nga marrëveshjet politike që janë duke u zhvilluar”, është shprehur Azemi.

Ai ka shtuar se Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, nuk është kundër hapjes së tregut të lirë të telekomunikacionit, por kundër marrëveshjeve që dëmtojnë ekonominë e vendit.

“Është evidente se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, shumë shpejt do të kemi një kompani serbe të energjetikës, e cila do të jetë e pranishme në pjesën veriore, pa respektuar asnjë rregull të rregullatorit, ligjet dhe logjikën e ekonomisë në vend”, ka shtuar Azemi.

Çështja e telekomunikacionit vazhdon të jetë një ndër temat e bisedimeve që delegacioni i Kosovës po zhvillon në Bruksel me palën serbe.
XS
SM
MD
LG