Ndërlidhjet

Kosova 14 vjet pas çlirimit


Kosovë, 1999
Kosovë, 1999
Dymbëdhjetë qershori për popullin dhe shtetin e Kosovës, shënon fundin e një epoke shumë të rëndë të historisë dhe fillimin e një etape të re, të ndritshme, të jetës e të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, vlerësojnë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në deklaratën e saj thotë se “Republika e Kosovës sot është shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe promotor i fqinjësisë së mirë, me synim të qartë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB”.

Në deklaratë thuhet po ashtu se “Dita e Lirisë, 12 Qershori, shënon ditën kur, përfundimisht, iu dha fund shtypjes, politikës hegjemoniste dhe gjenocidit ndaj popullit të Kosovës. Liria u fitua me rezistencën e gjatë të popullit ndaj pushtimit, me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me fushatën ajrore të NATO-s dhe përkrahjen e pakursyer të botës demokratike”.

Kurse, kryetari i Kuvendi të Kosovës Jakup Krasniq në një deklaratë për media, ka vlerësuar se “çlirimi i Kosovës, pas një pushtimi të egër shekullor, pas aq shumë përballjeve, sakrificave të panumërta dhe luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari, dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, janë ditë të shënuara me shkronja ari në historinë tonë më të re”.

Çlirimi, dhe më pas pavarësia e Kosovës, kanë siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon, ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Katërmbëdhjetë vjet nga Dita e Lirisë, Dita e Paqes, Republika e Kosovës është gjithnjë më e sigurt dhe më afër përmbushjes së kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB. Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, është duke luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon".

"Duke mos harruar asnjëherë të kaluarën, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur për të ndërtuar të ardhmen prosperuese të shtetit të pavarur të Kosovës në kuadër të procesit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratën e Thaçit.

Një nga sfidat më të mëdha në Kosovën e pasluftës ishte dhe mbetet veriu i saj.

Atje, strukturat paralele serbe, që mbështeten edhe nga Beogradi, nuk kanë lejuar shtrirjen e autoritetit të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova edhe 14 vjet pas luftës dhe lirisë, vazhdon të jetë një shtet i dobët në kurriz të një kombi të fuqishëm, si kombi shqiptar.

Ky shtet i dobët, duke qenë edhe shtet i kapur rrezikon të shndërrohet pakthyeshsm në shtet të dështuar. Dhe këtu është intervenimi subjektiv dhe parimor i Lëvizjes Vetëvendosje, pra që shtetin e dobët të Kosovës ta forcojmë duke i sjellë sovranitet dhe integritet territorial në njërën anë, dhe zhvillim ekonomik të bazuar në prodhim e që sjell punësim në anën tjetër”, tha Kurti.

Kurse analisti politik, Ilir Ibrahimi, thotë se edhe pse Kosova në këto 14 vjet është e lirë dhe e pavarur, me një perspektive përpara, vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida, të cilat sipas tij, janë të natyrshme për një shet të ri.

“Kosova me një klasë politike të paeksperiencë dhe me një shoqëri e cila po i shëron plagët e veta të luftës, këto sfida behën edhe më të mëdha dhe shpesh krijojnë pesimizëm dhe negativitet te populli dhe qytetarët. Pa dyshim që dukuritë negative duhet të ekspozohen dhe të dënohen, por ato nuk duhet të na ndalin që të shikojmë nga e ardhmja”, thotë Ibrahimi, për të shtuar se asnjëherë nuk duhet të barazohen dështimet e pushteti me shtetin.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës, dhe liderët politikë, nuk duhet të jenë të kënaqur me të arriturat e pakta, duke harruar mundësisë për më shumë, thekson analisti Ibrahimi.

Ai mendon se institucionet kosovare duhet të bëjnë më shumë në të gjitha drejtimet, por me theks të veçantë për të rijnë.

“Kjo i takon klasës politike, që të hapin sa më tepër rrugë për një perspektivë më të mirë për rininë e vendit. Mos të harrojmë që rinia kosovare është një nga asetetet më të çmuara”, tha Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, qytetarët për këto vite të lirisë, shohin edhe të arriturat por edhe ngecjet. Hasan Sopi një qytetar nga Prishtina shpjegon:

“Krahasuar me kohën kur kemi qenë nën okupim, tash është mirë shumë. Por nuk është arritur ajo çka kemi pasur dëshirë ne. Që 14 vjet ende papunësi e madhe, varfëri, korrupsioni ka dalë në kulm. Ende ka punë për t'u bërë. Duhet të punojmë më tepër, të angazhohemi të gjithë për shtetin tonë”, tha Sopi.

Kurse, Demokrat Hadolli shprehet:

“Shumë pak është arritur në aspektin e zhvillimit ekonomik, papunësia është shumë e madhe. Të arritura ka shumë pak. Më shumë tash në Kosovë po ka korrupsion”, tha Hadolli.

Pas fushatës ajrore prej 78 ditëve, para 14 vjetësh, trupat e NATO-s zbarkuan në Kosovë.

Ndërhyrja u pasua edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.

Me Kushtetutë kjo ditë njihet si Dita e Paqes apo Dita e Çlirimit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG